Ndikimi turk, ndoshta i ekzagjeruar

Gjergj Erebara

Pak ditë më parë, qeveria e ardhshme shqiptare bëri të ditur se ka zgjidhur një dilemë. Dilema ka qenë gjithmonë se kush do të jetë shteti aleat strategjik i Shqipërisë. Në të shkuarën, diskutimi ka qenë nëse duhej të ishte Italia apo Greqia. Ka pasur me kalimin e viteve edhe një si farë përplasjeje për primatin e diplomacisë mes këtyre dy vendeve.

Në pamundësi për të zgjidhur dilemën, u dol në konkluzionin se Shqipëria konsideron njësoj të rëndësishme marrëdhëniet si me Romën, ashtu edhe me Athinën.

Në vitin 1997, kryeministri i kohës, Fatos Nano, deklaroi për një gazetë italiane, se e shihte Italinë në rolin e “protektorit” të Shqipërisë. Në atë kohë luftërash ballkanike dhe pasigurie kufijsh, këta qenë termat e diskutimit.

Më vonë, me zgjidhjen e problemeve të kufijve, ndikimi i huaj në Shqipëri u kufizua në dy aspekte: ndikim me reputacion, (soft power) i ngjashëm me atë që kanë SHBA-ja dhe Bashkimi Europian dhe binomi kredi-investime të huaja.

Në drejtimin e këtij binomi të dytë, Italia u përplas me Greqinë në drejtim të blerjes së sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare apo për tregun e karburanteve dhe humbi. Greqia fitoi. Nga viti 2004, Greqia dominoi bankat, telekomunikacionin dhe tregtinë e naftës. Më vonë depërtoi në sektorin minerar. Në sektorin e ndikimit përmes kredive, është e qartë se Greqia nuk hyri kurrë. Kreditë dypalëshe të Athinës për Shqipërinë kanë qenë gjithmonë minimale. Italia është një histori ndryshe. Ajo ka një portofol të konsiderueshëm kredish dypalëshe, të cilat i ka përdorur në disa raste si instrumente politike, siç ishte një rast në vitin 2004, kur qëndrimi i Shqipërisë në OKB për një çështje të caktuar u duk sikur u kushtëzua me një paketë kredish italiane për sektorin elektroenergjetik shqiptar.

Republika tregtare e Austrisë ka pasur gjithmonë ndikim diplomatik dhe ekonomik në Shqipëri, por ka zgjedhur të qëndrojë në hije. Gjermania është kreditori më i madh dypalësh i Shqipërisë, por kreditë e këtij vendi duket se nuk kanë pasur ndonjë synim të posaçëm përpos dëshirës për të parë Rajonin e Europës Juglindore paqësore dhe të zhvilluar.

Turqia filloi të fitojë akses në Shqipëri fillimisht me shkolla dhe me shërbime shëndetësore falas, pastaj me investime private e me privatizime. Më 2001-shin, banka e dytë më e madhe në Shqipëri u ble nga një bankë turke. Ardhja e Erdoganit në pushtet në Turqi dhe fuqizimi ekonomik i këtij vendi, i dha një ndikim në rritje Ankarasë në të gjithë rajonin. Diplomacia turke funksionoi përmes një platforme të “thellësisë strategjike”, që nënkuptonte ndikim pozitiv dhe paqësor në të gjithë Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe Kaukazin. Disa analistë e cilësuan këtë politikë si neootomanizëm. Një studiues austriak hodhi idenë se lëvizja e fuqishme Guleniste e Turqisë është e ngjashme me reformizmin protestant të Europës. Megjithatë, disa kabllograme amerikane të publikuara nga organizata “Wikileaks”, treguan se opinioni i diplomacisë së SHBA-së ishte që neootomanizmi është më shumë reklamë sesa fuqi reale. Turqia është shumë larg të qenët një fuqi reale në Ballkan.

Në lidhje me dilemën Itali apo Greqi të Tiranës, duket se kanë ndodhur dy gjëra: e para, me vendosjen e paqes në Ballkan, pas pavarësisë së Kosovës, interesat e Italisë duket se janë pakësuar apo kufizuar te lufta kundër krimit. E dyta, ndikimi i Greqisë ka ardhur në rënie. Depresioni i thellë ekonomik i këtij vendi ka ulur ndikimin ekonomik në Ballkan. Kur vjen puna te pyetja se çfarë ndodhi që Shqipëria vendosi të ngrejë Turqinë në nivelin e Greqisë dhe Italisë, pra nëse ishte Turqia që u rrit apo ishte Greqia dhe Italia që ranë, përgjigjja ka gjasa të jetë mikse. Italia ka humbur interesin dhe Greqia ka humbur një pjesë të muskujve financiarë. Por kur sheh volumet, dallohet se Turqia është ende larg. Nga ky vend janë një pjesë e vogël e investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe një pjesë e vogël e tregtisë. Italia mbetet superfuqia me të cilën Shqipëria bën biznes dhe nuk ka asnjë shans që të sfidohet nga ndokush tjetër, pavarësisht se investimet e saj nuk janë të karakterit strategjik. Italia mbetet edhe superfuqia sa i përket ndikimit kulturor në Shqipëri, fushë në të cilën konkurron me sukses edhe kulturën franceze apo anglo-amerikane.

You may also like...