Maxim, arma e vërtetë e shkatërrimit në masë

Më 1914, një shpikje vrastare e një inxhinjeri amerikan të natyralizuar britanik, qe ajo që pati dhënë një ndihmë vendimtare për pushtimin e botës nga Europa. Megjithatë, kjo qe një armë e mënjanuar nga gjeneralët të cilët e shihnin atë si “jodinjitoze” për t’u përdorur në Europë. Dhe e patën gabim…

Një mitraloz britanik Maxim që mori pjesë në Ekspeditën Ndihmuese Chitral më 1895. Foto pa të drejtë autori.

Një mitraloz britanik Maxim që mori pjesë në Ekspeditën Ndihmuese Chitral më 1895. Foto pa të drejtë autori.

Paul Richard Huard, Warisboring.com

Herët mëngjesin e 25 tetorit 1893, një kolonë me 700 ushtarë nga Policia Britanike e Afrikës së Jugut ngritën kampin në një pozicion mbrojtës pranë Lumit Shangani.

Ndërsa ata flinin, mbreti Lobengula i Matabeles urdhëroi një sulm mbi kolonën, duke dërguar një forcë prej 6 mijë burrash – disa të armatosur me shigjeta, por shumë të pajisur me pushkë Martini-Henry.

Mes armëve të saj, kolona dispononte disa mitralozë Maxim. Sapo një vrojtues dha alarmin, mitralozët u hodhën në aksion – dhe pasojat qenë të tmerrshme.

Mitralozët vranë më shumë se 1,600 vetë nga sulmuesit e fisit Matabele. Sa për kolonën britanike, ajo vuajti katër të humbur.

Ushtria britanike nuk e mati suksesin e mitralozit Maxim vetëm nga numri i njerëzve të vrarë. Ata e vlerësuan potencialin e Maxim edhe si një armë për luftë psikologjike.

Pas betejës, shumë udhëheqës të Matabeles kryen vetëvrasje ose duke varur veten ose duke u hedhur mbi shtizat e tyre. Kjo tregon se sa shkatërruese qe mitralozi Maxim.

“Shifrat e rrumbullakosura janë të dyshimta,” shkroi C.J.Chivers te The Gun, në historinë e armëve automatike. “Por rëndësia nuk bie. Disa qindra njerëz me pak mitralozë mposhtën një mbret dhe ushtrinë e tij. Biznesi i Hiram Maxim qe i sigurtë pas kësaj.”

 

Shpikja e Maxim pati sjellë fuqinë industriale në fushëbetejë. Më shumë se çdo armë tjetër e shpikur vonë në shekullin e 19 apo në fillimin e shekullit 20, Maxim është arma përgjegjëse për ndryshimin e natyrës së luftës përgjithmonë.

Formacionet britanike të katrorit apo të “vijës së hollë të kuqe” që përqendronte fuqinë e zjarrit të këmbësorisë, doli përgjithmonë nga skema. Kur mitralozi Maxim hapte zjarr me 500 të shtëna për minutë, taktika e ushtarëve që hapnin zjarr në grup u bë vetëvrasëse.

Që nga ajo kohë, këmbësorit i duhet të vrapojë dhe të fshihet, të mbështetet në aftësinë e tij për në manovruar që të dërgojë zjarrin drejt armikut… si dhe te detyra për të mbetur gjallë.

Historia e mitralozit Maxim ka dy kapituj. I pari është kur ajo qe arma e zgjedhur për të ndihmuar në zgjerimin e Perandorisë Britanike vonë në shekullin e 19. Shkatërrimet që kjo armë solli gjatë Luftës së Parë Botërore është kapitulli tjetër.

Por që të kuptosh me të vërtetë këtë armë, të duhet të dish diçka mbi shpikësin – një amerikan i cili qe njëkohësisht një shpikës gjenial dhe një biznesmen gjakftohtë. Ustallëku i vinte natyrishëm Maxim, i cili pati lindur në Maine më 1840. Ndërsa qe ende adoleshent, ai në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës krijoi një çark për minjtë më të mirë – çarku i tij rikthehej në pozicion në mënyrë automatike dhe i hoqi qafe problemin e minjve mullinjve të zonës. Në moshën 26 vjeç, ai patentoi një hekur për flokë kaçurele, e para nga 271 patentat nën emrin e tij.

Pastaj, Maxim u bë kryeinxhinjer në United States Electric Lighting Co. në Nju Jork ku krijoi filamentin prej karboni në poçat me energji elektrike, filament që jetonte më gjatë.

Por ai kërkonte famë dhe pasuri. Veçanërisht pasuri. Kështu shkoi në Europë.

“Më 1882, unë isha në Vienë, ku takova një amerikan të cilin e kisha njohur në Amerikë,” shkroi Maxim në kujtimet e tij. “Ai më tha, ‘hiq dorë nga kimia dhe elektriciteti! Nëse dëshiron të bësh para, shpik diçka që do t’i mundësojë këtyre europianëve të therin njëri-tjetrin me lehtësi më të madhe’”.

Këshillë e vlefshme. Më 1884, ai arriti të nxjerrë një gëzhojë nga pushka duke përdorur një shul automatik që e tërhiqte plumbin e rradhës në gojëz nga një gjerdan. Armët Gatling ose Nordenfelt me zjarr të shpejtë në aë kohë qenë të dobëta, përdornin gravitetin dhe bllokoheshin shumë shpesh.

Maxim shpiku gjithashtu një barut që digjej më pastër dhe pa tym, të cilin e quajti kordit dhe që dëmtonte armën shumë më pak se sa baruti i zi që përdorej në atë kohë.

Hiram Maxim me mitralozin që mban emrin e tij.

Hiram Maxim me mitralozin që mban emrin e tij.

Kombinimi i zjarrit automatik me municion më të pastër qe revolucionar. Nga viti 1889, Ushtria Britanike mori nën posedim mitralozët Maxim. Një vit më vonë, ushtritë e Austrisë, Gjermanisë, Italisë dhe Rusisë, që të gjitha i blenë këto armë.

Zhvillimi më i madh i mitralozit Maxim erdhi kur ai hyri në partneritet me kompaninë britanike Vickers Co. Rezultati qe një mitraloz me trekëmbësh me ftohje me ujë kalibër .303, i ushqyer me një gjerdan me 250 fishekë.

Kjo shpikje erdhi pikërisht në kohë për Luftën e Parë Botërore. Por qe një gjë që të vrisje “barbarët.” Shumë gjeneralë dhe planifikues ushtarakë kishin dyshime mbi efikasitetin e mitralozit Maxim – si dhe të mitralozëve të ngjashëm – nëse këta përdoreshin kundër trupave të fuqive të Europës Perëndimore.

Ata vijonin të predikonin sulmin me bajoneta. “Shpirti i sulmit me bajonetë duhet të ngulet në të gjithë rradhët tona,” shkruante një manual këmbësorie, “në mënyrë që ushtarët të ecin përpara me vendosmëri agresive dhe besim mbi superioritetin e krijuar nga stërvitja e vazhdueshme, pa të cilën, sulmi me bajoneta nuk mund të jetë efektiv.”

As provat e siguruara nga Lufta Ruso-Japoneze e vitit 1904, me rrethimet e saj të gjata dhe luftën me llogore – një parashikues i hershëm i tmerreve të Luftës së Parë Botërore – nuk i bindi vëzhguesit mbi fuqinë vrasëse të mitralozit Maxim në fushëbetejën moderne.

“Vëzhguesit panë rusët dhe japonezët që u masakruan në masë nga zjarri me mitralozë dhe u kthyen në shtëpi për të shkruar se mitralozi është armë e mbivlerësuar me tepri; duket shumë e dyshimtë se ajo do të jetë efektive ndaj ushtarëve të stërvitur europianë,” shkroi  James Stokesbury te libri Një Histori e SHkurtër e Luftës së Parë Botërore. “Dukshëm ata nuk i konsideronin japonezët apo rusët të ishin në kategorinë elitare.”

Realiteti në Frontin Perëndimor qe shumë ndryshe. Disa e quajtën Luftën e Parë Botërore “lufta e mitralozëve” – megjithëse zjarri me artileri shpesh shkaktoi pjesën më të madhe të viktimave, ushtarët ritreguan me tmerr skenat e vrasjeve të masë të shokëve të tyre nga zjarri i mitralozëve.

Në vetëm një ditë gjatë Betejës së Somës më 1 korrik 1916, britanikët humbën 21 mijë vetë, shumica dërrmuese e të cilëve u vranë nga mitralozët Spandau, versioni gjerman i Maxim.

Maxim, i pasur, i famshëm dhe me titullin e kalorësit të dhënë nga mbretëresha, vdiq më 24 nëntor të atij viti – në Londër, ndërkohë që qe bërë nënshtetas britanik.

Disa javë më parë, Beteja e Somës pati përfunduar. Rezultati qe më shumë se një milionë viktima, shumë prej të cilëve, u vranë nga zjarri i mitralozit.

You may also like...