Merkantilizmi
– teori ekonomike the praktikë e zakonshme në Europë nga shekulli i 16 deri në shekullin e 18 që promovonte rregullimin e ekonomisë kombëtare nga qeveria me synimin e forcimit të pushtetit shtetëror në kurriz të shteteve rivale.
Merkantilizmi kishte shumë elementë përbërës. Metalet e çmuara, të tilla si ari apo argjendi konsideroheshin të domosdoshëm për pasurinë e një vendi. Nëse vendi nuk kishte miniera apo nuk kishte akses në miniera të metaleve të çmuara, këto duhej të siguroheshin përmes tregtisë. Besohej se bilanci tregtar duhej të ishte “i favorshëm”, d.m.th., eksportet duhej të ishin më të larta se sa importet. Kolonitë shërbenin në këtë sistem si tregje për eksportet dhe furnizues të i ëndëve të para për fuqinë koloniale. Manifaktura u ndalua apo u sabotua nëpër koloni dhe e gjithë tregtia e kolonive u bë monopol i vendeve kolonizatore.
Teoria e merkantilizmit u kritikua nga një numër ekonomistësh të iluminizmit skocez, të tillë si David Hume dhe Adam Smith.
Teoritë më moderne e kanë parë merkantilizmin jo vetëm si politikë armiqësore mes vendeve, por edhe si favorizues të elitave politike dhe ekonomike të vendeve që zbatuan politikat merkantiliste. Nën këtë teori, nga proteksionizmi tregtar nuk përfituan ekonomitë dhe popullsitë e vendeve që përdorën këto politika, por vetëm elitat politike. Për shembull, tarifat për importin e drithit në Anglinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndërsa supozohej se mbështesnin prodhimin vendës të ushqimeve në dëm të prodhimeve nga importi, në fakt mbronin prodhimin e realizuar nga një numër pronarësh të mëdhenj tokash, ndërkohë që pjesa dërrmuese e popullsisë paguante tarifat për ushqimet e konsumuara, apo çmimet më të larta të prodhimit vendës. Lexo më shumë: Fjalorthi ekonomik