Mesazhe të thjeshta dhe të qarta të blerjes së votave parlamentare nga Meta

Blerja e votave të opozitës nga Meta duket se është thjeshtë një mesazh për Ramën. Mesazhi është që Meta është më i zoti në politikën e blerjes dhe rrjedhimisht, Rama nuk e kërcënon dot me zëvendësimin e tij me ndonjë parti tregtarësh nga e djathta

Nuk ka se si të ndodhë ndryshe! Një parlament i krijuar me blerjen më masive të votave nga pjesa më e varfër e popullit shqiptar do të vijojë me politikën e blerjes për shumë kohë.

Sot, (10.09.2013), në votimin e fshehtë për kryetarin e ri të Kuvendit, tetë vota nga e ashtuquajtura opozitë, i kaluan, jo thjeshtë maxhorancës, por vetë Ilir Metës. Nuk ka shumë rëndësi nëse shitësit qenë PDIU, PR apo deputetë të PD apo vetë Berishës. (PDIU dhe PR mohuan të kenë votuar në favor të Metës).

E rëndësishme është që mes të ashtuquajturës Opozitë, ka mjaftueshëm vota të disponueshme për shitje.

Metës nuk i hynin shumë në punë votat e blera nga opozita, por duket se shpenzoi paratë për blerjen e tyre për t’i dërguar një mesazh të thjeshtë aleatit të vet në qeveri, Partisë Socialiste.

Meta gjendet në një aleancë jo të lehtë me Partinë Socialiste. Kjo e fundit nuk i ka votat për të qeverisur e vetme, por gjatë muajve pas zgjedhjeve të 23 qershorit, është përmendur shumë fakti që një nga partitë e vogla të së djathtës apo disa deputetë të bashkohen me PS për të krijuar një maxhorancë të ngushtë me 71 apo 72 deputetë, por pa Metën. Meta në një skenar të tillë mund të dalë në opozitë të padëshirueshme. Pasi ka shpenzuar shumë para për të fituar deputetët e tij, ai ka nevojë të “punojë” për rikuperimin e investimit.

Meta e ka gjithashtu të mundur të bashkojë votat e veta me opozitën për të krijuar një maxhorancë pa PS, por ka bërë gjithçka për të demonstruar se dëshiron të bashkëqeverisë me PS. Në fund, një garë shitblerjeje deputetësh mund të fitohet nga ai që ofron më shumë dhe natyrisht, partia më e madhe, në rastin konkret PS, ka mundësi të ofrojë më shumë.

Në këto kushte, blerja e votave nga opozita sot nuk qe asgjë tjetër veçse një mesazh për Ramën. Nëse flitet për blerje deputetësh, Meta është më i zoti se sa Rama, pavarësisht se ky i fundit mund të ketë më shumë deputetë. Nëse vjen dita që koalicioni i sotëm qeverisës dobësohet, ka gjasa që deputetët biznesmenë të së djathtës do të shiten te Meta më shpejt se sa do të shiten te Rama.

Një mesazh kaq i thjeshtë duhet të ketë kushtuar goxha. Tetë deputetë nuk besoj se e shesin votën e tyre për, fjala vjen, pesë mijë apo 10 mijë euro.

You may also like...