Muzeu I Punës

Reportazhi i një të papuni të stazhionuar

Kur po kryeja adetin e darkës, përpara disa ditësh, duke bërë xhiron rreth qytetit më zunë sytë se poshtë muzealit të Muzeut Historik ishte një pankartë e madhe që reklamonte edicionin e n-të të Panairit të Punës “Work and Study”.

Pak e habitshme që në një ambient si ai i Muzeut Kombëtar të zhvillohej një eveniment i tillë, jo për gjë por një institucion si muzeu shërben për të paraqitur diçka tjetër. Pra, në muze ne presim të shohim atë që i ka përkitur të shkuarës, asaj që me pak fjalë është histori. Po çfarë kishte rezervuar vallë ministri jonë i risive me këtë prurje të re?

Si një vizitor i rregullt i panaireve të punës, por edhe i shtyrë nga risia që prisja të shihja, vendosa të shkoj për të parë se çfarë na kish sjellë të re. Që në hyrje të panairit e kuptova arsyen se përse ai po zhvillohej tek Muzeu Kombëtar, ishte një mënyrë për të thënë që punësimi tanimë i përket historisë. Të njëjtat fytyra që sheh për çdo vit, të njëjtët aktorë që qarkullojnë dhe me mirësjellje të ofrojnë shërbimet e tyre.

Shërbimet rrotullohen nga ofrime konsulence se si të bësh një CV, që unë kam rreth dy vite e pak që e mësoj në po të njëjtin panair, e pastaj vazhdon me plotësime formularësh për punësime të pafundme në kompanitë më të suksesshme të punësimit ato të “Call Center”. Aq të shumtë ishin në numër kësaj radhe sa që kishin filluar një betejë se cila zë hapësirën më të madhe, fjala vjen shihje një nga këto kompanitë që kishte rreth 30 m2 hapësirë ku ishte një tavolinë 2 me 2 metra dhe në atë tavolinë ndodheshin 4 djem e 4 vajza me fletushka në dorë.

Nga krahu tjetër, risitë e këtyre sipërmarrjeve nuk kishin të sosur, ndërsa po bëja xhiron një vajzë më përshëndeti dhe filloi të më flasë për një kompani “Call Center” që ishte e ndryshme nga ato të zakonshmet (vini re marketingun në këtë mes). Kjo kompani, merrej me këshillimin ligjor të mjekëve në Itali. Po unë kam përfunduar ushtrinë, iu përgjigja bukuroshes që kisha përballë, si mundem unë të këshilloj juridikisht një mjek? Asnjë problem, më tha, është gjëja më e thjeshtë në botë të mësosh ligjet italiane edhe ti këshillosh mjekët.

Përpos shumëllojshmërisë të kompanive “Call Center” e tek tuk ndonjë kompanie “serioze” e cila të ofronte produktet e saj (a thua se ishe në një treg) në stendat e panairit kishte mbi katër apo pesë universitete të cilat Ministria e Arsimit i ka pezulluar aktivitetin. Ato, me qetësinë edhe buzëqeshjen që karakterizon këto panaire të ofronin mundësitë e tyre për shkollimin ose në degët që së shpejti do të hapen (e këtë ta shisnin me një siguri absolute) ose në universitetet e tyre mëmë.

Për ta përmbledhur eksperiencën e gjetjes së punës do thoja…asgjë e re. Të njëjtën skenë kam parë edhe vjet e para dy vjetësh…ndryshimi i vetëm ishte ky. Para dy vjetësh Nikolin Jaka, po ai çuni që për pak desh e rrasën brenda, falënderoi Berishën ndërsa sot ai falënderoi Ramën. Të tjerat kanë mbetur po njësoj sa që edhe stenda e Çilit ishte e njëjta si e para dy viteve. Kujtuat se z. Veliaj nuk kishte sjellë risi në këtë panair? E keni gabim, në shumëllojshmërinë e stendave e reja kryesore ishte ajo e Albpetrol, që për hir të së vërtetës në dy panairet e para nuk ka qenë e pranishme. Por për të filluar punë atje duhet patjetër të jesh një djalë flori.

Por, nëse mendoni se një vizitë në Muzeun Kombëtar për të parë Panairin e Punës nuk ia vlen barra qeranë e keni tërësisht gabim. Dashamirësit e historisë mund të vijnë të shohin një ndërthurje fantastike mes punësimit, marketingut edhe muzeut etnografik. Nga ana tjetër ato që duan të dinë se çfarë ka bërë Nënë Tereza mundet që pasi të mësojnë si bëhet një CV (në të disatën stendë që ta ofron falas këtë) ta vizitojë edhe të fitojë durim edhe për një vit. Mos bëni gafë të shkoni tek sesioni i komunizmit…atje gjithçka duket se do të zëvendësohet.

E në fund, por aspak për nga rëndësia, kushdo që ka qejf të gjuaj ndonjë mund të shkojë edhe ta provojë fatin e tij/saj. Panairi qe mbushur me vajza dhe djem simpatikë…ndaj mendoj të provoni fatin tuaj.

You may also like...