Nga vrima e brekëve
Kam mendimin që shoqëria shqiptare duhet të marrë realisht në konsideratë mendimin për të kthyer në simbol kombëtar brekët. Në harkun kohor të tre viteve, jo domosdoshmërish për faj të Rilindjes, ato janë shndërruar në emblemën e gallatës kombëtare por edhe simbol i shumëçka-je. Le të kujtojmë fjala vjen brekët e sekretarit të Kokdhimës, brekët e Liza Tabakut apo brekët e famshme të punonjësit të Bankës së Shqiprisë.
Mirëpo, sa më sipër nuk janë argument për të artikuluar se duhet të kemi tanimë brekët në vend të shqiponjës dy krenare simbolin tonë kombëtar. E tillë qe situata deri sa në skenë nuk doli videoja e Shukuri Xhelilit sepse nga brekët e tij arrita të shoh qartësisht konturet tona shoqërore. Pikërisht ai simbol përçudnues e deri grotesk apo butaforik më bëri të kuptoj, njësoj sikur të isha në një film të Herzog, çelësin e perceptimit të realitetit tonë.
Ajo vrima e mbathjeve që dukej qartë nga kamerat e montuara nga televizioni Ora Neës, më shpalosnin një pasuri të plotë arkivore që as më shkonte ndërmend se e kisha. Nga vrima arrita të shoh përtej poezisë së Rita Petros, fituese me meritë të plotë të çmimit letrar duke parë atë që po ndodh tani, lundrimin me skaf të qindra kilogramëve kokainë nga Sarandë në Zakinthos. Por dhe lundrimi me ndonjë pasaportë fallso e don Balilit për në Kuba njësoj si herr Frrokut për në Holandë.
E gjithë butaforia e një qeverie të zënë me sofizma pesë lekëshe që kulmojnë në sallën e kuvendit ku I gjati dhe i shkurtri flasin për ekonominë pa kuptuar se çfarë po flasin, duket se zbrazet në atë zhvillim të shpejtë të Xhelilit. Për të mos folur pastaj për Reformën Territoriale, që nga ajo vrimë e harruar e tregon më së miri se çfarë qe, Xhelili që vishte ndërkohë brekët territoriale me vrimë, vazhdonte të ndukte pa kuptuar që dikush po e sheh.
Vrima, është dhe simboli i qartë i atij që të zhbirilon me sy dhe pastaj të shantazhon me çantën e zezë. Apo dhe simboli i kryetarit të bashkisë që i është tekur të rikthehet edhe një herë lider protestash edhe pse është në qeveri, prandaj thërret administratën e bashkisë dhe administratorët e të fortëve për të rrethuar gjykatën.
Nuk mjaftohet me kaq por nga vrima e Bashkisë Tiranë hakërrehet ndaj të gjithëve, pa kursyer as presidentin për këtë të fundit pak syresh kanë respekt. Ndërsa skena vazhdon dhe intensiteti rritet mua më kujtohet Kokëdhima, që nga vrima ku është futur ulëret se Berisha gënjen (mos është hera e parë?) se Balil baroni nuk është shok i tij por i Metës.
Pastaj ulëret për herë të dytë duke nëmur ato socialistë bukëshkalë që një fjalë nuk e thanë për të mbrojtur nderin e tyre dhe mbi të gjitha të Sekretarit Organizativ. Ndërkohë nga vrima e televizionit ku nisi gjithçka vazhdon të tirret historia e vrimës, ndërsa këndi prej betoni ndërtohet në mes të parkut, por dihet që nga vrima nuk sheh dot shumë. Kjo është arsyeja që shumë pak media transmetojnë ende qëndresën atje.
Nga vrimat tona, populli vëren gjithë këtë skenë dhe qëndron stoik i zgjedhjes që ka dhënë sepse në mungesën e një morali dhe një ndasie se çfarë vlen dhe çfarë jo, kjo shoqëri ka zgjedhur të heshtë dhe të votojë. Faj për këto vrima që shohim brenda vrimës së Shukriut janë po aq ambjenti por edhe vetë, duke qenë se gajasemi duke qeshur dhe duke lodruar me vrimat që na ofrojnë. Kënaqemi me kaq, pak spektakël dhe mundësisht ndonjë vrimë që të luajmë apo dhe të bëjmë gjykatësin për viktimën që gjejmë në të!