Nevoja për një qeveri të pazgjedhur!

Megjithëse kërkesën për qeveri teknike opozita ka parashtruar që 9 muaj më parë, debati lidhur me të në ditët e fundit të korrikut mori një tjetër drejtim. Arsyet tanimë janë të njohura për të gjithë. I rihedhur në treg (apo të themi i rilindur?) për arsye politike nga kryetari i parlamentit Meta, propozimi për një qeveri teknike ri-ngacmoi ndjeshëm moralin e qeverisë së Ramës, aq sa aludimet për shpëtimin e këtij të fundit nga një fund i palavdishëm nga një qeveri e palavdishme teknokratësh qenë të ndryshme.

Ndonëse reforma në drejtësi u votua nga një shumicë sa utopike aq edhe qesharake, megjithëse Rama u përpoq, falë vallëzimeve të ligjërimeve ta aneksonte atë si një fitore të popullit (lexo të Ramës) dhe të miqve të Shqipërisë (lexo ambasadorëve), thirrja për një qeveri teknike i rezistoi edhe festës tek Pallati Presidencial.slide_26

Ujërat e një qeverie të tillë duket se nuk u qetësuan as kur Ilir Meta, vazhdonte të sqaronte propozimin e tij për largimin nga qeveria, përkundrazi ato rriteshin dita ditës. Takimet në restorante pranë ish-Bllokut, bare në krah të kryeministrisë, vila qeveritare e deri tek masazhatorë profesionistë, prodhuan një hartë magjepsëse tregimesh që fshihnin brenda numrin magjik dhe emrin e kryeministrit teknik apo kryeministres teknike.

Derisa, deputetë apo ish ministra nga foltorja e tyre sociale u shprehën se kjo tentativë e gjysmë-mazhorancës për qeveri teknike (pra duke mbështetur një kërkesë të kahershme opozitare) qe së pari një betejë brenda mazhorancës nga ku opozita nuk fiton asgjë dhe së dyti një kërkesë e pasaktë për një qeveri teknike në kushtet aktuale.

Historia postkomuniste e Shqipërisë ka njohur dy (mbase tre?) qeveri teknike (apo të pajtimit kombëtar). E para daton në vitin 1991 me kryeministër Ylli Bufin ndërsa e dyta daton në vitin 1997 me kryeministër Bashkim Finon. Arsyeja e krijimit të një qeverie teknike lidhen me faktorë të ndryshëm (më së shumti ekonomike) që shtyjnë parlamentin e vendit për të mos pasur më besim tek mazhoranca e votuar, duke shmangur për arsye të ndryshme zgjedhjet e parakohshme krijimin e një qeverie me përbërje teknokratësh. Me pak fjalë përbërja e qeverisë teknike do të ishte një teknokraci ku ministri do të ishte një teknokrat dhe jo një politikan apo administrator.

Rasti më i mirë që mund të na sjellë në mend historia është situata e qeverisë Monti në Itali apo Papademos në Greqi. Të dy këto qeveri teknike u votëbesuan nga parlamenti në mënyrë të tillë që të nxirrnin vendet e tyre respektive nga kriza e euros, duke qenë se qeveritë politike (të dala nga vullneti i zgjedhësve) kishin dështuar në këtë sipërmarrje.

Por a ka pasur realisht vendi jonë qeveri të tilla ekonomike?

Në pamje të parë duket se në të vërtetë qeveritë teknike të Shqipërisë (si ajo e Vilson Ahmetit ashtu edhe e Finos) qenë në fakt produkte tërësisht politike dhe jo teknokratike, pra jo mjete për një menaxhim teknokratik dhe apolitik, por instrumente për të kaluar pushtetin politik. Qeveria e Ahmetit erdhi si pasojë e prishjes së paktit për qeverinë e stabilitetit (kryesuar nga Bufi), ku Sali Berisha tërhoqi gjithë ministrat e tij nga qeveria e këtij të fundit. Ndërkohë që vetë qeveria e Bufit (një qeveri teknike e llojit të saj) erdhi si pasojë e një greve masive të punëtorëve ndaj qeverisë Nano, pra siç edhe vërehet qartë, por edhe siç mbahet mend nga ato që e kanë jetuar atë periudhë këto dy qeveri kanë qenë thjesht faza kalimtare për ndërrimin e forcës politike që do të qeveriste.

Për asnjë moment këto forca qeverisëse, nuk sollën atë ndryshimin cilësor që në letër sjellin qeveritë teknike, përkundrazi qenë produkte tërësisht politike për të mundësuar zgjedhje dhe ndërrime pushtetesh në situata të vështira për vendin. Këtë tezë e vërteton më së miri edhe qeveria e Pajtimit Kombëtar në vitin 1997, ku kryesuesi i saj qe Bashkim Fino (anëtar i Partisë Socialiste). Po të shihet përbërja e qeverisë teknike të atij viti do të shihet se ajo nuk mund të ishte teknike derisa të gjithë ministrat e saj kishin anëtarësi partiake dhe jo pavarësi ekspertësh.

Qeveria teknike e cila në thelb votohet nga politikanët por ka qasje tërësisht teknokratike, në vitin 1997 rezultoi të mos ishte gjë tjetër veçse një produkt tërësisht politik i partive politike të cilat përgatisnin terrenin për zgjedhjet e parakohshme. Për ta thënë më shkoqur, si qeveria e vitit 1991, ajo e 1992 por edhe ajo e 1997 ishin produkte të dakortësisë së politikës vendase, jo dhe aq për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, por më së shumti për të nxjerrë organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve parlamentare jashtë pushtetit ekskluziv të një partie.

Kjo vërtetohet lehtësisht nga konteksti i përmendur në secilin vit të kësaj analize të shkurtër që ky shkrim na mundëson por njëkohësisht kuptohet vetiu nga produkti që prodhuan zgjedhjet nën këto qeveri teknike. Kështu, pretendimi që opozita dhe gjysma e mazhorancës kërkojnë një qeveri teknike për hesape të ndryshme nga njëra tjetra dhe jo për shpëtimin e atdheut është një përpjekje inteligjente dhe një artikulim deri diku serioz nga ana politike, por i pabazuar.

Vetë ideja e një qeverie teknike që votohet nga një parlament politik është një kalkulim politik i secilës force politike për të maksimizuar votat e saj dhe mbi të gjitha për të mos u “përlyer” me reforma të ashpra që do të ndëshkonin mazhorancën (siç qe rasti i Italisë dhe Greqisë). Në rastin tonë, kemi të bëjmë me një kërkesë për arsye të ndryshme politike nga dy forca politike që Ramën e shohin si një e keqe që jo vetëm nuk mundëson përkthimin e vullnetit popullor në zgjedhje, jo vetëm që kërkon zotërimin e çdo pushteti por mbi të gjitha përbën një rrezik jetik për ekzistencën e vetë forcave politike.

Për këtë arsye, ndonëse qasja e forcave politike për një qeveri teknike është larg standardeve të kulluara për një të tillë, ato përmbushin plotësisht standardet e Shqipërisë për qeveri të tilla por edhe puqen me gjendjen e Sllovakisë në vitin 2011, ku gjendja e brendshme politike prodhoi një qeveri teknike.

Fatkeqësisht Shqipëria në këto dy vjet ka prodhuar një artificë të madhe që shitej sikur do të zgjidhte hallet e shqiptarëve, kjo artificë e fryrë qëllimisht nga qeveria dhe kryeministri qe si ato bombat artizanale që kalohej si stafetë për t’i shpërthyer “tjetrit” në dorë.

Artikulimi i qeverisë ishte i fokusuar totalisht tek reforma në drejtësi, e cila pasi u zgjidh duke lënë në të thatë kryeministrin, prodhoi një shterpësi lajmesh që njomen vetëm nga skemat për 71 deputetët e qeverisë Rama x apo asaj teknike. Ndërkohë që shteti ka reshtur së funksionuari si i tillë, duke prodhuar një apati dhe një përgjumje që ekonomisë sot e kësaj dite po i sjell një mbi faturim të dëmshëm duke e rënduar atë.

Nën këtë trysni, një qeveri teknike nuk do të ishte shpëtimi i ekonomisë (siç edhe nuk ka qenë asnjëherë në historinë e këtij vendi) por më së paku do të mundësonte realizimin e zgjedhjeve duke i dhënë hakun çdo force politike për gjendjen aktuale të vendit, dhe duke mos shmangur asnjë nga gjysmat e mazhorancës dhe as vetë opozitën nga përgjegjësitë për gjendjen në këtë vend.

Prandaj si politikisht, por edhe funksionalisht një qeveri e pazgjedhur nga populli por produkt i interesave politike të partive është në këndvështrimin tim, një hap në shërbim të zgjedhjeve që do prodhojnë forca politike që nisen nga kushte të barabarta si dhe një kod elektoral të ri e të zbatueshëm!

You may also like...