Mungesa e sigurisë ekonomike dhe ngritja e nacionalizmit

Rimëkëmbja e dobët ekonomike ka siguruar hapësirë për partitë populiste dhe proteksioniste, të cilat akuzojnë tregtinë e jashtme dhe punëtorët e huaj për krizën e gjatë ekonomike

Nouriel Roubini, Project Syndicate

Kur kriza financiare botërore goditi më 2008-n, suksesi i politikëbërësve në shmangien e transformimit të Recesionit të Madh në një Depresion të Madh II, arriti të mbajë nën kontroll kërkesat për masa proteksioniste dhe mbyllëse në vetvete. Por tashmë orteku kundër globalizimit dhe lëvizjes më të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit, punës dhe teknologjisë ka mbërritur.

Ky nacionalizëm i ri ka marrë forma të ndryshme ekonomike: barriera tregtare, mbrojtje të aseteve, reaksion kundër investimeve të huaja të drejtpërdrejta, politika që favorizojnë punonjësit dhe kompanitë vendase, masa kundër emigrantëve, kapitalizmin shtetëror dhe nacionalizmin e burimeve. Në botën politike, partitë populiste, antiglobaliste, antiemigrante dhe në disa raste, drejtpërsëdrejti raciste dhe antisemite, janë në rritje.

Këto forca e urrejnë supën e institucioneve të qeverisjes mbinacionale – BE-në, OKB-në, OBT-në dhe FMN-në mes të tjerash – të cilat i kërkon si të domosdoshme globalizimi. Edhe interneti, simboli i globalizimit, përgjatë dy dekadave të fundit, është përballë rrezikut të ballkanizimit, pasi gjithnjë e më shumë vende autoritariste – përfshirë Kinën, Iranin, Turqinë dhe Rusinë – kërkojnë të kufizojnë aksesin te media shoqërore dhe të shtypin lirinë e shprehjes.

Shkaqet kryesore të këtyre tendencave janë të qarta. Rimëkëmbja anemike ekonomike ka siguruar hapësirë për partitë populiste, ka promovuar politika proteksioniste, si dhe ka shkaktuar akuza për tregtinë e jashtme dhe punëtorët e huaj për sëmundjen e gjatë. Shtoi kësaj edhe rritjen e pabarazisë në të ardhurat dhe mirëqenie në shumicën e vendeve dhe nuk ka pse të habitemi se pse perceptimi i një ekonomie, ku fituesi i merr të gjitha dhe nga e cila përfitojnë vetëm elitat, të cilat deformojnë sistemin politik, është bërë një perceptim kaq i gjithëpërhapur.

Në ditët tona, si në ekonomitë e zhvilluara (si Shtetet e Bashkuara ku financimet pa kufizim të zyrtarëve të zgjedhur nga interesa biznesi financiarisht të fuqishme është thjesht korrupsion i legalizuar) ashtu edhe në vendet në zhvillim (ku oligarkët shpesh dominojnë ekonominë dhe sistemin politik), duket se drejtohen vetëm për llogari të disave.

Nga ana tjetër, për shumë njerëz ka pasur vetëm një stanjacion të gjatë, me punësim drejt depresionit dhe paga që nuk rriten. Pasiguria ekonomike që ka ardhur si pasojë e kësaj, për klasën e mesme që punon është më akute në Europë dhe në eurozonë, ku në shumë vende partitë populiste – më së shumti në ekstremin e djathtë – patën ecurinë më të mirë sesa forcat e politikës së mesit të spektrit në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Siç ndodhi në vitet 1930, kur Depresioni i Madh u hapi rrugë qeverive autoritare në Itali, Gjermani dhe Spanjë – një tendencë e ngjashme mund të jetë shfaqur aktualisht.

Nëse të ardhurat dhe numri i vendeve të punës nuk rriten tani shpejt, partitë populiste mund të vijnë më pranë pushtetit në nivel kombëtar në Europë, dhe ndjenjat anti-BE mund të ndalojnë procesin e integrimit ekonomik dhe politik në Europë. Më e keqja, eurozona mund të jetë sërish në rrezik: disa vende (Britania e Madhe) mund të dalin nga BE-ja; të tjerat (Britania e Madhe, Spanja dhe Belgjika), mund të shpërbëhen si shtete.

Edhe në SHBA, pasiguria ekonomike e klasës së ulët të stërmadhe të bardhë, që ndihet e kërcënuar nga emigrimi dhe tregtia botërore, mund të shihet te ndikimi në rritje i ekstremit të djathtë dhe Partisë së Çajit, fraksion i Partisë Republikane.

Këto grupime karakterizohen nga nativizmi ekonomik, mësimet antiemigrim dhe proteksioniste, fanatizmit fetar dhe izolacionizmit gjeopolitik.

Një variant i kësaj dinamike mund të shihet në Rusi dhe në shumë pjesë të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku rënia e Murit të Berlinit nuk solli demokraci, liberalizim ekonomik dhe rritje të shpejtë të prodhimit. Në vend të këtyre, regjime nacionaliste dhe autoritare kanë qenë në pushtet për pjesën më të madhe të çerekshekullit të fundit, duke ndjekur modele të shtetit kapitalist, të cilat sigurojnë vetëm një performancë ekonomike mediokre. Në këtë kontekst, destabilizimi i Ukrainës nga Presidenti Vladimir Putin nuk mund të shikohet veçmas nga ëndrra e tij për udhëheqjen e një “Bashkimi Euroaziatik” – një përpjekje shumë pak e fshehur për të rikrijuar ish-Bashkimin Sovjetik.

Në Azi, gjithashtu, nacionalizmi është në rigjallërim. Udhëheqës të rinj në Kinë, Japoni, Korenë e Jugut dhe së fundmi, edhe në Indi, janë nacionalistë politikë në rajone ku mosmarrëveshjet kufitare mbeten një fushë dhe grindjet e vjetra historike mund të qelbëzohen. Këta udhëheqës – si dhe ata në Tailandë, Malajzi dhe Indonezi, të cilët po lëvizin në drejtime të ngjashme nacionaliste – duhet të merren me sfida madhore, të cilat kërkojnë reforma strukturore nëse duan të rigjallërojnë rritjen ekonomike të ngadalësuar, si dhe, në rastet e tregjeve në zhvillim, të shmangin një kurth në nivelin e të ardhurave të mesme. Dështimi ekonomik mund të ndezë nacionalizëm të mëtejshëm, tendenca ksenofobike dhe madje mund të shkaktojë edhe konflikt ushtarak.

Lindja e Mesme mbetet një rajon i kapur në kurthin e prapambetjes. Pranvera Arabe – e shkaktuar nga rritja e ngadaltë, papunësia e lartë mes të rinjve dhe dëshpërimi ekonomik i gjithëpërhapur – i ka lënë vendin një dimri të gjatë në Egjipt dhe Libi, ku alternativat janë rikthimi te sundimi i autoritarëve ose kaosi politik. Në Siri dhe Jemen ka luftë civile; Libanin dhe Irakun mund ta presë një fat i ngjashëm; Irani është njëkohësisht i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm për të tjerët; Afganistani dhe Pakistani duken gjithnjë e më shumë si shtete të dështuara.

 

Në të gjitha këto raste, dështimi ekonomik dhe mungesa e mundësive dhe shpresës për të varfrit dhe të rinjtë po ushqejnë ekstremizmin politik dhe fetar, inat ndaj zemërimit dhe, në disa raste, drejtpërsëdrejti terrorizëm.

Në vitet 1930, dështimi për të parandaluar Depresionin e Madh fuqizoi regjimet autoritare në Europë dhe Azi, duke sjellë në fund Luftën e Dytë Botërore. Këtë herë, dëmi i shkaktuar nga Recesioni i Madh po i vë ekonomitë më të përparuara në një stanjacion shekullor dhe po krijon sfida të stërmëdha strukturore për rritjen ekonomike të tregjeve në zhvillim.

Ky është terren ideal për nacionalizëm ekonomik dhe politik që mund të zërë rrënjë dhe të lulëzojë. Përplasjet e sotme kundër tregtisë dhe globalizimit duhet të shihen në kontekst të asaj që, siç ne e dimë nga eksperienca, mund të vijë më pas.

You may also like...