Ministër Shteti

Një nga pesë anëtarët e qeverisë “Meta” 2 që u betuan nën titullin “Ministër Shteti” më 12 shtator 2001, në qeverinë me numrin më të madh të ministrave në historinë e Shqipërisë. Nënkupton një njeri relativisht kot që duhet bërë diçka që të ndjehet në pozicion pushteti, edhe pse nuk ka kurrfarë pushteti.

Pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2001, Meta e ndjeu veten nën presion brenda partisë nga kryetari Fatos Nano dhe për rrjedhojë, u përpoq që të rekrutonte sa më shumë prej figurave të ndritura të partisë, në rradhët e qeverisë së tij si kundërbalancë ndaj Nanos.

Për rrjedhojë, qeveria u bë me 22 anëtarë, ku ministritë u ndanë në disa copa për të krijuar më shumë ministra dhe kur kjo nuk mjaftoi, u krijuan edhe pesë Ministra pa Portofol, me titullin bombastik Ministër Shteti. Vetë Ministrat e Shtetit qenë të ndarë në dy kategori: ata më të ngriturit, qenë ministër shteti për diçka, si psh. ‘ministër shteti për integrimin’ ndërsa të tjerët, qenë thjeshtë “Ministër Shteti”.

Krijimi i një qeverie të tillë ngriti probleme të shumëfishta për shtetin shqiptar. E para, doli problemi që, rritja e numrit të ministrave nga 18 në 22, nuk qe e shoqëruar me alokimin e fondeve të nevojshme në buxhet për rrogat e ministrave shtesë, rojet e tyre, makinat e sekretaret. E dyta, qeveria shqiptare nuk dispononte mjedise të përshtatshme për t’i shpallur si ngrehina ministrish. Rrjedhimisht, një sallë në Pallatin e Kongreseve u shpall me ngut zyrë e hapur për disa ministri njëkohësisht, ku ministrat mund të përshëndesnin njëri-tjetrin pa lëvizur nga tavolina e tyre ministrore.

Nga figurat e ndritura të njohura si “Ministra Shteti”, disa bënë karrierë të suksesshme ndërsa disa të tjerë, nuk dihet të kenë ekzistuar më që nga ajo kohë.

Qeveria Meta 2 u zëvendësua nga qeveria Majko 2, në shkurt 2002, e cila jetoi gjithashtu tre muaj. Fjalorthi Politik Shqiptar

 

Qeveria Meta 2, shtator 2001 – 29 janar 2002.

  1. Ilir Meta Kryeministër
  2. Skënder Gjinushi Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale
  3. Arta Dade Ministre e Punëve të Jashtme
  4. Ilir Gjoni Ministër i Rendit Publik
  5. Pandeli Majko Ministër i Mbrojtjes
  6. Anastas Angjeli Ministër i Financave
  7. Sokol Nako Ministër i Drejtësisë
  8. Arben Imami Ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit
  9. Mustafa Muçi Ministër i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit
  10. Bashkim Fino Ministër i Punëve Publike dhe Turizimit
  11. Maqo Lakrori Ministër i Transportit
  12. Ben Blushi Ministër i Arsimit dhe Shkencës
  13. Gjergj Koja Ministër i Shëndetësisë
  14. Ermelinda Meksi Ministre e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë
  15. Agron Duka Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit
  16. Luan Rama Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
  17. Et’hem Ruka Ministër i Mjedisit
  18. Paskal Milo Ministër Shteti për Integrimin Europian
  19. Dritan Prifti Ministër Shteti për Energjetikën
  20. Ndre Legisi Ministër Shteti
  21. Lufter Xhuveli Ministër Shteti
  22. Niko Kacalidha Ministër Shteti

Burimi: Vendimi i Kuvendit Nr.2, datë 12.9.2001 “PËR MIRATIMIN E PËRBËRJES DHE PROGRAMIT POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE”

You may also like...