Mungesa e raporteve sociale

Në diskutimin e tij profesori Bartolini, autor i librit “Manifest për Lumturinë”, vuri në dukje se shoqëria perëndimore e konsumit që pas periudhës së revolucionit industrial ka filluar të ndërtojë individë gjithnjë e më të shkëputur nga areali social. Nuk mund të përjashtohet që ndihmë të madhe në këtë fushe, pra ndërtimin e një qenie asociale, ka mundësuar dhe hyrja e formave të komunikimit përmes internetit apo aplikacioneve të tjera.

Studimet e fundit në botë flasin për një problem të madh mes të rinjve dhe individëve në raportet e tyre sociale. Sociologët flasin për një distancim të njerëzve nga marrëdhëniet shoqërore duke shmangur kontaktet  dhe takimet përballë apo në grup për t’i zëvendësuar ato me takimet online apo grupet online. Një veprim i tillë i tehuajzon njerëzit nga njëri tjetri duke shkatërruar raportet dhe relacionet që njerëzit kanë me njëri tjetrin, relacione që nuk mund të forcohen dot përmes kontaktit online (siç edhe psikologë të njohur e pohojnë) duke qenë se prania fizike e tjetrit në bisedë është përherë e dobishme.

Siç e dimë, kultura e vendit tonë është e lidhur ngushtë (si e çdo vendi tjetër) me relacionet e individin me grupin dhe shoqërinë. Në një shoqëri tradicionale do të ishte e pamendueshme që një person të izolohej tërësisht nga shoqëria apo të komunikonte le të themi përmes letrave me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Nëse dikush e bënte këtë kishte dy arsye, e para sepse ai qe i braktisur (në burg mbase?) edhe e dyta sepse ai qe asket dhe kish dalë për të kërkuar lumturinë larg të mirave materiale. Mirëpo në rastin tonë, nuk kemi të bëjmë me asketizmin pasi shumica e personave që sot janë të distancuar nga ekzistenca e raportit social e mbushin kriterin e takimit përmes formave të ndryshme të komunikimit. Thënë më shkoqur izolimi shoqëror që po trajtoj nuk ka lidhje me asketizmin por me një farë lloj burgimi që teknologjia dhe mungesa e relacioneve ka krijuar.

Por çfarë ka sjellë tëhuajzimin e individit nga jeta sociale dhe zhvendosjen e kësaj jete në mjetet alternative të komunikimit? Një përgjigje të kësaj pyetje, që edhe autori Bartolini e jep në librin e tij, është faktori i kulturës konsumeriste që kemi adoptuar si vend dhe motivimeve që ne kemi për të jetuar dhe krijuar jetë sociale. “Dallimi midis motivimeve të jashtme dhe të brendshme i referohet përkatësisht instrumentalizimit ose jo të motivimit për veprim. Epiteti e “jashtme” u referohet motivimeve të jashtme të një veprimi apo aktiviteti, siç është, për shembull, paraja dhe epiteti “e brendshme” u referohet motivimeve të brendshme, siç janë miqësia, solidariteti apo ndjenja e qytetarisë. Me një fjalë, individët që i përkrahin vlerat konsumiste, i japin prioritet objektivave të tillë si paraja, sendet e konsumit dhe suksesit, ndërsa i kushtojnë më pak rëndësi relacioneve në përgjithësi, marrëdhënieve efektive dhe sjelljeve prosociale” (Manifest i Lumturisë fq. 42)

I gjithë ky dallim që autori bën për shoqëritë moderne e post-moderne evropiane dhe amerikane natyrisht që duhet të specifikohet në disa hulli të tjera për vendin tonë. Kjo nga fakti se shoqëria jonë ka kaluar një komunizëm stalinian të veçantë në llojin e tij dhe se ky komunizëm ka arritur të çrrënjosë deri dhe institucionin e fundmë që mund të krijonte një komunitet autonom në mos të pavarur nga shteti. E gjitha kjo është përkthyer në një shoqëri e cila në dukje ishte shumë komunitare por që në realitet nuk ishte, vitet e demokracisë e tregojnë më së miri këtë fakt. Zhdukja e sistemeve tradicionale të ndërtimit të komuniteteve ndikoi kaq shumë në përbërjen shoqërore sa që shumë shpesh, për të mos thënë gjithnjë, martesat dhe miqësitë u bënë në bazë biografie. Pra faktori i jashtëm mbizotëroi ndaj atij të brendshmit duke e kthyer njeriun në një qenie shtetërore në komunizëm.

Rënia e tij tregoi më së miri fytyrën e vërtetë të komunitetit të lumtur, që nuk qe gjë tjetër vetëm se një maskë e çjerrë e një shoqërie të ndërtuar dhe sunduar prej dhunës. Ndaj dhe individualizmi dhe shpërfytyrimi i shoqërores në post komunizëm është kaq e theksuar, kjo nga fakti se ende shoqëria vuan pasojat e kobshme të asaj që kaloi. Pra, shkatërrimit të komuniteteve tradicionale dhe frustrimit ideologjik. Edhe pse sot ne zotërojmë një llogari në faqe apo aplikacione të ndryshme sërishmi ne ndjejmë mungesën dhe boshllëkun e jetës sociale. Kjo është diçka e krijuar që në kohën e komunizmit në vendin tonë, ku të ishe dikush duhet të ishe “Kunati i shokut Xhemal”  ndërkohë që sot duhet të kesh paranë, makinën e bukur apo pushtetin për të qenë dikush.

Rindërtimi i një jete prosociale, pra i faktorëve të brendshëm, do të ishte një shenjë jo vetëm e zhvillimit shoqëror në të mirë të publikes dhe të përbashkëtës por edhe një hop cilësor si shoqëri. E cila, për hir të së vërtetës është e mbushur me kaos dhe rrëmujë gjatë këtyre viteve duke prodhuar më së shumti kiçe dhe mite. Prosocializimi i individëve brenda shoqërisë sonë, mbase do të jetë dhe fillimi i një katarsis dhe ndërgjegjësimit të asaj çfarë jemi dhe ku duhet të shkojmë, e gjitha kjo mund të duket teleologjike por ama mendoj se është udha e secilit prej nesh drejt një bashkësie më të mirë.

 

You may also like...