Fillimi i rënies!

Fragment nga romani “Korniza”.

korniza1Rudi Erebara

Doli dielli në skep të malit dhe u pa njëherësh me turirin e autobusit urban kur feksi. Drita lau rrugët e zbardhura nga ngrica e hollë e nëntorit. Shoferi shoi dritat e gjata. Uliksi u rras në bark të makinës me luzmën e turnit të parë që ngutej. Ai kishte kohë e ftohu mendjen ngjeshur mes njerëzve. Një me turmën e panjohur, me një përgjigje në kokë.
– Mao ka qenë! – i tha Ismaili me zë të ulët kur po ndante punën. – E gjeta në inventar. Korrnizë e zezë ishte apo jo? Ne e kemi nxjerrë. Ka qenë me rastin kur erdhi delegacioni kinez për policinë.
– Nuk e pashë, – i tha Uliksi, – ishte errësirë.
– U qetësove? Rri rehat. Mbaroi kjo punë. Sot kemi mbledhje mos ik.
– Për çfarë?
– Nuk e di. Më tha roja tek dera.
– Roja? Pse roja? – i tha Sulejmani se Uliksi u tut në çast.
– Edhe unë nuk e di.
– Do jetë për punën e bojës, ta them unë, – i tha Sulejmani me maturi dhe priti tjetrin të nxirrte përfundimin, sikur njëherësh po i ngarkonte edhe barrën e përgjegjësisë, sidoqoftë në varësi të përgjigjes.
– Edhe po qe për punën e bojës, çfarë pastaj!? Ne e mbyllëm atë histori. Po ta kishin me ne e kishin nxjerrë atë inatin në rajon të policisë. Rri rrehat! – i tha Ismaili me gjysmë zëri, sa edhe Moli brenda tij nuk e dëgjoi dot.
– Inatin? Çfarë inati kanë për të nxjerrë me ne? – i lëshoi Uliksi pyetjet që iu kruan nëpër veshë gati në panik me një zë të heshtur fare, si lëkura e dorës kur kruan bojën e thatë hidromat.
– Polic, pra! – i ra shkurt Ismaili dhe iku.
– Kush është polic? – iu end nëpër kokë Sulejmanit si zar kuzhinjete brenda një tenxherje alumini pyetja. Sapo haste nëpër faqe tingëllinte shkurt dhe jehona i shumëfishonte peshën. Pas pak i erdhi zëri i jehonës që kumbonte me një pyetje tjetër në kokën e Uliksit. Çfarë inati?
Filloi punën me dëshirën të harronte jehonat, si ai njeriu që bën çmos të harrojë këngën që i është ngulitur në tru sapo është zgjuar në mëngjes, duke i vënë veshin edhe zhurmës më të papërkthyeshme, mjaft të shpëtojë nga tortura e pavullnetshme. Shkoi tek reparti i marangozëve të dëgjonte zhurmën e sharrave, çekanëve, motorrëve elektrikë. Edhe sikur e ndau më dysh si dërrasë përsëgjati në drejtim të fijeve, mendjen. Kaq vështirë e pati sa iu ngjit në hundë pahu i djegur i tallashit të pishës, edhe tha me vete, më mirë. Kështu e mbys me duhan e kujtoj një gjë tjetër. Një mal a një pyll. Shkurre, shqopa. Lesh. Ashtu kot. Detyroi veten disa herë të të shpëlahej me ujë akull të ftohtë në fucinë e banjës që rrinte aty gjithmonë plot të bënte detyrën edhe për zjarrfikësen dhe u pendua sa herë bëri këtë veprim. Sa herë që arrinte të ikë, aq më shkurt i bëhej rruga për t’u kthyer në panik.
Të martohem sa më shpejt me një fshatare pa tokë, iu bë pas çdo gërme parrulle që shkroi, një direktivë. Ata hanë hapur letrat e biografisë. Kanë shenjuar vijën e kuqe të partisë.
Ora e mbledhjes erdhi kur u lajmërua nga vetë sekretari i partisë.
– Mbyllni bojërat që keni në dorë se mos na shkojnë kot. Lani penelat e furçat, kemi mbledhjen për pesëmbëdhjetë minuta, – e tha saktë ai dhe iku. Uliksit iu bë sikur askush nuk e pa Verin që foli e që ishte aty. Iu duk sikur një altoparlant i shtetit foli në eter dhe lëshoi lajmin. Bam ia dha zemra. Nuk guxoi të ngrinte kokën të shihte të tjerët sapo nisi vrulli i mbylljes së kapakëve të bojës dhe u dëgjuan shllaqet e shlluqet e furçave e penelëve në fuçinë me ujë të banjës. Shkoi të lante furçat e veta.
Era e shurrës kishte filluar të tretej në ajrin pasdites së nëntorit. Ai shpresoi të mos shikonte topat e mutit të hamejve, (të vetmit që dhisnin në halen e repartit pa teklif), të notonin mbi rrëketë e kuqe të bojës së holluar. Çudi e madhe, jevgjit e kishin mutin më të lehtë se të bardhët. Ose më pak ngjitës. Gjithmonë e dallonte gati me emër feçen e secilit. Sidomos verës. Kjo ishte arsye direktivë. Si ligjet e partisë, e pashkelur prej vitesh, prej Sulejmanit. Por Uliksi nuk e mendonte kurrë kaq thellë. Me qëllim të caktuar. Proletariati është i thjeshtë, është popull, i gjëmonin në vesh atij citatet e revolucionit bolshevik, të përmbledhura, të thara si shurrë nëpër mure, të dallueshme si gishtat me mut, derisa doli letra higjenike me ardhjen e kinezëve. Por kjo, gjithmonë e më tepër iu bë si njëfarë justifikimi për të mbuluar mungesën e ujit në çesmë me rritjen industriale të qytetit. Më shumë bythë e me pak ujë. Përherë e më shumë. Rritej qyteti dhe shtoheshin parrullat. Por kjo kryesisht dallohej jo me piktorët e parrullave, por me numrin e hamejve të montimit, sepse krahë pune duheshin për pak ditë, por për shumë ore pune. Kështu që, shtoheshin hamejtë e dekorit të qytetit. Shtoheshin përherë e më tepër në vite me komunalen, ushtrinë, vullnetarë nga shkollat e mesme profesionale… Piktorët e parrullat përdoreshin më gjatë. Prandaj për një urdhër të paprekshëm shtoheshin hamejt, të cilët Ismaili i numëronte për spiunë, pa dallim moshe a ngjyre.
Sidoqoftë, Sulejmani i dallonte. Ata me ngjyrë më të zezë, ishin të bardhë. Të mirë. Sa më të çelët ta kishin lëkurën, aq më të bardhë bëheshin, për t’u dukur të kuq.
Ashtu i zunë rradhët në këmbë në sheshin e brendshëm të ish xhamisë, aty ku dikur ishin falur besimtarët për xhumat a për Bajram të Madh.
– Pse këtu? – i tha gati pa zë Sulejmani, Ismailit, sikur i foli vatës së xhupit të tjetrit.
– Pse ku tjetër? – i tha Moli, Uliksit po njëlloj mbi vatë, edhe u bë heshtje.
– Ka vdek Enveri! – i kulloi në kokë si shpresë e kotë Sulejmanit, si një kallaj i nxehtë nga ai që pallon tavat e bakrit edhe ia ndriti si paqyrë fqaet e kafkës; por shpejt Uliksi e ndau gradën e pikëllimit. Ishte i pakët pikëllimi, frika prekej me dorë si teh llamarine e ndryshkur. Nuk e kishte një pikë lot, një ofshamë, një ohh, kështu të thellë sikur i del nga bulçitë atij njeriut që ka dalë nga dasma në të ftohtë. Është rëndë në raki e ushqim, edhe lyra i vjen e para në gërrmaz, gup! E mban veten të respektoje rastin e rëndësishëm, të ruajë rrobat e mira. Mbahet si burrë pas kollares. Mbërthehet mirë deri në kopsen e fundit. Por sapo kalon ato dhjetë a njëzet hapat e para i ftohti e kap. Edhe sikur të jetë në kiç të anijes në dallë i luhatet bota. I bëhet vertikal horizonti, derisa e vjella dhe muri a pema i tregojnë horizontin e rrafshët. Nuk ka vdek Enveri, i tha Sulejmani, pa guxuar as vetë të përfytyronte botën ditën që udhëheqësi i madh i partisë dhe i popullit, ishte i vdekur. Menjëherë iu nxi dynjaja sikur i ra tensioni dhe sytë i bënë paf xixa të verdha sikur të ishin poçat e rrugës ashtu sa pa ngrohur.
– Shokë! – u dëgjua pa asnjë ekuivok tonacioni zëri i sekretarit të partisë. – Jemi mbledhur sepse kemi një sihariq. Një lajm të rëndësishëm. Partia na ka ngarkuar me detyra të rëndësishme. Partia na ka dhënë gjithë besimin e saj. Unë, drejtori dhe… – këtu heshti. Uliksi ngriti kokën ta shikonte pse ndali. Paniku iu përqëndrua në fshikës të urinës. U mendua rrufe nëse kishte shkuar në banjë, por po aq rrufe iu kujtuan ishujt e mutit të ngjyrosur me të kuqen hirdromat të parrullave. Rrëketë e feçeve të tretura. Duhma e urinës që ngrihej me avuj si të ishte verë e nxehtë e bënte edhe më të errët, edhe më të ndyrë vendin ku duhej të shkonte të çlirohej. – Shokë! – dëgjoi përsëri thirrjen e Verit, këtë rradhë nën një ton ushtarak, por si oficer zborri. – Partia na ka ngarkuar me detyra të tjera. Në fronte të tjera të socializmit.
– E paskan hongër, – i tha vatës së zhupit Moli në drejtim të Uliksit. Sulejmani shtrëngoi fort veten ta mbante, por nuk po e mbante dot. Kështu që me stil primobalerini kaloi nëpër trupat e njerëzve duke parë poshtë se mos shkelte njeri në këmbë. I duhej të ikte pa asnjë zhurmë, që askush të mos e kuptonte se ai nuk ishte aty kur po jepej një lajm kaq i madh, ku shprehej besimi që kishte partia në udhëheqjen e ndërmarrjes, vetëm se atij i shpëtoi shurra. Se i shpëtoi ishte një lajm shumë i keq për të. Vetëm armikut të klasës i shpëton shurra kur dëgjon për fitoret e socializmit, si djalli nga temjani, përrmirret në brekë. Aty i dalin të palarat, i gjëmoi në veshë dialekti politik i partisë.
– Ne do të shkojmë në detyra të tjera, po kaq të rëndësishme edhe më tepër se kaq. – njohu ai zërin e drejtorit kur u kthye nga banja dhe nxirrte me tymin e cigares jargën e pështypës së ngjyrosur me nikotinë e amonjak. Nuk pështynte dot. Çdo pështymë numërohej armiqësore. Kështu sapo zuri vend pas vatës së Ismailit u kapërdi dhe i gjithë trupi i shkarkoi rrufe negative. Iu bë sikur sapo kishte zbrazur në rryl të fytit gjithë halen e repartit. Ngriti kokën lart të merrte frymë për qiell. Me ajër pak më të pastër se era e djersës dhe e çorapëve që vinte nga poshtë me ajrin e ftohtë. Zëri sikur i erdhi bashkë me nuhatjen. I freskët. I pastër. Rradha e parë, me servilët e ndërmarrjes, u luhat nga ky lajm i rëndësishëm. Sikur pritën peshën e lajmit me seriozitetin që kërkonte rasti, lëpirë me atë llëmysjen e shpifur të servilëve që i kishin shpëtuar paq reformës. Drejtori dhe sekretari i partisë, i cili dukej që larg përmes veshëve të servilëve se ishte gati t’ia merrte të qarës me oi, kishin marrë detyrën e lartë të zbrisnin në prodhim, në fronte të punës, aty ku kishte më shumë nevojë atdheu. Sulejmanit i erdhi prapë të shkonte për ujët e hollë, veç këtë rradhë nga gëzimi. Dhe fjalimet vazhduan njëherë drejtori, njëherë Veri. Uliksi u zgjat disa herë të shohë kishte apo jo ky librin e kuq në dorë. Kaq kineze iu duk e gjithë shfaqja. Pa nga qielli lart dhe si fjalët e tyre iku drita. Ata u mekën e shterën në fjalor sikur bluja e natës, si blu prusiane i fshiu të gjitha i bëri blu, përherë e më thellë. Dritat e mekëta që dilnin nga dritaret e korridoreve spërkasnin me portokalli siluetat e të gjithëve.
– Urra! – u dëgjua nga rradhët e para dhe zëri erdhi mbrapsht me erën e nëntorit. Urra bënë të gjithë deri tek i fundit, përherë e më dobët. Tamam sikur era e ftohtë u hoqi zjarrmëninë e thirrjes. Dritat e rrugës bënë paf, edhe nisën të zukasin. Drozelat u ngarkuan me rrymë, derisa poçat bënë paf për herë të dytë dhe u ndezën. Drita lau sheshin nga lart sikur të ishte një frymë hyjnore figurative nga ato të rilindjes italiane. Oborri i xhumatit mori atë ngjyrën e ftohtë artificiale. – Urra! – u dëgjua për herë të fundit, pastaj njëzëri sikur të gjithë e bënë me fjalë, erdhi: Gjithmonë gati! Pastaj : Parti Enver! Shumë herë.
Në epshin e thirrjeve parti-enver, Uliksi dalloi tullën e shëndritshme të Avniut të sigurimit që fekste pa shpinës së drejtorit.
– Duke ju uruar punë të mbarë e suksese të mëtejshme, – tha Adriatiku me tonin e dallueshëm të atij njeriut që e dinte se jeta i kishte marrë për poshtë, – e mbyllim këtë mbledhje me sukses siç kemi mbyllur çdo punë me ballin lart e faqen e bardhë. – Grupi i hamejve të montimit brohoriti më fort se të gjithë. Shumë prej tyre zbardhën ato dhëmbë që u kishin ngelur, në dritën si beze kabot të neonëve të rrugës. Sulejmani e dinte mirë. Nuk e kishin për të keq, ata thjesht mezi po prisnin të iknin të pinin raki tek gjelltorja e puntorëve në stacionin e autobusit me sallam derri me vete.
– Jevgjit janë rehat, – i tha Ismaili kur dolën nën një heshtje mortore. Ashkush nuk pa askënd sapo kapërcyen profilin e hekurt në portën e ndërmarrjes. As roja nuk kontrolloi. Ata ecën në atë drejtim që kishin marrë përditë. Neonet e gjelltores së stacioni sikur ua bënin me sy sipas fekuencës së rrymës. Zukama e drozlave mërmërinte si njëfarë bekimi mëmësor bashkë me dritën që shtonte rrugës së asfaltit të thatë nga era e ftohtë.
– Ftohtë, – i tha Sulejmani dhe u mbështoll me duar kur ngriti jakën e palltos.
– Ka kohën, – tha Ismaili. – Je për një gotë?
– Dy, – ia ktheu ai.
Dhe shkuan pas jevgjve e pinë raki thatë. Ekspesi qe fikur. Kuzhina qe mbyllur. Jevgjit nxorrin nga xhepat llukanik korçe e salçiçe. Ata u thanë jo. – Nuk keni për vete, – e mbylli Ismaili gati me urdhër dashamirësinë e hamejve, dhe u dha nga një dopjo. Ata ia kthyen nderin. Të dy e pinë dopjon e dytë të rakisë me cigaret për meze. Dolën pa harruar t’i përshëndesin hamejt me plot respekt, me dorën në zemër.
– Nuk ka njeri më të bardhë zemrën se jevgu, që thua ti. – i tha Ismaili sa dolën në të ftohtë.
– Se halli i nxiu, që thua ti, – i ktheu Sulejmani. – Kush e di se ku shkojnë tani nëpër barraka, me dimrin përpara… – vazhdoi fjalën ai me një psherëtimë plot zemër.
– Do pijnë raki e do shkojnë të qijnë pidh, të ngrohen me gratë, mos ia qaj hallin, – i tha Ismaili dhe u pendua në çast që e lëshoi gojën kaq keq.
– Mirë e ke, Ismail, mirë e ke, – i tha Sulejmani i mpirë nga të gjitha. – Kanë ku ngrohen edhe në barraka. Unë duhet të ndez sobën në orën tetë. Nuk kam as ashkla.
– Mprihe pykën edhe ec, – i tha Ismaili plot kuptim duke i rrahur lehtë me një dorë krahun. – Nxirr ashkla edhe tym. Flakë. Zjarr. – shtoi ai edhe fjalë të tjera të ngrohta, por e kuptoi se akulli që ndezi tek tjetri, nuk shkrihej dot atë natë.

You may also like...