Morali i të pamoralshmëve

Xhabyni

Reagimi që po ndjek nga pas skandalin e dytë në vendin tonë, pra të sekretarit të deputetit Kokdhima, është i dyanshëm. Lloji i parë i reagimit është ai moral që vjen si nga qytetarët e thjeshtë me një formë neverie dhe linçimi publik e që hera herës mbytet me një fjali “se mos është i vetmi”. Lloji i dytë i reagimit sheh përtej kësaj pedofilie të shëmtuar, ajo qaset në trajtimin e aspektit të punësimit që vjen falë një sekretari të deputetit, i cili degradon më pas në kërkim favoresh fizike (në këtë rast).

Për shumë arsye qëndrimi i dytë është më gjithëpërfshirës, më kuptimplotë dhe e bën mazhorancën aktuale më fajtore se sa qëndrimi i parë. Mirëpo kasta politike, ka vendosur të reagojë (le të themi në bllok), në formatin e llojit të parë. Berisha, që për javë të tëra hante thonjtë me dhëmbë sepse edhe të adhuruesit e tij më të flaktë nuk e përfillën në palo deklaratën për Fullanin, evokoi një revolucion kundër këtyre qelbësirave. Duke harruar se përpara një viti Xhelal Mziut i dolën publikisht mesazhet kërcënuese dhe dhunuese që ky i fundit i drejtonte emrave nën thundrën e pushtetit të tij, për këto ai heshti me një lloj heshtje që flet.

Nuk vonuan dhe elementë të tjerë të politikës opozitare që ishin futur në një gjumë letargjik mbi vjedhjen në Bankën e Shqipërisë, që dita ditës po rezulton gjithnjë e më shumë skandaloze, na dolën në pah si kalorësit e lirisë dhe të vërtetës. E s’kishte si të mungonin me sulmet e tyre bajate dhe bezdisëse (që me shumë mundësi do jenë garnitura e seancave të reja parlamentare nëse opozita do vendosë të marrë pjesë) që nuk sulmonin thelbin e problemit (pra si ka mundësi që kemi një zyrë punësimi të një deputeti kur Rama ësht përbetuar për të kundërtën?) por merreshin me një farë lloj morali të cilin as vetë akuzuesit nuk e kanë.

Bamir Topi, del në skenë dhe na flet për moral kur ai është përfolur se emërimet e tij të gjygjtarëve kanë qenë në këmbim të parave dhe shumave marramendëse. Ai i cili është një ndër fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë të degradimit të gjygjësorit, i cili nuk flet asnjë fjalë për vjedhjen e thesarit të shtetit në formën më të shëmtuar (i fshehu lekët brenda mbathjeve) tani del dhe flet për moral.

Nga ana tjetër Kryeministri i vendit përmes një postimi të shëmtuar nuk merret me problematikën e çështjes, nuk merret me tmerrin që duhet të ketë përjetuar një vejushë me katër fëmijë që shkon pranë zyrës së deputetit për punë. Nuk merret me një zyrë pune që është antiligjore, por merret me Bashën dhe Berishën, duke vazhduar sërishmi kunjat dhe sulmet e një bote që natyrisht është e tyrja (pra elitës së rreme) por jo ajo e shoqërisë sonë.

Kështu, të pamoralshmit, hajdutët, uzurpuesit e një pushteti që nuk i takon, mafiozët që heshtin kur çunat e Tironës vriten në mes bulevardi, ato që vrasin vetë në mes bulevardi, ato të cilët emërojnë gjygjtarët në shkëmbime favoresh vijnë të na japin leksione morali dhe qytetarie. Sikur nuk janë po këto që kanë patur pushtetin në dorë këto 24 vjet për të rregulluar qoftë edhe sadopak këtë vend.

Këto moralistë nuk u ndjenë fjala vjen kur një 26 vjeçar u rrah për vdekje nga punëdhënësi i tij edhe kjo heshtje erdhi jo sepse moralistët kanë lidhje me punëdhënësin (siç kanë me Fullanin) por sepse punëdhënësi nuk ishte as i opozitës edhe as i mazhorancës. Kështu që edhe viktima ishte pa mbrojtës, ishte thjesht një statistikë. Një opozitë e vërtetë do të dilte e të buçiste për kushtet mizerabël që trajtohen njerëzit në punë, një mazhorancë e vërtetë do të ngrihej edhe të kryente inspektime për kushtet e punës. Por ja që moralistët heshtën, nuk folën asnjë fjalë, ndërkohë që tani që krimi është i lidhur me një krah të pushtetit politik ato ngrenë zërin e tyre. Kush të sulmojë sa më fortë e kush të mbrohet sa më mirë, duke harruar thelbin e çështjes dhe duke uzurpuar skenën me akrobacitë më ndjellëse.

Duke i krijuar mundësinë kështu edhe të akuzuarit që të gjejë një alibi domethënëse “Sulmin politik që ka sjellë montazhin”. Në këtë mënyrë, Cane jo vetëm që ka shanse të shpëtojë por e shkreta grua e pambrojtur nga askush do të sulmohet pa fund nga njerëzit e tij, në një shoqëri të ashpër patriarkale.

Ne si shoqëri humbëm mundësinë për t’i tërhequr veshin qeverisë së makijazhit publik për paudhësinë e saj jo vetëm në trajtimin e çështjeve por edhe për t’ia përplasur fytyrës ministrave ironikë dhe cinik që flasin për zyra pune që punësojnë njerëz.

E çfarë përfituan moralistët tonë? Çfarë përfituan politikanët që mbushin gazetat me reagime boshe moraliste? Ato përfituan protagonizmin, ndërkohë që ne si shoqëri humbasim mundësinë për të dërguar para drejtësisë jo vetëm një individ të shëmtuar si Cane por edhe një sistem që të ofron punësim përmes zyrës së deputetit dhe si shpagim ke seksin ose lekun.
Ky është morali i moralistëve të pamoralshëm, ky është çmimi që ne paguajmë.

You may also like...