Mos rreni veten me bamirësi

Bamirësia na u shfaq me forcë të jashtëzakonshme para vitit të ri, kur disa familje të varfra u identifikuan dhe u ndihmuan. Të gjithë ata që nxorrën nga xhepi lekët e veta, rrobat e vjetra apo lodra fëmijësh të papërdorura, e dinin se kjo ndihmë nuk zgjidh problemin e varfërisë, por e bënë për të vënë shpirtin e vet në paqe. Bënë pjesën e tyre për të lehtësuar vuajtjet e të varfërve.

969073_10151413524156750_1956108570_nNuk ka asgjë të keqe të japësh para për bamirësi dhe bamirësia mund të konsiderohet e sinqertë dhe e pastër për sa kohë nuk i ke bërë foto vetes për ta nxjerrë në Facebook duke dhënë ndihma. Por ka një të keqe të madhe çdo lloj bamirësie. Bamirësit pranojnë realitetin ashtu siç është, që të varfrit do të mbeten gjithmonë të varfër si ligjësi e natyrës.

Por bota ka patur një përqasje tjetër ndaj këtij problemi. Shtetin social! Shtetin që mbledh taksa dhe ndihmon të varfrit në mënyrë të rregullt, pra çdo muaj, me para të thata apo triska buke, apo ushqim social. Dhe kjo është ajo çfarë duhet të bëhet. Nëse ndokush ka energji për të luftuar për të varfrit, le t’i përqendrojë këto energji për të detyruar apo ndryshuar shtetin që kemi për ta bërë Shqipërinë një vend ku nuk ka fëmijë të kequshqyer dhe nuk ka të rritur që ngordhin për bukë. Dhe nëse shteti nuk detyrohet apo ndryshon, le ta rrëzojmë.

pbbShqipëria i ka burimet ekonomike të nevojshme për t’i dhënë bukë çdo nënshtetasi, që të mos ketë lypsa në rrugë e pleq që vdesin rrugëve pa pension. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë prej 8,200 dollarë ndërkombëtarë sipas fuqisë blerëse[i], është i barabartë me atë të Bosnjës. Por në Shqipëri 15 për qind e shqiptarëve jetojnë me më paj se 2.5 dollarë në ditë ndërsa në Bosnjë, këtë fat e kanë “vetëm” 3 për qind e popullsisë. Por edhe sa i përket varfërisë relative, pra familjeve që jetojnë me konsum ditor nga 2.5 në 5 dollarë në ditë, situata është e njëjtë. Mbi 60 për qind e shqiptarëve jetojnë me kaq pak para, ndërkohë që në Bosnjë, vetëm 11 për qind e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë.

Po si mund ta shpjegojmë që dy vende me të njëjtat nivel ekonomik kanë norma varfërie relative e absolute kaq të ndryshme? Është e qartë se buxheti i shtetit nuk kryen rolin e rishpërndarjes së të ardhurave kombëtare, dmth që ne kemi shumë pak super të pasur dhe shumë të varfër. Të ardhurat e qeverisë së Bosnjës qenë 44 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2013. Të ardhurat e Shqipërisë qenë 23 për qind e PBB-së. Është e qartë pra se Bosnja mbledh më shumë taksa e shpërndan më shumë ndihmë ekonomike duke mos lejuar që 60 për qind e popullsisë të jetojë me më pak se 5 dollarë në ditë apo që 15 për qind të jetojë me më pak se 2.5 dollarë në ditë. Por mos ndoshta Bosnja ka taksa më të larta se sa Shqipëria? Në fakt jo, as kjo nuk është e vërtetë. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Bosnjë është 17 për qind, pra shumë më i ulët se sa në Shqipëri. Tatimi mbi të ardhurat personale është 10 për qind dhe tatimi i fitimit mbi korporatat është gjithashtu 10 për qind. Me një normë taksimi më të ulët, Bosnja mbledh dy herë më shumë taksa se sa Shqipëria me të njëjtin nivel ekonomik.

Problemi na qëndron thjeshtë te fakti se në Bosnjë mblidhen taksat ndërsa në Shqipëri, nuk mblidhen. Nëse ndokush dëshiron ta luftojë varfërinë, le ta dijë se kjo varfëri ekziston si pasojë e sistemit politik dhe jo si pasojë e pamjaftueshmërisë së burimeve ekonomike. Me taksat dhe tatimet që ka aktualisht në fuqi Shqipëria, qeveria duhet të mbledhë së paku 1 miliardë dollarë më shumë se sa mbledh aktualisht çdo vit. Këto janë para të mjaftueshme për të mos parë asnjë fëmijë të kequshqyer dhe asnjë lypës në rrugë. Dhe po të mblidhen taksat, të pasurit nuk do të varfërohen.



[i] Dollarët ndërkombëtarë sipas fuqisë blerëse janë një monedhë llogari e Fondit Monetar Ndërkombëtar që merr parasysh fuqinë blerëse dhe jo vlerën e dollarit amerikan sipas kursit të këmbimit. Në rastin e Shqipërisë, 1 dollar amerikan është i barabartë me 2.8 dollarë ndërkombëtarë sipas fuqisë blerëse.

You may also like...