Ministria e papunësisë

Problemi i numrit të papunëve në botë është një pikë kardinale që jo pak herë ka krijuar probleme në ekonomitë e zhvilluara. Niveli i papunësisë jo pak herë ka qenë tregues i jo stabilitetit ekonomik të një vendi, kur vjen fjala për Shqipërinë papunësia nuk ka ndonjë ndryshim nga problemet e tjera madje dhe ministria e punës nuk është se ndryshon shumë nga ministritë e tjera. Në këto vite të demokracisë nuk kemi pasur thuajse asnjë program të qartë të ndonjë qeverie për të krijuar një politikë punësimi.M_Id_443946_Labour_Ministry,_Unemployment

Nëse do të pyesim në Ministrinë e Punës (që deri dje ka pas një emër shumë më të vështirë) do të na thonë se kohët e ministrisë ndahen në dy pjesë, koha e lekëve të Suedezëve dhe koha që s’kishte më lekë. Koha e suedezëve ishte periudha ku ministria përfitonte shumë të ardhura, shumë trajnime jashtë vendit dhe dieta e ndonjëherë dilte ndonjë lek për të kryer ndonjë politike punësimi e kjo njihet si koha e artë. I papuni merrte ndonjë lek nga ato që jepte qeveria suedeze për ministrinë; por shumë pak nga këto para janë investuar në një politikë punësimi afatgjatë që të ketë pasur gisht në rritjen e punësimit.

Pas ikjes së parave të suedezëve, erdhi koha e keqe ku nuk kishte shumë para dhe ku shtrydhej buxheti i shtetit. Jo vetëm që nuk vazhduan më ato pak të ashtuquajtura politika punësimi por dështuan me sukses dhe ato që kishin nisur të lulëzonin. Edhe pse numri i të papunëve në vendin tonë nuk ishte fort i lartë kjo nuk vinte nga ndonjë politikë punësimi por vinte si pasojë e një ekonomie që ishte në standarte të mira. Nga ana tjetër punonjësit e kompanive ku punonin nuk kanë gëzuar, të paktën deri më 2005, thuajse as 50% të drejtave të tyre e gjendja e tyre nuk është se u përmisua me kalimin e kohës por të paktën një pjesë e tyre arritën që të gëzonin disa të drejta më shumë se më parë.

Tani që qeveria e 300.000 të punësuarve ka ardhur në pushtet dhe ka hapur faqen e re të punësimit ishim gjithë veshë që të dëgjonim se si ajo do t’i përvishej punës për të punësuar 300.000 të papunë. Strategji, politika e kështu me radhë por nuk kemi asnjë nga këto që përmenda sepse z. Veliaj (i stërvitur ne shkollën e demagogeve orator?) është ulur sot me biznesin duke na thënë qe shteti do te subvencionojë ato kompani që do të punësojnë më shumë. Po ku qëndron problemi në këtë mes?

Kjo nuk është një politikë reale punësimi, sidomos afatgjatë, e aq më tepër një politikë që do punësojë 300.000 qytetarë në katër vjet. Që të ndërtosh një politikë punësimi duhet të mirë integrosh shumë ministri duke filluar nga Ministria e Punës, Ministria e Arsimit e kështu me radhë. Krijimi i qendrave profesionale, që duket se nuk do të ndërtohen më sipas buxhetit të ri, duke kualifikuar punëtorët. Politikat e punësimit nuk kanë si fokus rritjen e punësimit përmes subvencioneve apo faljeve shtetërore, edhe SHBA e cila pati një krizë papunësie tentoi përmes hapjeve të bizneseve të reja që të ulë numrin e të papunëve.

Politika të tilla si ato të z. Veliaj janë politika të vjetra të përdorura edhe nga paraardhësi i tij, e askush nuk më garanton mua si qytetar se ministri i ri do jetë më i ndershëm se sa ministri i vjetër përderisa ai i pari nuk ka arritur ende të krijojë një politikë të qartë të asaj që do të bëjë ministria e re.

Premtimi i punësimit ishte një nga pikat më kryesore në betejën e PS+LSI për me hyp në krye të qeverisë, por me sa duket rruga e mundimshme për të punësuar 300.000 të papunë filloi më 23 maj dhe u mbyll më 23 qershor. Aq zgjati ëndrra e rilindjes së punësimit, historia që vazhdon më tej është ajo e përhershmja, e ministrisë së papunëve.

Xhabyni

You may also like...