Nacionalizmi simbolik, ose kur deklaratat shiten për strategji

1. A ka një strategji për qeverisje strategjike Kosovë-Shqipëri?

Deri tani nuk kam parë dhe as nuk di të jetë publikuar ndonjë strategji në këtë drejtim. Kemi dëgjuar deklarata, por deklaratat janë më së shumti në fushën e nacionalizmit simbolik. Një strategji nënkupton disa objektiva të qarta dhe disa mekanizma për arritjen e këtyre objektivave. Me thënë të drejtën, për sa kohë nuk kam parë ndonjë dokument zyrtar të publikuar për këtë qëllim, nuk jam i bindur nëse ekziston me të vërtetë ndonjë strategji bashkëpunimi. Nëse ekziston, a mund të dimë objektivat, qëllimet, mjetet e kësaj strategjie?

Me shumë të drejtë, disa analistë kanë vënë në dukje mungesën e rrezikut nga nacionalizmi simbolik shqiptar duke argumentuar se deri më sot thirrjet për bashkim nuk mbartin asnjë element konstitucionalist.

2. A mendoni se kryeministri i ri Edi Rama,  Strategjinë për Bashkëqeverisje Kosovë-Shqipëri po e bën si kundërpërgjigje ndaj Qeverisë së Serbisë dhe Maqedonisë, të cilat kanë realizuar disa takime të tilla?

Nuk kam informacion për racionalitetin e një mase të tillë. Mua sërish më ngjan se kemi të bëjmë me më shumë fjalë se sa vepra. Shqipëria dhe Kosova kanë shumë gjëra për të bërë sëbashku për përmirësimin e jetesës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit. Këto gjëra kërkojnë shumë punë dhe shumë më pak lajme bombastike simbolike.

Bashkëpunimi në elektroenergjetikë psh është një fushë me potencial të madh ekonomik me përfitime të konsiderueshme për Shqipërinë dhe Kosovën. Dizenjimi i një sistemi të përbashkët energjetik përmes kombinimit të hidrocentraleve të Shqipërisë me termocentralet e Kosovës është me të vërtetë një fushë që ka nevojë për një strategji si dhe për zbatimin e një strategjie me objektiv final kombinimin e fuqisë gjeneruese energjetike të të dyja vendeve dhe rritjen e eficencës energjetike të termocentraleve të Kosovës dhe të hidrocentraleve të Shqipërisë. Në këtë rast hipotetik, mjetet që e realizojnë këtë është ndërtimi i interkonjeksionit, ndërtimi i një qendre të përbashkët dispeceri dhe si objektiv final, bashkimi fizik dhe financiar i KESH me KEK me strukturë bashkëpronësie dhe bashkëqeverisjeje mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Bankat përmes bashkimeve apo shkrirjeve janë një fushë tjetër potenciale, siç është telekomunikacioni. Por në këto dy fusha, qeveritë e të dyja vendeve nuk kanë shumë në dorë sepse Shqipëria i ka private telekomunikacionin dhe bankat e Shqipëria ka pak gjasa të bëhet një shtet i kapitalizmit dirigjues të stilit francez. (e.g. është shtet shumë i dobët dhe i pafuqishëm).

Për bankat, mundet të krijohet një zyrë e përbashkët kleringu mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës për të ulur kostot dhe për të lehtësuar shkëmbimet monetare e tregtare.

3. A mendoni se Strategjia e Bashkëqeverisjes Kosove-Shqipëri, do te shihet si e rrezikshme për shtetet fqinje, si: Serbia, Maqedoni dhe Greqia ?

Nuk mendoj se ka ndonjë arsye që fqinjët të tremben nga deklarata që janë para së gjithash të dizenjuara për konsum të brendshëm. Por ata mund të përfitojnë për të justifikuar politikat e veta nacionaliste. Natyrisht, Serbia do të jetë humbëse financiare nga një bashkëpunim i mundshëm energjetik Shqipëri-Kosovë dhe rrjedhimisht, reagime mund të priten, por këto reagime nuk duhet të interpretohen si të “rrezikshme” nga pikëpamja e sigurisë. Sikur Shqipëria dhe Kosova të ishin dy vende që nuk flisnin të njëjtën gjuhë, sërish të dy qeveritë do ta shihnin potencialin e përfitimit ekonomik nga bashkëpunimi, rrjedhimisht do ta bënin, edhe pse elementët nacionalistë nuk do të ekzistonin.

4. A mendoni se do të ketë ndonjë reagim nga Brukseli, për Strategjinë Bashkëpunuese Kosovë-Shqipëri?

Diplomacia ndërkombëtare reagoi shumë ashpër vitin e kaluar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha për dhënien e nënshtetësisë shqiptare për nënshtetasit e Kosovës. Në këtë rast kishte arsye për të reaguar, sepse një masë e tillë ka potencial destabilizues. Për shembull, balanca e votave mes të majtës dhe të djathtës në rast zgjedhjesh në Shqipëri, prishet në mënyrë të panevojshme. Por ne e dimë gjithashtu që kosovarët janë populli i vetëm aktualisht në kontinent të izoluar përtej murit të Vizave dhe nxitimi për të marrë një pasaportë shqiptare është pikërisht për këtë arsye. Brukseli duhet t’i kërkojë llogari vetes së vet për këtë situatë absurde.

Edi Rama me të drejtë e kritikoi në atë kohë këtë lloj nacionalizmi simbolik dhe folklorik të bërë nga Berisha. Për fat të keq, duket se po bën të njëjtën gjë.

Bashkëpunimi, heqja e kufijve, bashkimi ekonomik e monetar, krijimi i superstrukturave mbishtetërore, shkëmbimi i të drejtave civile etj, janë vlera Europiane. Të gjitha këto mund të bëhen dhe askush nuk ka pse të ankohet e as nuk ka për t’u ankuar. Vlerë Europiane nuk është nacionalizmi dhe rrjedhimisht, simbolika të tilla nacionaliste si Lidhja e Prizrenit apo ngritja e flamurit më 28 nëntor janë të panevojshme.

You may also like...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.