NA DINË PËR BUDALLENJ

Ose llahtaria nga të ashtuquajturat ‘programe punësimi’)

GJERGJ EREBARA

Strategjia-e-mashtrimit-285x320Kur Kryeministri Sali Berisha na doli në televizor me një fytyrë të pastruar nga rrudhat a thua se qe manekin dhe në një reklamë elektorale na vrëngëlliu një revistë ku shkruhej “programi i punësimit”, mendova se qe një shaka. Nuk besoj se PD-së i ka mbetur ndonjë gjë për të na thënë për punësimin, pasi mohoi energjikisht për vite me radhë faktin që Shqipëria e ka një problem të tillë. Mendova se Berisha duhej të kishte përgatitur ndonjë karton kot me ngjyra sa për të thënë se e kam një “program”.

Pastaj e pashë që PD e ka me të vërtetë një dokument të tillë, ose një paçavure, me thënë më saktë.

PD përgjatë tetë viteve të fundit dhe LSI përgjatë katër viteve të fundit e kanë lënë sakaq trashëgiminë e tyre politike në Shqipëri. Është një trashëgimi anti-punë, antizhvillim dhe pro-hajdutllëk. E pata të vështirë të marr vendimin nëse ia vlen koha e harxhuar për të lexuar një “program punësimi” nga PD apo jo. Gjithsesi, vendosa ta lexoj. Gjeta një dokument të përgatitur nga ndonjë aparatçik, në nivelin e ndonjë detyre kursi në vitin e dytë të studimeve në ekonomiks. Gjeta gjithashtu se ndoshta ka ardhur koha ta ndryshojmë fjalorin e gjuhës angleze, dhe të gjuhës shqipe. “Program”, që sipas fjalorit do të thotë: një seri ngjarjesh të paracaktuara për të ndodhur me një qëllim dhe pritshmëri për pasoja të dëshiruara, nuk ka këtë kuptim në rastin tonë. Për qeveritarët tanë, program do të thotë: një set me fjalë të kuptimta apo të pakuptimta qofshin, që kanë për synim për të mashtruar popullsinë sa për t’i marrë votën.

Por programi i PD kishte do maksima. P.sh, në hyrje thuhet: “Puna është e drejtë themelore dhe burim i mirëqenies, i vetërealizimit dhe i lumturisë vetjake dhe familjare”. “Puna është nder”, “Shqipëria është pjesë e ekonomisë globale”. Nëse çunat dhe gocat e modës gajasëse të demotivational lodhen për të gjetur batutën e radhës të pakuptimtë të thënë nga Nard Ndoka, nuk kanë pse të lodhen më.

Pjesa tjetër e 58 faqeve të dokumentit na flet se sa shumë është lodhur qeveria jonë e dashur për ne. Se çfarë do të ndodhë, si, e qysh do të rritet punësimi, jo nuk i përket këtij dokumenti. Aty ka plot gënjeshtra statistikore, por edhe “gjetje” të karakterit shkencor. Për shembull, na thotë se kur ekonomia rritet me 2 për qind, vendet e punës rriten me 1 për qind. Pra e kanë zbuluar pasojën. Eureka! Kur rritet ekonomia ka lekë ose anasjelltas.

Me përjashtim të universiteteve private shqiptare të licencuara me bollëk nga qeveria, një detyrë e tillë kursi do t’i falej një studenti të vitit të dytë, por ka gjasa që do të ngelte në klasë në një fazë të më vonë studimesh.

Por gënjeshtra më blatante thotë se numri i të papunëve afatgjatë, në Shqipëri ka rënë nga 142 mijë, në 88 mijë. Është një gënjeshtër mbi gënjeshtrën. Të papunët afatgjatë, një shifër krejtësisht e gënjeshtërt e prodhuar nga ministria e anti-punës, na rezulton e reduktuar për të krijuar një gënjeshtër të re mbi një gënjeshtër të vjetër. Nuk ka nevojë për shkencë. Njerëzit në “Facebook” sakaq shtruan pyetjen se nëse Shqipëria, sipas qeverisë, ka 88 mijë të papunë, pse duhet që Berisha të premtojë hapjen e 250 mijë vendeve të reja të punës? Apo pse qeveria pretendon se gjatë katër viteve të fundit ka krijuar 200 mijë vende pune?

Teoritë e ekonomiksit, të rrëzuara

Bota ka shumë teori zhvillimi, të thjeshta sa për t’u kuptuar edhe nga nxënësit e klasës së pestë. Ka nobelistë, shkencëtarë, literaturë të bollshme, e disponueshme edhe në shqip. Amartya Sen për shembull, na tregon për rolin e sistemit politik në luftën kundër varfërisë. Jeffrey Sachs na flet për rolin e akumulimit të kapitalit në rritjen e prodhimit. W.A Lewis na flet se si bota i heq krahët e punës nga sektorët me rendiment të ulët, d.m.th bujqësi, për t’i çuar në sektorët me rendiment më të lartë, d.m.th manifakturë dhe shërbime. Robert Sollow na tregon se nëse dëshiron të rrisësh prodhimin, atëherë mund të shtosh punën, mund të shtosh kapitalin, ose mund të përmirësosh eficencën.

Të gjitha këto teori nuk vlejnë. Partia Socialiste me programin e saj të punësimit, (e përmenda prapë fjalën program!? Më duhet ta përdor këtë fjalë, megjithëse pa vend e pa kuptim!) Nejse, në atë revistën me ngjyra e me foto që do të qe shumë e vlefshme për revistë mode, me 32 mega internet të shpenzuar për t’u shkarkuar, PS deklaron se “do të krijojë 150 mijë vende pune… në bujqësi”. Për hartuesit e “programit” kanë pak rëndësi pyetjet: sa tokë bujqësore ka Shqipëria, sa krahë pune mjaftojnë për të arritur maksimumin e prodhimit me minimumin e kostove, sa është vlera e pritshme e prodhimit në kushte ideale, sa do të jetë rendimenti i punës etj. Nuk ka rëndësi se çfarë mund të jetë ai lloj produkti bujqësor që jep në treg vlerë të mjaftueshme për të paguar 150 mijë rroga në muaj. FCB-istat i dhanë shpjegim saktë kësaj deklarate. Në një demotivational, ata shkruan: Plani i PS për të punësuar 150 mijë vetë në bujqësi do të realizohet duke i hequr traktorët dhe duke i vënë katundarët të punojnë me lopatë.

Përpos vendeve të punës në bujqësi, PS na premton krijimin e 15 mijë vendeve të punës në lidhje me detin. Dhe këto janë përpos turizmit. Pra siç duket PS ka nevojë të marrë një hartë dhe të shohë se sa det ka Shqipëria, sa peshk gjendet në një kilometër katror det me thellësi të caktuar dhe se sa peshq për kokë i bie të kapin këto 15 mijë “të punësuarit” në industrinë e detit. Kapitulli për punësimin kishte më shumë foto sesa tekst.

Me kaq besoj se është boll. I hodha një sy atij dokumentit të LSI dhe m’u duk se qe “strategjia si të krijojmë burime të reja ryshfeti”. Ai qe gjithsej 5 faqe. Në këto 5 faqe përfshihet edhe kopertina dhe faqja e pasme.

Në thelb, më shumë i shqetësuar jam për atë fletushkën që fringëllon Berisha në reklamë. Sa keq ! Kush e di se sa pemë janë prerë kot!

Botuar në gazetën Shqip më 13 qershor 2013

You may also like...