Një fletë ditari për 2 Prillin

Sot pakkush e kujtoi, Arben Brocin, këtë student të vrarë nga regjimi i shkuar në grahmat e fundit të ekzistencës së tij si sistem totalitar, madje harruan ta kujtojnë edhe liderët e pavdekshëm të sistemit post-komunist, harruan ta kujtojnë edhe fotografët që në celuloid kanë vendosur gjithnjë e më shumë Liderin e vetëm të demokracisë (ju e dini për kë e kam fjalën) duke retushuar gjithnjë e më shumë protagonistët e tjerë apo akoma më mirë duke i angazhuar në disa foto që i nxjerrin në plan të dytë.165442_603922482971014_677782663_n

Harruan ta përmendin edhe kryeministri i flakët, që në refleksionet e dikurshme i kushtonte faqe të tëra por edhe politikani “pragmatist” e kishte harruar këtë ditë. Në fakt kështu jemi mësuar të bëjmë që nga koha e Merhumit (shokut Enver) e kështu ndodhi dhe këtë 2 Prill, të gjithë e harruam, jo vetëm si ditë përkujtimore por i kemi harruar dhe premtimin se do të dënonim vrasësit e tij. (Kush kërkon përse-të e mos dënimit të vrasësve të 21 Janarit le t’i hedhë një sy historisë se do gjejë perla të nxira)

Fundja nuk kemi asgjë të re, kjo shoqëria jonë dhe politika jonë është ndërtuar mbi harresën, të qeshurën dhe lajtmotivin bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës të gjithë. Prandaj “etlitat” e sotme politike nuk e kanë për gjë që të harrojnë të shkuarën edhe nëse kanë qenë instrumente të së shkuarës, prandaj me shumë mundësi, u harruan krimet e komunizmit, u harruan anëtarët e lidhjeve të shokëve shkrimtarë dhe intelektual, në pak fjalë u qesh me të shkuarën dhe u harrua gjithçka duke materializuar thënien e liderit (pre)historik “Të gjithë bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës”. Që të jesh sot një dëshmor demokracie duhet me patjetër që në kurikulumin tënd të kesh një përjashtim nga partia apo një sjellje prej “arroganti” ndaj Liderit dhe më pas të dy këto sjellje duhet t’i plotësosh duke u rikthyer si djali plan prishur pranë babait. Atëherë e meriton një bust, meriton një titull si baba apo meriton dhe një hyjnizim me këngë epike.

Edhe mediat, ato kafshët e reja të pushtetit, lajkataret që gjuajnë ditëlindje me 600 të ftuar apo konferencat me llak e lustër e kishin harruar sot Arben Brocin. Por edhe kjo s’duhet të përbejë habi ato  janë të specializuara në promovimin e talenteve të reja nga vila e Merhumit, apo në intervistat se sa herë në ditë ushqehej ai e kështu me radhë. Kështu që Arbeni mbeti i vetëm, e më mirë kështu xhanëm; mbase as ai vetë nuk do të dëshironte të përmendej nga gojët e shëmtuara të atyre që me kinse hodhën bustin.

Kështu, miq nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të përkujtojmë në këto fletë ditari dhimbjen dhe pas kësaj dhimbjeje që mund të mbushet dhe me nerv i bëjmë një autorironi ndaj vetes dhe kësaj kohe si për të shpëlarë veten nga mëkati i pafuqisë për të triumfuar mbi komunizmin në mendjen dhe shoqërinë tonë.

You may also like...