Nënvetëdija e Gjeneralit Lleshaj në fjalim para prokurorëve

Lexova deklaraten e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për dhunën policore ndaj protestuesve të Dielën më 17 Maj 2020. [Link]

Duket sikur nga nënvetëdija, ai po përgatitet për të folur para prokurorëve.

Nëse Shqipëria bëhet ndonjëherë vend normal dhe prokurorët hapin hetime për dhunën, atëhere Lleshaj e ka justifikimin ne xhep duke thënë se ai nuk jep urdhra.

Ndërsa nga pikëpamja e historisë, po, ngjarjet e së Dielës shënojnë pikërisht atë për të cilën Lleshaj flet: një rikthim në disa dekada pas, në një kohë kur, natyrisht, policët nuk merrnin urdhra për të dhunuar por frymëzoheshin të dhunonin.

Nuk ma ha mendja se Sali Berisha urdhëronte policët të dhunonin qytetaret në vitet ’92-’97, por ai ishte frymëzuesi dhe përgjegjësi final për dhunën.

Të liqeni, pak ditë më parë, një numër policësh dhunojnë një adoleshent. Si reagon Ministri i Brendshëm? Nuk reagon. Ai nuk ka dy fjalë për fëmijën e dhunuar. Nuk kërkon ndjesë. Nuk shpreh keqardhje për dhunën. Ai në heshtje e miraton dhunën. Dhe si reagon Policia e Shtetit? Pretendon se ka nisur një hetim administriativ (dhe e theksoj, administrativ dhe jo penal) dhe nxjerr një status të turpshëm në Facebook, në të cilin as nuk kërkon ndjesë por e konsideron dhunën si një tejkalim rastësor, a thua se duhet të ndjejmë keqardhje për dhunuesin dhe jo për të dhunuarin.

Kjo dhunë nuk është rastësore. Ajo vjen pas videos famëkeqe të publikuar nga Edi Rama pak javë më parë në mënyrë të rrejshme sikur ishte video e policisë spanjolle që dhunonte qytetarët e vet, ndërkohë që këta të fundit jo vetëm që nuk po bënin rezistencë, por po përpiqeshin të largoheshin sa më shumë nga policët barbarë që i ndiqnin nga pas.

Ndërsa siç e pamë me video, të Dielën, aktivistet dhunohen ndërsa janë duke ofruar rezistencë tërësisht paqesorë.

Ky është rasti i parë për aq sa mbaj mend që policia ushtron dhunë të tillë të pajustifikuar. Dhe Lleshaj bën shumë gabim që ngatërron dhunën e mitingjeve opozitare kundër policisë me dhunën e të Dielës. Kur një qytetar shkon të sulmojë një institucion, është shumë normale që policia ta dhunojë. Në rastin konkret nuk kemi një situatë të tillë. Policia nuk është në mbrojtje të asnjë lloji institucioni. Ajo po dhunon qytetarët për të dhënë një mesazh dhune nga pushteti politik. Kjo është e turpshme.

Ndërsa sa i përket Gjeneralit Sander Lleshaj, ai është gjenerali që luftën e vetme që ka bërë ka qenë duke bombarduar me gaz lotsjellës popullsinë civile te Unaza e Re dhe te Bulevardi i Ri ndërsa këto të fundit ishin brenda në shtëpitë e veta. Nuk ka pasur asnjë urdhër gjykate për të lejuar veprimin e policisë. Ka pasur vetëm urdhër administrativ. Dhe kjo e bën veprimin e policisë në atë rast veprimin e një shteti policor.

Lleshaj bën shumë gabim që i mbush mendjen vetes se e ka bërë këtë në shërbim të ligjit. Bombardimi me gaz lotsjellës është bërë vetëm dhe vetëm në mbrojtje të korrupsionit sistemik, tenderëve të kryer pa garë, koncesioneve të paracaktuara.

You may also like...