Nga diktatura e proletariatit në oligarkinë e proletariatit

No-RilskXhabyni

 

John Lennon në këngën e tij simbolike këndonte “A Working Class hero/is something to be”. Evoluimi që i ka ndodhur punëtorit shqiptar është poshtërues për sa i përket të drejtave që ai ka, prej komunizmit në demokraci punëtori jo vetëm që nuk ka fituar të drejtat që i takojnë por është nëpërkëmbur. Kjo është mbase arsyeja se përse sot e pas 20 vitesh ende dëgjon të rinj dhe të reja që të thonë në datën 30 Prill “Nesër është festa e 1 Majit, është pushim!”

Një herë e një kohë, në komunizëm flas, të gjithë dilnin në shesh duke qenë se sheshi ishte vendi ku në mënyrë madhështore sistemet totalitare dhe diktatoriale shpalosin fuqinë dhe madhështinë e tyre. Duke qenë se komunizmi shqiptar e quante veten si çlirimtar të proletarit kush më shumë se sa ai i takon që të festonte këtë ditë të shënuar përmes paradave dhe pikniqeve? Një festë e tillë nuk kishte assesi si të ndodhte fjala vjen në Gjermani apo ndonjë vend tjetër ku organizatat sindikaliste kërkonin të drejtat e punëtorëve dhe kundërshtonin Beun e keq kapitalist.

Mund të ketë disa syresh të cilët mendojnë se asokohe (pra ne kohen e Enverit) punëtorët kanë qenë më mirë, kushdo që mendon kështu le të pyesë pak ato që kanë punuar në superfosfatin e Laçit, Kombinat, Metalurgjikun e Elbasanit e kështu me radhë. Le të pyesin edhe ato që për të marrë një shtëpi u duhet t’i dilte bretku në ndërtim, për të kuptuar se në çfarë gjendje të mjerueshme ishin punëtorët dje.

Mirëpo nëse një herë e një kohë regjimi i detyronte njerëzit të besonin atë që Udhëheqësi dëshironte përse sot ne endemi sërishmi në kujtimet dhe ëndrrat e djeshme? Mos vallë lumturinë për të cilën na gënjeu komunizmi na e solli kapitalizmi alla shqiptar? Të dhënat janë shumë të trishtueshme për gjendjen e punëtorëve në vendin tonë, madje sa më shumë na rritet koeficienti për t’u futur në BE aq më shumë rritet edhe padrejtësia ndaj punëtorëve. Sheh të rinj dhe të reja që punojnë 8 deri në 18 orë në ditë punë, dikush mund të thotë që shumë mirë bëjnë se të rinjtë duhet të punojnë siç punojnë në Amerikë. Dakord do të kisha qenë dhe unë sikur këto të rinj që punojnë të paguhen edhe për orët shtesë, siç fundja ndodh në Amerikë apo siç edhe Kodi i Punës të detyron të veprosh. Por jo, të dashur miq, në këtë vend nuk paguhesh nëse punon jashtë orarit, nëse do të kundërshtosh shefin atëherë më mirë firmos largimin nga puna.

Në një shoqëri evropiane (meqë vdesim të jemi evropianë), ekzistojnë sindikatat të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve. Në vendin tonë, në periudhën e rrëgjimit komunist sindikatat qenë një me shtetin (s’kishin si të ishin ndryshe apo jo?) por megjthëse komunizmin ne e rrëzuam në vitin 1992 nuk mundëm do që sindikatat t’i shkëpusim nga shteti. Ato mbetën si një organ që shteti i përdorte sipas interesit të tij, njerëzit jo vetëm që nuk mundën do t’i marrin në kontroll këto sindikata por uzurpimi i tyre nga disa figura që i mbaj mend nga vegjëlia më bëjnë të mendoj se mos vallë kjo sëmundja e diktaturës na ka kapluar të gjithëve. Ndonjë cinik mund të hedhë edhe mendimin se sindikatat nuk na duhen sepse ato janë produkt i komunizmit, mirëpo nëse sindikatat nuk do të ekzistonin në asnjë vend të botës atëherë të drejtat e punëtorëve mbase kurrë nuk do ishin bërë detyrime ligjore të punëdhënësit ndaj punëmarrësit.

Duke humbur dhe përfaqësinë e vetme që shteti i mundëson (pra sindikatat) punëtorët janë kthyer ose në skllevër të partive ose në skllevër të pronarëve. Çfarë dua të them me këtë? E thjeshtë, a e mbani mend grevën e minatorëve të shkretë që ndodhi para disa vitesh në Bulqizë? Ata u ngritën kundër firmës e cila po i trajtonte në mënyrë çnjerëzore, opozita e atëhershme i mbështeti punëtorët (punë me mend deri këtu) dhe u premtoi se kur të vinte në pushtet ajo do t’u jepte të drejtat e munguara. Sot e kësaj dite minatorët vazhdojnë të trajtohen në të njëjtat kushte çnjerëzore dhe ministri i buzëqeshjes u mjaftua vetëm të hante një pjatë groshë me to. Nuk patëm asnjë reagim nga ana e Inspektoriatit të Punës për gjendjen e mjerueshme të këtyre punëtorëve.

Disa muaj më parë, faturinot dhe shoferët e autobuzëve urbanë u ngritën në protestë me arsyetimin “qeveria të lejojë rritjen e çmimit të biletës”. Po çfarë lidhje ka çmimi i biletës me protestën e faturinos dhe shoferit? E thjeshtë, pronarët kishin detyruar të dilnin në protestë punëtorët e tyre me arsyetimin që ata (pra pronarët) nuk kanë dhe aq para për të paguar rogat e punonjësve të tyre ndaj duhej rritur çmimi i biletave të urbanit. Qesharake apo jo? Të mendosh që faturinot dhe shoferët e autobusëve trajtohen si skllevër dhe që detyrohen të dalin në grevë me urdhër të pronarit…..të kujton administratën që del me urdhër në protestat apo anti-protestat.

Fatkeqësisht punëtorët kanë kaluar nga regjimi diktatorial në një regjim oligarkësh dhe më e rënda është se sot e kësaj dite nuk kemi ende një sindikatë që të mbrojë të drejtat e tyre. Sot e kësaj dite ende ne jetojmë me gëzimin e festës së 1 Majit, festë që nga nesër do të metaformizohet në Ditën e të Papunëve që Rilindja i fut në punë.

You may also like...