Ngjarjet që vunë në gjendje lufte qeverinë e Berishës me Ambasadën Amerikane (2007-2011)

Wikileaks

Sefgjini, shkatërrimi i hetimit për Gërdecin, korrupsioni dhe tendenca diktatoriale e Berishës, ndryshuan marrëdhëniet

Kryeministri premtonte lëshim, ndërsa vijonte planet e veta për shantazhimin e vendit

Qindra kabllot diplomatike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë të publikuara së fundmi nga organizata Wikileaks nxjerrin në pah se si marrëdhëniet mes qeverisë dhe SHBA-së morën kthesë të papritur, nga marrëdhënie të shkëlqyera në marrëdhënie presioni të fshehtë dhe të hapur.

Në qendër të këtij ndryshimi qe një njeri: Ambasadori i karrierës John L. Withers II. Historian nga profesioni, i arsimuar në Harvard dhe me PHD nga Universiteti i Jellit, Ambasadori Withers rezulton një njeri që shfaqi për Shqipërinë një interes të veçantë, dashamirësi të theksuar dhe aktivizëm të jashtëzakonshëm për të shpëtuar vendin tonë nga plagët e veta historike. Nga raportet diplomatike të firmosura prej tij, tregohet lufta e tij e pakompromis kundër korrupsionit në politikë dhe më gjerë në shoqërinë shqiptare, përpjekjet për ta shpëtuar vendin nga tendencat diktatoriale të kryeministrit Berisha dhe përpjekja për të ndihmuar në funksionimin e gjykatave dhe sistemit ligjor në tërësi. Ambasadori Withers u emërua në Shqipëri në qershor 2007 dhe u largua në nëntor 2010. Raportet e tij diplomatike në gjysmën e parë të karrierës qenë pozitive si për Shqipërinë, ashtu edhe për qeverinë e kryeministrit Berisha, e cila në atë kohë pati ardhur në pushtet me një platformë antikorrupsion. Raportet e Withers në atë kohë i kushtonin vëmendje të veçantë zhvillimeve shoqërore e kulturore në Shqipëri. Raportoi mbi aktivitetet e Inva Mulës e Tedi Papavramit, dhe kreu vëzhgime të hollësishme mbi shqiptarët dhe politikanët e tyre.

Zhgënjimet e para duket se erdhën kur gjykata dha vendimet për akuzat ndaj Nikolin Jakës dhe zyrtarëve të tjerë të akuzuar për korrupsion. Gjykata dënoi Jakën me 19 muaj burg, një dënim ky i klasifikuar si “i dobët” nga Withers. (Jaka më vonë mori pafajësinë në Apel). Withers-it nuk i shpëtuan as prapaskenat politike që çuan në arrestimin e Jakës. Partia Demokristiane qe një aleate jokomode e Berishës dhe hetimi për korrupsion duket se synonte të vriste dy zogj me të njëjtin gur. Të eliminonte demokristianët dhe të fitonte kredenciale në luftën kundër korrupsionit, ku kjo e fundit nuk qe qëllim në vetvete.

Gërdeci, kthesa e madhe

Gjithçka dukej se eci mirë ose relativisht mirë deri nga gjysma e dytë e vitit 2008, kur hetimi për Gërdecin dhe sabotimet e kryeministrit ndaj hetimit, sulmet e tij mbi kryeprokuroren që ai vetë e kishte votuar dhe sulmet mbi median e pavarur, vunë në pikëpyetje kredencialet demokratike të Berishës.

Më herët, pavarësisht Gërdecit, ambasadori Withers i pati dhënë frymëmarrje Berishës duke i bërë presion opozitës për të mos e përdorur Gërdecin si argument për të destabilizuar qeverinë në prag të samitit të NATO-s në Bukuresht, ku Shqipëria u ftua për anëtarësim. Në 20 mars 2008, nën titullin “Ambasadori paralajmëron udhëheqësin e opozitës kundër humbjes së NATO-s,” Withers raporton për një takim me Edi Ramën. Duke e konsideruar situatën “të padrejtë por jetësore,” Withers bën të ditur se opozita duhet të heshtë për momentin. Të njëjtin mesazh, Ambasadori ia ka dhënë edhe Ilir Metës, por këtë të fundit thjeshtë e ka marrë në telefon. Komenti i tij në kabllogramin me kod 08TIRANA213 mbi hetimet në Gërdec është se deri në këtë moment, nuk ka shenja për presion politik mbi prokurorët.

Raporti i parë për Gërdecin i datës 17 mars me kod 08TIRANA200, por aty dhe kabllogramat vijuese bëjnë të ditur se anëtarësimi në NATO qe një çështje më urgjente. Në qershor 2008, ish-Shefi i Shtabit Luan Hoxha, i saposhkarkuar nga puna, kërkon takim me Ambasadorin Withers dhe i thotë se djali i kryeministrit Shkëlzen Berisha është i përfshirë në skandalin e Gërdecit. Gjenerali i thotë gjithashtu se ka frikë ta raportojë në prokurori këtë element.

Gërdeci u kthye në shqetësim serioz për ambasadën më vonë. Në janar 2009, Ambasada kritikon ashpër përpjekjen e qeverisë Berisha për të shantazhuar prokurorët e çështjes së Gërdecit dhe në veçanti prokurorin Zamir Shtylla përmes ligjit të Lustracionit. Në kabllogramin 09TIRANA35 vërehet se prokurori po bën marrëveshje me Berishën me ndërmjetës Ferih Baliu.

Në Shkurt 2009, kabllograma 09TIRANA96 vëren se Berisha është kthyer nga Uashingtoni në një vizitë të organizuar nga Fatmir Mediu dhe se po përpiqet ta shesë këtë vizitë si vula amerikane për qeverinë e tij.

Por kabllogramat për Gërdecin vijojnë të ashpërsohen sëbashku me shumëfishimin e përpjekjeve të qeverisë për të sabotuar hetimin dhe për ta larguar vëmendjen e prokurorëve nga Mediu drejt gjeneralëve.

Ambasadori Withers bëri një lëvizje të pazakontë diplomatike kur deklaroi publikisht në lidhje me hetimin për Gërdecin: “Qeveria dhe Populli Amerikan do të shqetësohen thellë në rast se ndonjë fraksion politik, parti apo udhëheqës bën deklarata apo ndërmerr veprime që në ndonjë farë mënyre vendos në axhendën politike atë që duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur bazuar në sundimin e ligjit.”

Demokracia

Withers filloi të shqetësohet për tendencat jodemokratike të Berishës në vitin 2008, Shqetësimet për demokracinë janë të lidhura ngushtë në fakt me Gërdecin. Kabllogrami 08TIRANA675 i shtatorit 2008 vëren se Berisha po përfiton nga anëtarësimi në NATO për të bërë hapa prapa në demokraci.

“Të marra sëbashku, përpjekjet e Berishës për të ushtruar kontroll më të madh mbi sistemin e drejtësisë, medias dhe shërbimeve sekrete, plus përpjekjet e tij për të dëmtuar hetimin për Gërdecin, tregojnë një tendencë shqetësuese. Emëruesi i përbashkët duket se është përpjekja për t’i ndaluar institucioneve më të rëndësishme mundësinë për të dhënë opinione të ndryshme nga ato të kryeministrit. Objektivi i tij afatshkurtër është kontrolli i hetimit për Gërdecin, në të cilin SHISH, gjykatat, prokuroria e media, që të gjitha luajnë në rol të rëndësishëm në nxjerrjen e marrëveshjeve të errëta të biznesit dhe korrupsionit që solli shpërthimin e Marsit, si dhe më e rëndësishmja, lidhjet e mundshme të djalit të Berishës, i cili është përfolur të ketë interesa biznesi në Gërdec,” – raportonte Withers.

Macja me miun

Pak më tutje, erdhi diskutimi për projektligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror, për të cilin, Withers dhe Berisha luajtën një lojë të gjatë macja me miun. Withers pati dalë në konkluzionin që Berisha po synonte të kthente shërbimin informativ të një vendi anëtar të NATO-s në një mjet në duart e veta, gjë që në rastin e Berishës, të sjell gjithmonë ndër mend periudhën ’92-’97.

“Në thelb, synimi i këtij ligji është që të kufizohet përgjegjësia për spiunazh të huaj të SHISH, të rritet përgjegjësia e këtij institucioni për spiunim brenda vendit, të kryejë funksionet e zbatimit të ligjit dhe të rrisë varësinë e institucionit nga kryeministri,” – raportonte Withers në atë kohë.

Në shtator 2008, Withers raportonte se Berisha, në një takim u soll shumë pozitivisht dhe ra dakord me të gjitha kërkesat amerikane. Kabllogrami 08TIRANA686 tregon se si Withers i shpreh shqetësimet Berishës fillimisht për projektligjin për Prokurorinë, pastaj atë për SHISH, projektligjin për median etj, dhe në të gjitha rastet, Berisha tregohet i gatshëm për t’u tërhequr. Withers e konsideron këtë ndryshim 180 gradë si një ndryshim në formë, dhe jo në përmbajtje. Në fakt, marrëdhëniet u ashpërsuan më tej gjatë diskutimeve për ligjin për SHISH, ku pavarësisht të gjitha kundërshtimeve, Berisha vijoi të këmbëngulë deri sa kur e çoi në parlament, disa deputetë të tij nuk morën pjesë qëllimisht në seancë duke sjellë dështimin e ligjit.

Dështimi i Hetimeve

Përpjekjet e kryeministrit për të ndërmarrë masa që bien ndesh me sugjerimet e Ambasadës së SHBA-ve, qenë të pasuksesshme për sa i përket ligjit të SHISH, Lustracionit apo ligjit për Median. Por ato duket se ia dolën qëllimit në sabotimin dhe shkatërrimin e proceseve hetimore më të rëndësishme, përfshirë Gërdecin, Rruga Durrës-Kukës, pastrimin e parave nga Damir Fazlliç etj.

Withers shkoi më tutje kur raportoi te Departamenti i Shtetit se qeveria, familja e kryeministrit, krerët e opozitës e sistemi i drejtësisë janë thellësisht të korruptuar. Ai bëri edhe një listë me politikanë shqiptarë që në këndvështrimin e tij, ka arsye të besohet se janë të lidhur me elementë kriminalë.

Pasi e pa të pamundur të bëjë funksionale demokracinë shqiptare, Ambasadori Withers i sugjeroi presidentit Bamir Topi dhe të gjithë popullit shqiptar të protestonin dhe të mos i pranonin këto padrejtësi.

Në kabllogramin 10TIRANA65, Withers i tha presidentit Bamir Topi se ai vetë dhe të gjithë shqiptarët duhet të ngrihen dhe të flasin. “Bashkësia ndërkombëtare mund t’i mbështesë veprimet e shqiptarëve, por nuk mund të flasë në emër të tyre apo në vend të vetë shqiptarëve,” tha Withers. Presidenti Topi duket se nuk ka vendosur ende të flasë dhe bashkë me të, edhe të gjithë shqiptarët.

Detaje

2006

Marrëdhëniet mes qeverisë dhe Ambasadës duket se janë të shkëlqyera. Qeveria nxitet të luftojë korrupsionin dhe lavdërohet për arrestimin e disa zyrtarëve të nivelit të mesëm

2007

Ambasada vijon të flasë mirë për përpjekjet e qeverisë kundër korrupsionit. Uashingtoni ofron fonde nga Sfida e Mijëvjeçarit për të zhvilluar kapacitetet qeverisëse të vendit

2008

Një sondazh i financuar nga USAID tregon se perceptimi i korrupsionit nga shqiptarët është në rritje. Ambasadori Ëithers i bën thirrje popullit shqiptar të luftojë korrupsionin

 

Gërdeci

Shpërthimi në Gërdec në 15 mars nuk dha pasoja negative në raportet e Ambasadës edhe për shumë muaj pas ngjarjes. Por kur kryeministri filloi sabotimin e hetimit, qëndrimi ndryshoi

Autoritarizmi

Ambasada veproi me shpejtësi në çastin kur kryeministri Berisha dëshmoi se parapëlqen t’i qeverisë shqiptarët duke shantazhuar përmes shërbimeve sekrete të gjithë kundërshtarët

Zhgënjim

Në maj 2008, refuzimi i Berishës për të shkarkuar nga detyra Arben Sefgjinin si dhe sulmi që ai i bëri gjykatës në e zhgënjeu Withers-in, i cili, ishte sensitiv për të drejtat e njeriut

Jaka

Dënimi me vetëm 19 muaj burg i Nikolin Jakës në qershor 2008 zhgënjeu më tej ambasadorin Withers. Ai vërejti se hetimi ndaj Jakës qe njëkohësisht sulm ndaj aleatëve demokristianë

Argita

Vajza e kryeministrit tërhoqi vëmedjen e Ambasadës në dy raste. Në dhjetor 2007 kur u vërejt se stafi i ri i kryeprokurores dhe shumë zyrtarë qëllonin të ishin miq shkolle me Argita Malltezin

Avokatja

Herën e dytë kur Argita Malltezi hyri në raportet e Ambasadës, ajo rezulton si një person që mund të zgjidhjë çdo çështje me shpejtësi marramendëse sepse ajo është vajza e kryeministrit

Gërdeci

Pengimi i hetimeve për Gërdecin nga kryeministri duket se qe akti që vulosi kapitullin e ri në marrëdhëniet mes qeverisë dhe SHBA-së. Shqipëria humbi mundësinë për miliona USD ndihma

Hetimi

Ambasada dokumentoi një seri përpjekjesh të kryeministrit për të sabotuar hetimin për Gërdecin dhe për ta larguar vëmendjen nga i biri dhe ish-ministri Mediu

Krimi

Ambasada gjeti një lidhje mes kryeministrit dhe krimin, kur drejtori i Policisë Hysni Burgaj u tha se Kuliçaj, i akuzuar për lidhje me krimin, kishte mbështetjen e Berishës

Narkotrafiku

Ambasadori Withers listoi gjashtë deputetë dhe zyrtarë si disa prej politikanëve të dyshuar për lidhje me narkotrafikun dhe pastrimin e parave nën titullin: “nga ligjthyes në ligjvënës”

Diktatura

Tendenca historike e Berishës për t’i qeverisur shqiptarët përmes shantazhit, arriti kulmin me projektligjin për SHISH, i cili synonte të përdorte shërbimin sekret për llogari të qeverisë

Thirrja

Sugjerimi i Withers për shqiptarët qe që të dilnin dhe të protestonin. Presidenti Topi dhe ish-shefi i shtabit e morën këtë porosi drejtpërsëdrejti. Që të dy vijojnë heshtjen

Botuar në gazetën Shqip më 4 shtator 2011

You may also like...