Më në fund një Shqipëri pa duhan?!

Vetëm pak ditë më parë parlamenti shqiptar miratoi ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, ligj që mendohet të ketë zbatueshmëri. Ky ligj i mirëqenë që nga viti 2006 nuk funksiononte apo më mirë nisi të funksionojë në fillim ndërsa më pas inspektorët mbasi mbushnin xhepat largoheshin të qetë duke lënë tymnajë duhani nëpër lokale.

I vetmi ndryshim i bërë ishte heqja e tavllave dhe zëvendësimi me pjatat e filxhanëve të kafesë. Në 2014 kemi një përmirësim të dukshëm të ligjit ku shpresojmë në zbatueshmërinë e tij. Qeveria jonë dhe institucionet që do të merren me zbatimin e ligjit duhet të përpiqet me çdo kusht për të ndaluar duhanpirjen. Kosova që është ngjitur me ne ia ka dalë. Në asnjë lokal brenda nuk pihet cigare. Ne s’kemi mundur. A mendoni se këtë herë shteti do tregohet aq i fuqishëm dhe i rreptë sa të ndalojë pirjen e duhanit nëpër ambiente të brendshme?

Personalisht mendoj se në Evropë e rajon jemi të vetmit që tymosim duhan brenda ndaj qeveria jonë tashmë s’mund të jetë më delja zezë. Ndaj ka organizuar AKU, Inspektorati i Mjedisit, i Punës, inspektorët e arsimit, inspektorët e ruajtjes kundër zjarrit, inspektorët e transportit, punonjësit e tatim-taksave, Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, administratorët e pallateve… dhe koordinimi i të gjithë kësaj pune, do të bëhet nëpërmjet Inspektoratit Qendror të Shëndetësisë.

Gjoba do të marrin veç pronarëve dhe duhanpirësit, ndaj s’ia vlen të rrezikoni. Le të shpresojmë që më në fund do të kemi një shoqëri ku duhani të konsumohet më pak, e një Shqipëri më pak të tymosur.

You may also like...