Ndërtimi i mitit të tolerancës fetare [Pjesa e dyte]

 Xhabyni

(Përse Elitës i ka shërbyer ardhja e Papës)

Mesazhi që Kryeministri i vendit lëshoi përpara se të vinte Ati i Shenjtë, në vendin tonë, ishte në të njëjtën valë me mesazhet që paraardhësit e tij kanë lëshuar sa herë kanë pasur takime të tilla. Ai u mimetizua me ideologjinë zyrtare të elitës në këto 20 vite. Ideologji që në rininë e tij të hershme (atëherë kur ishte rebel?!) e shihte me përçmim dhe shumë larg të vërtetës dhe shqyrtimit kritik të saj. Kryeministri foli për një vend Europian, e jo për një vend mysliman.

Për të qenë korrekt, askush nuk i kërkoi Kryeministrit që të etiketojë vendin tonë, sipas kushtetutës së vendit, ne jemi një shtet laik që ka tre religjione. Ndaj është e kotë të etiketojmë vendin tonë si mysliman, katolik, ortodoks e kështu me radhë. Mirëpo interesi i elitës është ndryshe, përderisa ajo për 20 vjet me radhë ka ndërtuar një projeksion të një vendi që përherë ka qenë në përpjekje për të mbërritur në Europë por që fatkeqësitë historike e kanë mbajtur larg.

Kjo ideologji ka ndikuar që ngjarjet dhe ndodhitë ne t’i kemi transformuar sipas projeksioneve që janë krejtësisht të elitave. Fjala vjen, Skënderbeu shitet si një personazh i cili që para 7 shekujsh e dinte se ishte shqiptar e mbi të gjitha se Shqipëria i përkiste Europës, po kështu këtë ndjesi e dinin edhe Rilindasit, edhe Ismail Qemali, edhe Zogu….e tani me ardhjen e socialistëve edhe LANÇ nuk është gjë tjetër vetëm se një luftë që u bë për të qenë me forcat Europiane.

Nën këtë frymë edhe bashkëjetesa fetare po shitet si një qasje europianiste, pa i hyrë në thelb pyetjes së shtruar në shkrimin e parë e akoma më tej pa i hyrë diskursit kritik se pse edhe si ka qenë kjo tolerancë në vendet vërdallë Shqipërisë?! E kështu nuk merret parasysh fakti që edhe në Perandorinë Osmane, ka patur një bashkëjetesë e tolerancë ndaj ekzistencës së tjetrit. Natyrisht që nuk ka qenë gjithkund fushë me lule (e as ndër paraardhësit tanë nuk ka qenë diç e tillë).

Mungesa e kësaj kritike edhe shqyrtimi historik, sidomos nga ana e historianëve, ka krijuar këtë mit modern i cili i shërben politikës së sotme për t’u legjitimuar e për t’u shëlbuar përmes këtyre metodave. Me pak fjalë këtu ndërtohet diçka tërësisht e paqenë e në këtë mënyrë prodhohet arsyeja edhe ligjërimi publik që elita e korruptuar deri në palcë, justifikon ekzistencën e saj.

Kjo, mendoj, se ishte arsyeja se përse nuk ndjemë as një farë lloj mërie edhe brerje nga fakti që në rreshtin e parë përballë Papës pamë figura që kanë përçudnuar ekzistencën tonë përmes abuzimeve ndaj asaj që është e përbashkët. Kjo është deri diku edhe arsyeja që nuk u ndjemë të ofenduar nga prania e këtyre mëkatarëve, që me sjelljet e tyre kanë treguar se nuk kanë as din e as iman. Ato, arritën të manipulojnë ndjesitë tona në mënyrë më të mirë të mundshme. E gjithë vizita e Papës qe ndërtuar ashtu që kësaj elite të korruptuar deri në palcë, që nuk e ka për gjë të ngre dhe portretin e diktatorit, të shëlbohet edhe të falet. Gjithashtu, elitës i shërben kjo mitologji e ndërtuar për të pasur një argument shtesë ndaj ndërkombëtarëve, për t’i treguar atyre që ekzistenca e tyre është e justifikuar.

Të rikthehemi tani tek fjalia “Shqipëria një vend Europian, jo mysliman” të cilin e përsëriti edhe Ati Shenjtë gjatë kthimit. Duke patur parasysh sa u tha më sipër, është e kuptueshme që toleranca fetare në këtë vend nuk ka ardhur për shkak se myslimanët janë tolerantë (meqë ato janë shumicë) por ka ardhur sepse shqiptarët janë thelbësisht europianë. Shiheni pak se si transformohet ligjërimi, më së pari duke krijuar nga hiçi një veti që neve e kemi e më pas duke i shoqëruar një atribut që e kemi patur në mos gjenetikisht së paku kulturalisht. E kështu narrativës së Skënderbeut shqiptar i shtohen elementë të tjerë, elementë deri diku të dyshimet siç është ardhja e apostullit Pal në trojet e Shqipërisë së sotme (temë e diskutueshme nga ana e historiografive katolikë nëpër komentarët Biblikë). Duke vazhduar më pas me etiketimin e Skënderbeut si Atlet i Krishtit, e në këtë mënyrë kuadro plotësohet me heronjtë modernë; si Kadareja një shkrimtar disident, laik por ama pro Europian (lexo pro katolik) e me Nënë Terezën, shenjtoren shqiptare. Kuadrati i trinitetit kombëtar-europianist mbyllet kështu në mënyrë triumfale duke i vënë damkën e identitetit kombëtar dhe personal vendit tonë.

You may also like...