Një falënderim dhe një thirrje për gjeneratën ‘90

1463674_10151690316431750_80677171_nGjergj Erebara

Kur ju lindët, Shqipëria qe në gjendjen më të tmerrshme shpirtërore që mund të ketë qenë ndonjëherë. Varfëria nuk mund t’ju shqetësonte ju në atë kohë, siç vriste shpirtin e gjeneratës ’70, apo edhe gjeneratës sime, por vetë varfëria materiale e atyre viteve qe vetëm një pjesë shumë e vockël e problemit.

Ne patëm humbur besimin e të qenit shqiptarë, të qenit anëtarë në një shoqëri. Shoqëria shqiptare nuk qe e jona, qe e klasës sunduese. (Ajo vijon mbetet e klasës sunduese, por sot ka një shpresë.) Mbërritën deri në atë pikë sa kishte prej nesh që kërkonin në gjenealogjitë gojore familjare ndonjë rrënjë të largët dhe papritur u mbushej mendja se kishin origjinë maqedonse, bullgare, turke, greke, serbe, hungareze apo italiane. Të qenit me një origjinë të largët nga një vend i ndryshëm nga Shqipëria qe më mirë se sa të qenit shqiptarë. Kaq poshtë kishim rënë!

945789_10151690289541750_117964332_nQenë vite konfliktualiteti të brendshëm të ushqyer nga lufta e klasave në komunizëm. “Çdokush mund të qe armik”, qe parimi i sundimit të komunizmit.

Dhe ne ishim zënë nën marionetat e antinjeriut dhe nuk arrinim të shihnim njëri-tjetrin në sy, dyshonim ndaj çdokujt ndërsa politikanët tanë vijonin të na përçanin duke përdorur një makinë të ndyrë propagande që sot ka marrë emrin “media konvencionale”.

Në fund të vitit ’90, kur ju ishit foshnja apo sapo kishit lindur, të rinjtë e Shqipërisë u ngritën të zemëruar kundër regjimit komunist. Zemërimi i tyre qe i drejtë, metodat, organizimi dhe artikulimi, për fat të keq, kishin defekte që vinin si pasojë e izolimit. Shpejt pas ’90-ës, shumica e atyre që dolën në shesh, hoqën dorë nga krijimi i një shoqërie normale dhe ikën në emigrim.

Brezi juaj, i shqiptarëve të lindur pak para ose pak pas viteve ’90 është ndryshe. Ju e shihni njëri-tjetrin në sy dhe keni mundësi të pamasa për t’u informuar. Informacioni i pamatë e bën të pamundur që ju të gënjeheni, apo “të disinformoheni” siç tha dikush në lidhje me protestën tuaj.

1454868_10151690451766750_1812266626_nDhe për këto kushte, për faktin se jeni të lirë nga paragjykimet dhe ndasitë, dhe jeni të mirinformuar e të pamanipulueshëm, ju keni shansin të ndihmoni veten tuaj dhe Shqipërinë për ndërtimin e një vendi normal. Një vendi demokratik, pa korrupsion, ose me korrupsion që ndëshkohet.

Ju e keni këtë shans, ju dini ta bëni! E pamë në bulevard para kryeministrisë më 15 nëntor! Treguat forcën dhe vendosmërinë tuaj aq sa i trembët edhe propaganduesit më të qelbur dhe më të paskrupullt të epokës së ndyrë post-komuniste shqiptare. Disa ju quajtën “të manipuluar”, të “gënjyer”, të “keqinformuar”, të “përdorur”. Por në fakt ata ishin manipuluesit, gënjyesit, keqinformuesit, përdorësit.

Pavarësisht se ju i keni mundësitë të ndryshoni Shqipërinë një herë e përgjithmonë, puna që ju pret nuk është e lehtë. Ju duhet të merrni përsipër sfidën që ju ka dhënë vendi.

Protesta e 15 nëntorit qe vetëm nisja! Tani ju duhet një përqasje më skematike, më e koordinuar, më e organizuar. Betejat për një Shqipëri normale do të jenë më komplekse se sa JO!-ja kundër armëve kimike.

1425206_413188342141592_1789072583_oJu duhet të organizoheni, të krijoni klube, shoqata, organizata, sipas interesit të gjithkujt. Nëse dikujt i pëlqen të luaj futboll, le të bëjë klub. Nëse dikujt i pëlqen të lexojë libra, le të bëjë klub. Nëse dikujt i pëlqejnë çështjet mjedisore, i pëlqen të luajë shah, tavull, apo i pëlqen të pijë bar, i pëlqen politika apo çdolloj gjëje tjetër, le të bëjë klub.

Vijini një emër klubit, bëni zgjedhje demokratike, zgjidhni dy drejtues me afat të kufizuar, (caktojeni vetë afatin), gjashtë muaj, apo një vit. Konsiderojini udhëheqësit si administratorë të pronës së përbashkët, të punësuar prej jush dhe që ju japin llogari juve. Mos lejoni udhëheqësit e përjetshëm. Nëse dikush është një udhëheqës shumë i mirë, ai do të dijë të kontribuojë shumë për grupin si udhëheqës apo si anëtar. Pra nuk ka kurrfarë arsyeje që një udhëheqës të qëndrojë udhëheqës përgjithmonë.

Pasi ta keni krijuar klubin, bëni takime të rregullta, diskutoni, ballafaqoni idetë që keni me njëri-tjetrin dhe në respekt të njëri-tjetrit. Mos u përpiqni t’i impononi mendimet tuaja të tjerëve. Nëse e shihni se ka një çështje kardinale për të cilën nuk jeni dakord, dilni nga ai klub dhe hyni në një klub tjetër ku keni përputhje më të lartë mendimesh. Mos prisni që të gjithë të jenë dakord me gjithçka.

Shpallini dëshirat dhe interesat tuaja publikisht dhe me zë të lartë. Në këtë mënyrë do të jeni në gjendje të triumfoni ndaj të keqes dhe të arrini të mirën. Por për të bërë të gjithë këtë, ka nevojë që ju të organizoheni, të krijoni klube interesi, të kryeni takime të shpeshta, për ballafaqime politike apo për qejfin tuaj, të ballafaqoni mendimet që keni dhe t’i mbroni dëshirat e interesat tuaj.

Ata që kanë frikë se ju po u merrni pushtetin e kanë kot. Ata janë një tufë injorantësh të pashpresë përballë jush. Ata mund të dalin në televizor, por nuk dinë asgjë. E ardhmja ju takon juve! E vetmja gjë që duhet të bëni është që ta merrni në duart tuaj. Dhe Shqipëria do të jetë krenare për ju. Pas 100 vjetësh apo 500 apo 1 mijë vjetësh, do të thuhet se ju bëtë Shqipërinë një vend normal.

Çfarë prisni?! Bëjeni!

You may also like...