Mirësevini në Stanistan, supershteti imagjinar në Azi

141656992cropFRANK JACOBS, Foreign Policy

Në një ceremoni në kryeqytetin e Kazakistanit Astana, më 29 maj, presidentët e Rusisë, Biellorusisë dhe Kazakistanit sollën në jetë Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (BEE). Një BEE e modeluar sipas Bashkimit Europian, qe hedhur si ide më 1994 nga presidenti i Kazakistanit Nursulltan Nazarbajev, por filloi të fuqizohet vetëm pasi homologu i tij rus, Vladimir Putin, kapi rastin për të krijuar një alternativë aziatike ndaj BE-së me pikë reference Moskën. Puna fillestare u bë më 2010 nga një bashkim doganor mes tri vendeve firmëtare.

Armenia synon të bashkohet me BEE-në në korrik dhe Kirkizistani dhe Taxhikistani janë në korsinë e shpejtë drejt anëtarësimit. Gjithsesi, sakaq, të tri vendet themeluese kanë krijuar një zonë të vetme tregtie me 170 milionë njerëz dhe me PBB prej 2.7 trilionë dollarësh. Megjithëse integrimi është pastër ekonomik, nëse Putin ia del, BEE-ja mund të bëhet një projekt politik i fshehtë me kalimin e kohës – si vetë BE-ja.

Por nëse BEE dhe firmëtarët e parë po mbjellin farat për një perandori të re botërore, kjo mbetet për t’u parë. Ëndrra e Putinit për të rikthyer Rusinë në lavdinë e dikurshme mund të rrënohet si pasojë e kontradiktave dhe dobësive të brendshme të BEE-së: vetë anëtarët e saj duken më të interesuara të bëjnë tregti me Europën dhe Kinën se sa me njëri-tjetrin dhe, edhe nëse merren bashkarisht, ekonomitë e tyre janë sa më pak se një e pesta e ekonomive të BE-së apo asaj amerikane.

Nëse Euroazia e re e Putinit dëshiron të bëhet më shumë se sa një demarkim i kufijve të ndrydhur të ndikimit rajonal të Kremlinit, asaj do t’i nevojitet të tërheqë edhe disa shtete të tjera kyçe në krahët e vet lindore dhe perëndimorë si anëtarë të BEE-së: Kina dhe Ukraina për shembull. Ose madje edhe Turqinë, e cila është zyrtarisht duke pritur dritën e gjelbërt nga Brukseli për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Asnjëri prej këtyre tre vendeve nuk ka gjasa të bashkohet me BEE-në (megjithëse së paku Turqia është ftuar zyrtarisht nga Kazakistani). Kështu, tani për tani, BEE-ja përbëhet nga Rusia dhe republikat më miqësore post-sovjetike – fqinjët e saj më të ngushtë.

Bjellorusia gjithmonë pritej të qe partneri më me vullnet në përpjekjet e Rusisë për vetë-zmadhim. Pasi ka vuajtur nën presidentin Aleksandër Lukashenko që nga viti 1994, diktatura e fundit e Europës është e izoluar nga Perëndimi dhe tërësisht nën varësinë e Rusisë për naftë dhe gaz natyror. Deri tani nuk ka ndonjë opsion tjetër gjeopolitik. Dhe si Bjellorusia, edhe Kazakistani është pa dalje në det dhe disi pa kredenciale demokratike – Nazarbajevi ka drejtuar spektaklin që nga viti 1989, edhe para se sa Bashkimi Sovjetik të rrëzohej më 1991.

Por ndryshe nga Bjellorusia, eksportet kryesore të të cilave përfshijnë traktorë dhe mish, Kazakistani është i pasur me burime. Me 30 miliardë fuçi naftë ende nën tokë, ajo ka rezervat e 11 më të mëdha të naftës bruto në botë. Gazi, qymyri dhe uraniumi janë gjithashtu të bollshme.  Objektivi i shpallur i vendit është të përdorë pasurinë e vet minerare për t’u bashkuar me listën e 30 vendeve më të zhvilluara të botës dhe të bëhet një “Singapor në stepa.”

Kazakistani nuk as i varfër dhe as i pasigurtë – gjë që duket se përbën dy arsyet kryesore se pse ish-satelitët e Rusisë dëshirojnë të hyjnë në BEE. Në fakt, pavarësisht se ka firmosur marrëveshjen, Kazakasit duken të shqetësuar nga synimet e Moskës dhe mund të godasin duke krijuar një perandoori më vete – duke parë në juf për frymësim në vend të perëndimit për siguri. Por kjo gjë duket se shkon në kundërshti me instiktet e udhëheqësisë aktuale të vendit.

Në shkurt 2013, Nazarbajev propozoi ndryshimin e emrit të vendit të tij në Kazak Eli, për t’u dalluar nga “stanët” që gjenden në kufijtë jugorë të vendit. Ndryshimi (i cili nuk është kryer dhe mund të mos miratohet kurrë) ilustron mendimin popullor mes pasunarëve të rinj, qofshin ato individë apo vende: dalloje veten nga kushërinjtë e tu të varfër, të prapambetur dhe të dhunshëm.

Por çfarë ndodh nëse Kazakistani bën pikërisht të kundërtën?

Po sikur, në vend që të bëhen një peshk i vogël në pellgun e madh rus, ajo guxon të ëndërrojë të bëhet një peshk i madh në një pellg të krijuar nga ajo vetë? Një pellg që duhet të përfshijë të gjithë stanët, për shembull – jo vetëm ato post-sovjetike, por edhe ato më poshtë në jug.  Një hap i tillë nuk do të krijojë një pellg të vockël por një bllok pushteti me jo më pak se shtatë vende: Kazakistani, Uzbekistani, Turkmenistani, Kirkizistani, Taxhikistani, Afganistani dhe Pakistani. Sipërfaqja totale do të jetë rreth 2.1 milionë milje katrore, gati gjysma e përmasave të Shteteve të Bashkuara. Kjo do të krijojë shtetin e shtatë më të madh të botës: më të vogël se Australia (3 milionë milje katrore) por më të madh se India (1.3 milionë milje).  Sëbashku këto vende do të përbëjnë një pjesë të madhe dhe thelbësore në Azinë Qëndrore duke ofruar një zemër për “ishullin botëror” – që është i ndërlidhur me kontinentet e vjetra të botës, Azinë, Afrikën dhe Europën.

Supershteti i frymëzuar nga Kazakistani mund të zërë një vend strategjik në hartën botërore, duke lidhur Europën (po, Kazakistani është aq i madh sa pjesërisht gjendet në Europë) me nënkontinentin indian. Ajo mund të krijojë një urë në hendekun gjeostrategjik mes Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Largët. Dikush mund të argumentojë se Afganistani sakaq e bën këtë, falë Koridorint Uakhan, duke prekur lehtë Kinën, por terreni dhe siguria atje nuk janë ideale. Fuqia kryesore e vendit të ri mund të jetë dalja në det, përmes Detit Arabik, gjë që do të ofrojë mundësi për potencialin gjerësisht të pashfrytëzuar të Azisë veriore. Naftësjellësa, hekurudha dhe lidhje të tjera joekzistuese drejt Karaçit dhe porteve të tjera të Pakistanit mund të jenë rruga më e shkurtër drejt tregut për naftën, qymyrin dhe gazin e nëntokës së Kazakistanit.

Supershteti mund të ketë një PBB vjetore të kombinuar prej 600 miliardë dollarësh, gjë që do ta vendosë atë diku mes PBB-së së Zvicrës dhe asaj të Suedisë – ndërsa në PBB për frymë, ai do të jetë në gjysmën e poshtme të tabelës, ku Kazakët kanë 12 mijë dollarë në vit (pak më poshtë se hungarezët), ndërsa Afganët mbijetojnë me një të shtatën e kësaj (700 USD, pak më shumë se ruandezët). Përveç avantazheve të veta ekonomike, ky supershtet imagjinar do të jetë etnikisht dhe nga pikëpamja gjuhësore i larmishëm, me ndikime sllave, turkiç dhe perse. Por ai mund të ketë edhe disa gjurmë të rëndësishme unifikuese. Do të jetë një vend në shumicë muslimane dhe do të ndajë shumë ngjashmëri historike dhe kulturore, nga kujtimet e Rrugës së Mëndafshit te trashëgimia e Xhenxhis Khanit te festimi i Novruzit – vitit të ri iranian. Ato jo të gjitha janë “stanë” – gjë që do të thotë “tokë” apo “vend” në Persisht – aksidentalisht.

Me një popullsi të përbashkët prej rreth 280 milionë vetë, ai do të jetë vendi i katërt në botë nga popullsia pas Kinës, Indisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe me një forcë të kombinuar prej rreth 1 milionë njerëzish si personel ushtarak, ajo do të ketë ushtrinë e pestë më të madhe në botë, pas Kinës, Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Koresë së Veriut, por para Rusisë. Qyteti më i madh i superfuqisë së re do të jetë Karaçi, metropoli bregdetar i Pakistanit me 9 milionë banorë, megjithëse për arsye strategjike do të zgjidhet një kryeqytet më në qendër. Një mundësi mund të jetë kryeqyteti i Taxhikistanit Dushambe (popullata 750 mijë).

Por gjetja e një vendi për kryeqytet do të jetë problemi më i vogël për problemet e shtetit të ri. Lufta – do të jetë problemi më urgjent. Ndërsa Perëndimi tërhiqet nga Afganistani, qeveria në Kabul përballet gjithnjë e më shumë me talebanët e vetme, gjë që do të thotë se dhuna do të përkeqësohet. Përtej Linjës Durand, qeveria e Pakistanit po përballet me kryengritjen e vet talebanë, plus separatizmin në Balukistan dhe Luftën e Ftohtë me rivalin nënkontinental të vetin, Indinë. Përplasjet etnike dhe fondamentalizmi fetar sigurojnë materjal zjarrshpërndarës edhe në stanët ish-sovjetikëë, veçanërisht në Luginën Fergana, e ndarë mes Taxhikistanit, Uzbekistanit dhe Kirkizistanit. Pastaj është varfëria e gjithëpërhapur. Me përjashtim të Kazakistanit, të gjithë stanët e tjerë kanë PBB për frymë prej më pak se 10 mijë dollarë.

Lista e indikatorëve negativë është e gjatë aq sa të fut në depresion. Korrupsioni: i lartë. Të gjithë stanët janë në majë të listës së Transparency International për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (Afganistani është eklipsuar vetëm nga Koreja e Veriut dhe Somalia). Alfabetizmi: i ulët. Në mënyrë tronditëse, të 186 milionë banorët e Pakistanit dinë lexim e shkrim vetëm në masën 55 për qind. Në Afganistan, kjo shifër është vetëm 28 për qind dhe sërish pranë nivelit më të keq në botë. (Për hatër të drejtësisë, stanët post-sovjetikë janë shumë më mirë, me alfabetizëm pothuajse të plotë.)  Demokracia: e dyshimtë në rastin më të mirë. Afganistani, pavarësisht të gjitha problemeve, po vijon me procesin e zgjedhjeve presidenciale edhe përballë luftës. Por qeverisja në stepa mund të jetë një lojë fëmijësh qesharake në rastet më të këqija – a e mbani mend kultin acarues të personalitetit përreth Saparmurat Nijazov, Turkmenbashi (Babai i Turkmenëve), i cili i ndryshoi emrin muajit prill pas nënës së tij?

Por si mund ta ketë emrin ky shtet i ri? Natyrisht, diçka e parashikueshme dhe e mërzitshme si Federata e Azisë Qëndrore mund të propozohet. Por me pak fantazi, kjo bishë e çuditshme mund të ketë një epitet që i përmbledh të gjitha prapashtesat që kanë të përbashkët “StaniStan”, apo”Vendi i Vendeve”, është emri më i përshtatshëm.

You may also like...