Në kuadër të muajit sensibilizues mbi luftën kundër kancerit të gjirit

Çfarë është kanceri i gjirit dhe si shfaqet ai?

Gjiri i nje gruaje është i përbërë nga tri pjesë kryesore: gjendrat që prodhojnë qumësht (lobulet), kanalet ku kalon qumështi (duktusi) dhe thitha e gjirit që lidhet me gjendrat e qumështit dhe indet lidhëse (që përfshijnë indin fijor apo fibror dhe indin yndyror). Kanceri i gjirit nënkupton rritjen e pakontroll të gjendrave të gjirit. Kanceri lind si rezultat i mutacioneve dhe ndryshimeve anormale të gjeneve përgjegjëse për rritjen e shëndetshme të qelizave.

Normalisht, qelizat në trupat tanë e zëvendësojnë vetveten nëpërmjet procesit të rritjes së qelizave çka nënkupton zëvendësimin e qelizave të vjetra me qeliza të reja. Me kalimin e kohës, çrregullime në këtë proces natyral e biologjik, bëjnë të mundur që ndarja e qelizave të vdekura me qelizat e reja të mos jetë nën rendin dhe kontrollin e zakonshëm biologjik duke prodhuar më tepër qeliza e duke formuar kësisoji tumorin.

Tumori mund të jetë beninj (jo i rrezikshëm për shëndetin) ose malinj (që mbart potencialin për të qenë i rrezikshëm e deri fatal për jetën).
Tumori beninj nuk konsiderohet kancerogjen: qelizat kanë madhësi normale, rriten ngadalë dhe nuk shpërndahen në pjesë të tjera të trupit. Tumoret malinjë nga ana tjetër, janë kancerogjene. Nëse nuk mbahen nën kontroll të vazhdueshëm ato kanë tendencën të shpërndahen nëpër trup. Termi -kancer i gjirit- i referohet tumorit malinj të zhvilluar në qelizat e gjirit.

Cilat janë shenjat që duhet të tërheqin vëmendjen ndaj kancerit në gji?

– Gjendër e fortë në formën e kokrrës, lehtësisht e dallueshme mes të prekurit.
– Rrudhosje e lëkurës.
– Irritim i lëkurës në formën e skuqjes, përhapur në gjoks.
– Irritim i përgjithshëm i lëkurës në zonën e kraharorit/gjoksit.
– Ndryshim në thithën e gjirit.
– Sekrecione (ose/dhe rrjedhje gjaku) në thithën e gjirit.

Cilat janë fazat e kancerit të gjirit?

Faza 0: Gjatë kësaj faze nuk evidentohet asnjë qelizë kancerogjene e gatshme për tu shpërndarë në pjesën tjetër të trupit.

Faza I: Tumori mbart madhësinë mbi 2 cm dhe kanceri nuk gjendet në nyjet limfatike dhe nuk është shpërndarë jashtë gjirit.

Faza II A: Janë prekur një deri në tri nyje limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit ose sqetullës ose kanceri (mes 2 dhe 5 cm) nuk është gjetur në nyjet limfatike.

Faza II B: Kanceri është midis 2 dhe 5 cm dhe ka prekur një deri në tre nyje limfatike të sqetullës dhe/ose nyjet limfatike të brendshmë të gjendrave të qumështit; ose tumori është 5 cm apo pak më shumë dhe nuk është gjendur në nyjet limfatike.

Faza III A: Kanceri është 5 cm ose pak më shumë dhe prek 4 deri në 9 nyje limfatike të sqetullës apo nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit ose kanceri është 5 cm ose më shumë dhe është gjetur në 1 ose deri në 9 nyje limfatike të sqetullës apo nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit.

Faza III B: Kanceri është rritur dhe ka prekur murin e gjoksit apo/dhe lëkurën. Gjendet ose jo në nyjet limfatike të sqetullës ose në nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit.

Faza III C: Kanceri mund të jetë i çdo madhësie dhe gjenden të prekura 10 ose më shumë nyje limfatike të sqetullës, apo preken si nyjet limfatike të sqetullës edhe nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit. Kanceri mund të ketë prekur edhe nyjet limfatike nën klavikulën ose mbi klavikulën.

Faza IV C: Kanceri mund të jetë i çdo madhësie dhe gjendet përtej zonës së gjirit në shumë pjesë të largëta të trupit si kockat, mushkëritë ose truri.

Çfarë është mamografia?

Mamografia është një ekzaminim rrezesh X të gjirit, e aftë për të zbuluar dhe diagnostikuar sëmundje të gjirit. Ajo është një nga metodat më efektive të të zbuluarit të kancerit të gjirit në një fazë të hershme, përpara se vetë gruaja ashtu si edhe mjeku përkatës të mund ta dallojë atë.
Të bërit e mamografisë është masë parandaluese efektive ndaj grave të cilat nuk ndjejnë simptoma të kancerit të gjirit.

Ndërgjegjësimi për kontrollin e vazhdueshëm mjekësor dhe Shqipëria.

Fushata sensibilizuese në luftën kundër kancerit të gjirit është një ndër nismat më me jehonë anembanë vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim në botë sot. Shqipëria rradhitet si një ndër vendet ku kjo fushatë ka patur zërin e saj pavarësisht nevojës së vazhdueshme për rritje të ndërgjegjësimit të vajzave dhe grave në raport me shëndetin dhe trupin e tyre.

Neglizhimi i bërjes së mamografisë në shoqërinë shqiptare ndodh për arsye të ndryshme, ku më evidentja është ngërçi ekonomik. Pamundësia ekonomike për t’iu nënshtruar kontrolleve shëndetësore, jo vetëm në kuadër të ruajtjes dhe kujdesit ndaj kancerit të gjirit por gjithashtu edhe kontrolleve shëndetësore të përgjithshme, sjell neglizhencën ndaj shëndetit dhe fokusimin kryesor në përmbushjen e nevojave bazike ditore që mundësojnë një frymë ditë më shumë, përpara vijimësisë së shëndetshme të vetë kësaj ekzistence.

Arsyeja tjetër jo më pak e rëndësishme e po ashtu, e lidhur fort edhe me aspektin e zhvillueshmërisë socio-ekonomike në vend, ka të bëjë me mungesën e përgjithshme të kulturës dhe informacionit për sa i përket sensibilizimit vetjak ndaj çështjes në fjalë. Për arsye që lidhen me (mos)edukimin si dhe me (mos)punën për rritje intelektuale dhe kulturore të individit shoqëror për tu informuar dhe për ta patur e rrokur informacionin – shfaqet një tjetër formë neglizhence, e nxitur këtu si nga padija po ashtu edhe nga mosdëshira, mos-vullneti e ndofta, pamundësia ndaj vetë dijes.

Neglizhenca, e cilësdo formë qoftë ajo, mbetet po aq destruktive sa vetë kanceri.

Qeveria, shoqëria civile dhe përpjekja (e dështuar) për rritjen e ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit.

Mazhoranca ashtu si dhe subjekte opozitare, kanë përdorur jo vetëm një gjuhë seksiste e ofenduese por një propagandë kryekëput të pavend duke e politizuar fushatën në mbrojtje të jetës, për arsyet banale të një politike po të këtillë.
Znj. Majlinda Bregu vjen me një deklaratë ofenduese ku e objektifikon seksualisht gruan (trajtuar më gjerë nga unë në një artikull më vete) dhe duke i ngulfatur e mohuar asaj rolin shoqëror si grua: pra si një subjekt të barabartë e të rëndësishëm në kontributin dhe mbarëvajtjen totale të shoqërisë, kur shprehet se “gratë duhet t’i duan gjinjtë e tyre po ashtu si burrat e tyre i duan ato.”- duke përcjellë këtu një mesazh të gabuar për arsyet se përse bërja e mamografisë apo kontrolli i shëndetit duhet të ndodhë.

Nga ana tjetër, në faqen ballore të godinës së kreyministrisë, imazhe të njëpasnjëshëm gjinjsh transmetohen si formë sensibilizimi për kontrollin e shëndetit nën postulate si “Gjiri i gruas është i bukur. Kujdesu!”. Në pamje të parë, format e bollshme të gjinjve, një pjesë të zhveshura, të tjera nën sytjena tërheqëse, të ndërmendin distriktin e dritave të kuqe në Hollandë, ku një sërë vajzash e grash reklamojmë gjinjtë dhe gjithë trupin e tyre për qëllime prostitucioni. I tillë mediatizim nuk duket të jetë më pak prostituiv. Fundja fundit, prostitucioni mbetet formë shitjeje dhe në luftën kundër kancerit i pavend për tu shitur, për cilatdo arsye, është seksi.

Po, gjinjtë e gruas janë të bukur dhe trupi i gruas është i bukur anipse vetë gruaja është e bukur…por më e bukur se gjinjtë e saj, se trupi dhe vetë roli që ajo ka, është jeta që ajo gëzon. Kujdesi duhet të tregohet për jetën jo për gjinjtë si objekt. Mamografia duhet bërë në mbrojtje të jetës jo në mbrojtje të rolit seksual që organet trupore të gruas luajnë si të bukura apo ndjellëse.
Gjoksi s’duhet ekzaminuar pse është bukuri por pse është nevojë dhe domosdoshmëri jetësore. Kanceri nuk vret bukurinë por jetën dhe mund të prekë jo vetëm gjinjtë por edhe organe tjera.

Do të ishte më e drejtë, më e volitshme dhe më efikase nëse, si qeveria ashtu edhe grupet e interesit dhe presionit, do të tregoheshin serioze në rolin që ato luajnë për ndërgjegjësimin dhe kontributin publik; me të dytat duke zhvilluar si protesta për kushtet e mjera të spitaleve, pagesave katastrofike për vizita mjekësore që nuk justifikohen nga pagat mujore, ngritjen e workshope-eve e konferencave përkatëse në ambjente akademike (e jo vetëm) për kontributin real në këtë luftë dhe transparencën e përpjekjen e sinqertë të qeverisë: jo domosdoshmërisht në shndërrimin e kontrolleve shëndetësore falas në këtë periudhë vjetore, por në theksimin e simbolikës së vizitës pa pagesë.

Afërmendsh, lufta e vërtetë është inekzisente sepse premisat mbi të cilat ajo ngrihet janë reflektim i hipokrizisë, indiferencës, padijes dhe dashakeqësisë politike.
Kanceri është një formë natyrore e së keqes fizike ndërkohë që ligësia është kanceri më malinj i shoqërive për aq kohë sa bazamenti mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e tyre është reflektim i shterpësisë humane.

GRESA HASA,
Tiranë, 23 TETOR 2014.

You may also like...