Muzika në diktaturë

Xhabyni

Vdekja e këngëtares së njohur Vaçe Zela na solli në vëmendje një nga debatet e munguara në shtypin e përditshëm, atë mbi artin në periudhë moniste. Një debat që me shumë gjasë nuk ka pasur kurrë ndërmend të dalë në sipërfaqe, të paktën në këto kohë, duke qenë se për vite me radhë nuk kemi patur qoftë një gjykim ashtu edhe një qëndrim ndaj periudhës së shkuar komuniste. Qëndrim i munguar jo vetëm në kontekstin e historisë (pra të gjykimit të atij sistemi) por edhe në kontekstin e jetës sociale dhe kulturore (që gjithashtu kanë qenë të lidhur me sistemin si një grusht i vetëm).

Mungesë që lidhet jo vetëm me memorien kolektive (muzetë, ditët përkujtimore jo partiake) por edhe me shqyrtimet e plota ndaj personazheve të asaj kohe duke u mjaftuar vetëm me qasje diletanteske, gazetareske dhe communismhera herës ashikase të personazheve të asaj periudhe.

Për ironi të fatit, gazetat e të përditshmet bajate janë marrë thuajse çdo muaj me historitë dhe kujtimet e byroistëve, mjekëve të byroistëve, shërbëtorëve të byroistëve duke na paraqitur një anë njerëzore e jo pak herë duke na treguar dhimbjet dhe trishtimet e tyre. Sa romantike, apo jo?! Asnjë fjalë nuk është harxhuar për të hulumtuar mbi trashëgiminë që ka lënë ai regjim jo vetëm në anën njerëzore por edhe në anën kulturore dhe artistike.

Nëse duam të gjykojmë artin e djeshëm monist atëherë duhet të kemi parasysh se ai qe ndërtuar mbi parimin leninist se “Arti është në shërbim të diktaturës së proletariatit” se qëllimi i tij parësor ishte shërbimi i vijës së partisë dhe ndërtimi i njeriut të ri socialist. Një qasje e tillë u implementua tërësisht nga regjimi i Enver Hoxhës, i cili përdori të gjitha mjetet për të krijuar një art gjithnjë e më shumë në shërbim të propagandës dhe kultit të individit. Kështu kënga, vallja, opera, teatri, kinematografia, letërsia dhe gjithçka që kishte të bënte me artin ishte në shërbim të propagandës dhe forcimit të vijës së partisë. Kur flasim për propagandë nuk duhet të kemi parasysh për një person që përpiqet me mish e me shpirt për të na bindur që filan gjë është e drejtë edhe pse ne këtë përpjekje të tij mund ta zerojmë me zero. Propaganda, komuniste, qe një lavazh truri i cili i bëhej popullsisë për ta bindur atë (edhe kur ajo nuk bindej) me të gjitha mënyrat se gjërat shkonin vaj në këtë vend. Se me të vërtet ne ishim populli më i lumtur në botë, kishim komunizmin më të mirë, ishim shkëmb graniti e kështu me radhë. Nën këtë frymë funksiononte propaganda komuniste, nën këtë frymë ndërtohej karakteri dhe ndërgjegjja e njeriut të ri socialist.

Kënga, qe një nga metodat se si regjimi kishte zgjedhur t’i këndonte vetes (duke e lëvduar atë) e po kështu t’i këndonte në vesh popullsisë për arritjet e tij. Festivali i Këngës, që siç shihet nga emri nuk kishte për qëllim këngëtarin por këngën, qe një instrument në dorën e partisë që përdorej një herë në vit. Tekstet dhe muzika e atij festivali kalonin sa e sa filtra partiakë të komitetit qendror, për t’u aprovuar në fund nga një grup i përzgjedhur artistësh ose byroistësh që kishin marrë përsipër të shihnin në zbatohej apo jo parimi i realizmit socialist në muzikë. Kriteri i muzikës së asaj kohe qe stoik, në formën e një marshi, nuk kishte shfaqje të huaja si jazz, blues, reage, rock and roll përkundrazi këto anatemoheshin (kujtoni festivalin e 11). Ndërkohë që tekstet duhet të ishin të mbushura me këngë për partinë, atdheun e dashur, udhëheqjen, dashuritë nëpër zbore e kështu me radhë. Kjo pra qe mënyra se si ndërtohej kënga e asaj periudhe.

Nexhmie Hoxha në një letër të saj në kujtim të këngëtares  Vaçe Zela, na përshkruan dhe na përkujton se Enver Hoxha, ndryshe nga sa propagandohet, e donte artin dhe artistin (pra dhe këngëtarin). Nuk e di se çfarë mendimi kanë për këtë Sherif Merdani apo ndonjë tjetër që u dënuan vetëm se kënduan Let it Be fjala vjen. Por ajo që është më me rëndësi është fakti që edhe këngëtarët këndonin këngët që aprovoheshin nga propaganda, shkrimtarit botonin veprat e aprovuara nga propaganda, regjisorët xhironin skenarë të aprovuar nga propaganda.  Aq shumë e deshtë Enver Hoxha artin sa që u përkujdes që në krye të tij sa herë që bëheshin reformat të vendoste personazhe të panjohur që vinin drejtë për drejtë nga kooperativat bujqësore. Madje kulmi arriti kur andej nga vitet e miqësisë me motrën Kinë, kompozitorë, poetë, këngëtarë u dërguan në Kinë për të marrë nga eksperienca kineze dhe kështu nuk ishte e largët dita që neve i mësuam kinezëve të këndonin për Enverin shqip dhe anasjellas.

Kundera e quan artin e periudhës komuniste (në fakt gjithë komunizmin) si një kiç i cili as nuk të lë të qeshësh por me të cilin as nuk mund të qash. Kiçi, sipas tij, përkufizon të qenurit aestetik, pa shije, e vetë regjimet totalitare (në veçanti) e muzika e tyre (meqë po flasim për të) krijojnë këtë ndjesi kiçi, zbazëtie dhe të qenurit pashije. Në fakt muzika e atyre viteve qe mbushur pikërisht me këtë boshllëk të pashije; tekstet e tyre qenë mbushur me një dashuri fallco, me një dashuri të imponuar nga diktatura për t’u pranuar nga populli njësoj sikundër ajo batuta e famshme në telekomedinë “Gjuetia e Fundit” ku populli pasi pyetet për kooperativën përgjigjet “me udhëzim nga sipër e propozim nga poshtë”. Të tilla qenë tekstet e këngëve dhe përdorimi i tyre nga pushteti dhe aprovimi i tyre në popull, duke krijuar kështu një mirëqënie të presupozuar dhe të indoktrinuar në mendjen tonë.

Indoktrinim që vazhdon të pushtojë mendjet e shumicës sonë aq sa për të mos kuptuar dhimbjen, trishtimin, lëngatën e hidhërimin e tjetrit. Vazhdojmë akoma të endemi në një dhomë me disa mure të vjetruara duke ngritur fotografitë e rrëzuara apo duke pastruar shtatoret e së shkuarës. Klasa e intelektualëve dhe shkollarëve është po aq intelektualisht e korruptuar, e mjeruar, e ushqyer dhe e lidhur me krimin e 50 viteve diktaturë sa që nuk përpiqet aspak që të hedhë dritë mbi atë që shkoi e t’i kthejë përgjigje pyetjeve që brezat pasardhës (e jo vetëm) ngrenë. Nuk ka ndërgjegje, nuk ka sinqeritet, nuk ka përpjekje për të pranuar gabimet dhe fajet. Por, ama ka mbetur e trashëguar dëshira për të anatemuar tjetrin nëse mendimi i tij nuk puqet me atë të turmës. Mbase, propaganda e Hoxhës ia ka arritur qëllimit, ka krijuar njeriun e ri edhe pse një model demo.

You may also like...