Një debat i zjarrtë, apokaliptik dhe krejtësisht bosh

deflated-balloonPërshtypje nga debati zgjedhor për taksë të sheshtë, progresive apo me gungë

Gjergj Erebara

U bë tashmë muaj që PD dhe PS janë angazhuar, a thua se bëhet fjalë për një çështje për jetë a vdekje, në një debat plot zjarr mbi faktin nëse Shqipëria ka nevojë për një taksim të sheshtë apo progresiv. Shprehjet e përdorura nga dy krahët politikë kanë qenë apokaliptikë. Berisha shpesh përsërit se taksa progresive do të jetë fundi i botës. Rama pretendon se në fakt fundi i botës ka ardhur dhe se ai do të na shpëtojë përmes taksimit progresiv. Berisha përmend një udhëheqës komunist të 45-ës, Marksin etj, si kampionë të taksës progresive. Rama përmend Obamën, Merkelin dhe shumicën dërrmuese të vendeve të botës që përdorin taksim progresiv.

“Taksa e sheshtë ka mbyllur 52 mijë vende pune[i],” deklaron PS.

“Taksa progresive është taksa shkatërrimtare[ii],” deklaron Berisha.

Në thelb, që të dyja palët po përdorin argumentin e taksës sheshtë apo progresive për të mos debatuar për problemet reale të vendit, deficitin dhe borxhin publik në rritje dhe tatimin tejet të ulët të fitimit për korporatat. Në thelb, ky është një debat krejtësisht bosh. Shqiptarëve as nuk u ka hyrë dhe as nuk u ka dalë gjë nga xhepi me vendosjen e taksës së sheshtë. Ky është një fakt që as Rama dhe as Berisha nuk pëlqejnë ta përmendin. Shqiptarëve nuk do t’u ndodhë pothuajse asgjë në rast se PS vendos skemën e saj të taksimit progresiv.

Arsyeja se pse ky është një debat bosh dhe shumë larg interesave realë të shqiptarëve, është fakti se shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të papunë, pensionistë, emigrantë, të vetëpunësuar në bujqësi, shqiptarë që mashtrojnë në deklarimin e pagës për të fshehur taksa, (deklarojnë pagë minimale) dhe të punësuar në shtet. Për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, ndryshimi i sistemit ka rëndësi zero. Zero e pati rëndësinë në vitin 2007, kur u vendos sistemi aktual. Ka shumë gjasa që e njëjta gjë do të ndodhë nëse kthehemi te sistemi i vjetër.

Një përrallë nga viti 2007

Berishës i qe mbushur mendja aty nga gjysma e mandatit të parë, pasi qe mërzitur e nuk kishte çfarë të bënte deri sa të vinin zgjedhjet pasardhëse, se një koncept novator vendos një normë takse të barabartë për të gjithë pavarësisht nga niveli i të ardhurave. Është një politikë e djathtë, i thanë. Problemi është se të vendosësh një taksë, të barabartë apo të pabarabartë, duhet gjithsesi të kesh kë të taksosh. Dhe Shqipëria nuk qe, (dhe vijon të mos jetë) një vend ku ke ku të taksosh mes rrogëtarëve. Në atë kohë Shqipëria kishte pagë mesatare të deklaruar prej 220 dollarësh në muaj[iii]. Sido që ta vije formën e taksimit, vështirë se të bënte ndonjë diferencë. Njësoj sikur të thuash se dua të taksoj lypësat, apo cigareshitësit. Mundesh, por nuk është se nxjerr shumë para!

Qe pastaj fakti që një e treta e atyre që marrin rrogë në Shqipëri janë punonjës shteti. Në rast se zbatohej taksimi i sheshtë teorik, siç qe propozuar, këtyre 170 mijë shqiptarëve do t’u ulej rroga me 10 për qind.

Por kur i thotë gjërat Berisha, nuk ka burrë nëne t’i dalë përpara e t’i thotë se e ka gabim, ose, akshe-akshe, ia ka fut pordhës kot.

Rrjedhimisht, me t’u thënë se Shqipëria duhej të bëhej shtet me taksë të sheshtë, aparatçikët i hynë punës që Shqipëria ta kishte një taksë të tillë. Buxhetorëve, pra një të tretës së të punësuarve, iu kompensua nga buxheti i shtetit humbja që mund të pësonin nga vendosja e taksës magjike. Në fund të muajit, atyre iu rrit rroga me 10 për qind dhe kjo rritje rroge iu mbajt si tatim mbi të ardhurat personale. Megjithë zhurmën mediatike, jam i bindur se shumica e rrogëtarëve të shtetit as nuk e ka mësuar kurrë se iu rrit rroga dhe iu rritën taksat njëkohësisht. Në fund të muajit mori po të njëjtën rrogë në xhep.

Për sektorin privat, skema qe më e bujshme. Nuk është ndonjë sekret se pothuajse të gjitha rrogat e sektorit privat deklarohen më pak se sa realiteti. Kështu ka qenë gjithmonë. Rrjedhimisht Ministria Financave deklaroi se taksat do të paguheshin mbi disa rroga referencë. Prodhoi dokumente Excel me mijëra rreshta ku sipas mendjes së aparatçikëve, duhej të qe paga në çdo sektor, çdo profesion e çdo gradë të sektorit privat. Një kamerieri përshembull, iu përcaktua paga 17 mijë lekë. Paga e tij reale qe 7 mijë lekë. Pjesën tjetër të të ardhurave e siguronte nga bakshishet. Duke dëgjuar lajmet në televizor, kamerieri mendoi se ndoshta qeveria do të detyronte pronarin e tij t’i jepte një pagë më të lartë. Por pronari i tha se duhej të shkonte në bankë, të merrte 17 mijë lekë pagë dhe t’ia kthente 10 mijë lekë. Në fakt, qeveria pati gjetur një mënyrë për të rritur taksat. Në fund, dardha e ka bishtin prapa. Një kamerier me pagë 7 mijë lekë në muaj, u detyrua të përdorë shërbimet e një banke dhe të paguajë komisione te banka.

Po në të njëjtën kohë kur kamerieri përballej me faktin se rroga e tij nuk qe rritur, por taksat që pronari do të paguante qenë rritur, një gazetare që punonte për një agjenci të huaj lajmesh i raporton redaktorit të vet se qeveria shqiptare ka miratuar një listë me paga referencë për të gjithë ekonominë. “Mos je e çmendur?” iu përgjigj redaktori. “Asnjë vend nuk mund të përcaktojë nivelin e pagave të sektorit privat!” Në fakt, gazetarja i kishte trutë në vend. I çmenduri gjendej gjetkë!

Por pati edhe të fituar

Taksa e sheshtë nuk është se nuk pati asnjë efekt. Shumë korporata të huaja monopoliste apo oligopoliste fërkuan duart. Bilancet e tyre janë rëndshëm të manipuluara “brenda hapësirave ligjore” përmes transferimit të fitimit në shpenzime të paqena për kompanitë nëna. Por arritën të përgjysmojnë tatimin mbi fitimet e pakta të deklaruara dhe në fakt, qenë përfitueset kryesore[iv].

Këto fitime me të drejtë duhet të taksohen më shumë. Qeveria dhe vetë kryeministri e kanë kuptuar këtë gjë[v]. Në vitin 2011, deklaroi se do të taksojë më shumë korporatat e huaja në sektorin e telekomunikacionit dhe bankave. Por një muaj më vonë, vetë Berisha deklaroi se ndryshoi mendim[vi].

Disa thonë se qe ‘sedra’ pra frika se mos po pranonte një gabim të kryer në të shkuarën, ajo që e bëri të ndryshojë mendim. Por ka që thonë se në fakt tërheqja u shkaktua nga presioni nga korporatat.

Nga ana tjetër, për të kompensuar uljen e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, qeveria rriti akcizën e cigareve, akcizën e naftës dhe taksat mbi makinat. Shkurt, taksa e sheshtë qe një sistem në pasurimin e aksionerëve grekë, austriakë e anglezë të ekonomisë shqiptare dhe kompensimi i humbjeve përmes taksimit të shtresës së mesme.

Rikthim fals te taksa progresive

Shqiptarët që kanë rrogë deri në 20 mijë lekë paguajnë 1 mijë lekë tatim mbi të ardhurat personale. Me sistemin e vjetër, paguanin 440 lekë[vii]. Duke përjashtuar të punësuarit e sektorit publik, një rikthim te sistemi i vjetër do të ketë një përfitim minimal për të gjithë shqiptarët prej pak miliona eurosh në vit. Nga ana tjetër, korporatat e huaja, të cilat kanë përfituar dhjetëra miliona euro nga ulja e tatimit mbi fitimin, do të vijojnë t’i shijojnë këto fitime, ndërkohë që shqiptarëve u ulen taksat me një vend dhe u rriten me një vend tjetër.

Vështirë se mund të ketë një opozitë më të paaftë në hartimin e politikave reale dhe konkrete, qofshin këto edhe politika të fryra dhe jorealiste, se sa kjo e jona. Opozita duket e vendosur të bëjë zhurmë pa thënë asgjë, pa cenuar interesin e askujt, pa dhënë asnjë premtim. Ka do lobues biznesi që sakaq mburren nëpër Tiranë duke thënë se janë pikërisht ata që e kanë bindur opozitën të mos e rrisë tatimin mbi fitimin e korporatave, por ta kufizojë retorikën e vet te tatimi mbi të ardhurat personale.

Për qeverinë, përqendrimi te një debat i tillë ka gjithashtu leverdi. Ajo nuk ka pse të japë përgjigje për borxhet e stërmëdha ku po e zhyt vendin dhe as për një qerthull kompanish të lidhura me kryeministrin që shmangin dhjetëramilionë euro taksa. Kryeministri nuk ka pse të mos merret me taksën e sheshtë, sepse përndryshe duhet të flasë për grabitjet e pafundme që i bën vendit.

Në këto kushte, nuk duhet të na habisë se si sistemi i tatimit mbi të ardhurat personale, të marrë kaq peshë dhe të debatohet me kaq zjarr. Një temë e padëmshme, tërësisht e pakuptueshme dhe që mund t’i polarizojë shqiptarët në vijat ndarëse majtas apo djathtas, komunist apo antikomunist dhe në fund, të mos ndryshojë asgjë.

[i] http://www.ps.al/te-reja/taksa-e-sheshte-ka-shtuar-papunesine-dhe-korrupsionin-20-02-2013/

[ii] http://km.gov.al/index.php?fq=brenda&m=news&lid=17881

[iii] Burimi: Instituti i Statistikave: http://www.instat.gov.al/al/figures/statistical-databases/Present.aspx?rxid=9136ec66-8102-418b-b255-083f5db696ea. Aksesuar më 11 mars 2013

[iv] http://www.monitor.al/10-kompanite-me-fitimin-me-te-madh-1804/

[v] http://www.albanianeconomy.com/news/2011/04/22/albania-plans-to-cancel-the-flat-rate-on-corporate-profit-tax/

[vi] http://www.albanianeconomy.com/news/2011/05/06/albania-suspends-plans-for-corporate-profit-tax-reform/

[vii] http://gazeta-shqip.com/ekonomi/c2d2432271de4ac5bf310bef29c33d21.html

You may also like...