Një fletë ditari për 5 Majin

Nga sa më poshtë është shkruar nga Enver Hoxha në ditarin e tij në ferr!

…5 Maj 2014

10308259_492585927535166_7379759054929491533_n

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, duke nderuar fotografinë e Shokut Enver Hoxha në Berat më 5 maj 2014.

Sot është një ditë e veçantë. Jo vetëm prej faktit se po gjej disa minuta për të shkruar në ditar mbi këtë ditë që më kujton jo pak. Sa herë më kujtohet diçka ndjehem edhe i trazuar në atë pak shpirt që kam pasur, se ndërgjegje unë nuk di të kem patur. Kështu vendosa të hedh disa të vërteta në letrën e bardhë të këtij ditari sepse kam dëgjuar që duhet të jesh i sinqertë me dikë apo me diçka që fjala jote të ketë peshë.

E kot ta fsheh faktin që në këto rreshta ndikuan dhe bijtë e mi të dashur, secili nga pak, të cilët më kujtuan dhe përkujtuan mua Komandantin e madh të vendit. Të kthehemi tek kjo ditë madhështore, me të cilën kam kujtime të mrekullueshme. Më kujtohet se kjo ditë asokohe, kur edhe unë isha i fortë, vinte pas paradave madhështore të ushtrisë që ndërtova dhe e pastrova nga poli-agjentët çdo pesë vjet. Ushtarët marshonin dhe ne i tregonim botës se megjithëse ishim barktharë (sidomos pasi u ndamë nga Kinezët) qemë në gjendje të mbrojmë atdheun. Të gjitha paradat bëheshin në emër të mbushjes së mendjes se jo vetëm që ishim vendi me mirëqenien më të madhe por edhe se jemi vendi me ushtrinë më të fortë.

Pas paradave ku shihja portretin tim gjithnjë e më të ri në moshë, edhe kur unë u bëra gjithnjë e më i rrjedhur, vinte dita e bukur e dëshmorëve. Që në mëngjes ngrihesha i rinuar dhe i lumtur, e puthja Nexhin dhe ledhatoja fëmijët (apo dhe mbesat me nipat) më pas; unë, Nexhmija dhe fëmijët (pastaj edhe nipërit e mbesat) shkonim në varrezat e dëshmorëve dhe atje filloja të lotoja. Nuk e di se nga më vinin këto lot, një herë mbaj mend që Nexhmija më pyeti në qenë të vërteta apo unë isha bërë një aktor i përkryer duke parë filma nga Hollywood-i? I thashë që hera herës qenë të vërteta. Qenë të tilla sepse më kujtohej se si nga një djalosh u bëra ai që u bëra, ja dhe ne diktatorët kemi ndonjë brerje ndërgjegje (megjithëse unë kam patur shumë pak).

Siç ua thashë ndjehesha i ngazëllyer në atë ditë, madje edhe në 5 Majin e fundit që bëra në atë botë u ndjeva sikur kisha dalë prapë nga barku nënës. Shkoja tek varrezat dhe shihja që shumicën e atyre heronjve i kisha vrarë vetë me dorën time dhe po vetë i kisha bërë heronj. Pastaj hidhja sytë majtas e djathtas dhe shihja se si nga viti në vit ndryshonin ato që më shoqëronin. Në këto fletë ditari më duhet të pohoj se ajo që njerëzit kanë dyshuar, pra për vrasjen e Qemalit, është e vërtetë. Unë e spiunova Qemalin, tani në fakt nuk e mbaj mend në shkova me këmbët e mia ta tregoja ku qe apo nëse e mendova dhe e dëshirova aq fort sa mu bë realitet. Por, di të them që unë e bëra. E ngaqë ai djalosh ishte hapi i parë i imi drejt një pushteti, mendova ta nderoj. Fundja ne nuk kishim fort djem të zgjuar asokohe, shumica e partizanëve qenë të pashkolluar, sidomos ato që më mbetën në krah në vitet e fundit.

Kështu, 5 Majin e përkujtoj si një ditë me diell. Një ditë të bukur dhe të lumtur ku shkoja në shtëpitë e dëshmorëve dhe i përgëzoja të gjithë duke u folur çdo vit për arritjet e Partisë, që nuk do qenë arritje nëse ato s’do vdisnin. Prandaj, duhet të kuptoni që unë i vrava ato me një qëllim të pastër në vetvete dhe më vjen inat që këtë qëllim nuk e kupton askush tjetër përpos adhuruesve të mi dhe bijve të mi intelektual si Paskali dhe Pëllumbi. Të dy këta djem që i rrita me shpirt përmes veprave të mia dhe i bëra ato që janë sot i dua fort. Sa herë kanë pasur mundësi më kanë nderuar dhe kanë folur me respekt për mua. Por, më lejoni të rikthehem tek dita e bukur e dëshmorëve.

Ajo ditë planifikohej që një vit më përpara, sepse unë në çdo vit nxirrja nga një armik dhe më duhet të dija se cili ishte armiku dhe cili nuk ishte më armiku. Ja, një herë më gjeti belaja me Mustafa Gjinishin. Unë nuk e mbaja mend në ishte viti që ishte armik apo në ishte viti që e kishim rehabilituar (në fakt ishte viti armikut) dhe unë shkova tek shtëpia e tij.

Por sado lumturi që më sillte dita e dëshmorëve në kohën time, nuk ndjeva lehtësim më të madh në këtë botë ndëshkimesh se sa kur pashë se si të dashurit e zemrës time më dërguan portretin pranë varrezave ku unë dikur prehesha. Megjithëse e kam të vështirë të lexoj sjelljen e birit tim Edi, i cili kësaj radhe kishte vendosur të shihte me kujdes, por ia fal. E kuptoj, ai tanimë ka përtypur gjithë atë mut që ka lëshuar për mua në rininë e tij të hershme, madje e kuptoj edhe kur shan vëllain e tij Sali si komunisti i fundit. Unë i kam mësuar nga këtu (përmes letrave) që të shajnë njëri tjetrin që popullin tim ta mbajnë në gjendje gatishmërie. Njësoj siç unë e mbaja në gatishmëri me paradat dhe propagandë.

Por le të kthehem tek çasti kur Nexhmija erdhi pranë varrit tim, e unë po vuaja me kamxhikët e zjarrtë dhe po ulërija, ajo më tha “ah more Enver, të do dhe Nasipi”…aty u lumturova. E kisha dëgjuar Nexhmijen të më thoshte që në Kosovë dhe në fshatrat e Maqedonisë këndohet ende kënga ime “Enver Hoxha Tungjatjeta” dhe nuk qesh lumturuar nga fakti që një ministër drejtësie më nderoi duke u përkulur. As në ëndrrat më të bukura se kam parë këtë skenë. E pra, e kisha të dëgjuar këtë emër…. Nasip Naço, shoku i vogël më kishte nderuar duke u përkulur, njësoj si në vegjëli që më kishte ardhur në prehër. Pastaj Nexhi më tregoi se si i bukuri Pandeli, që gjithë kohën rri duke qeshur edhe kur s’ka arsye të qeshë, kishte nderuar me grusht njësoj si i ati i tij. E të mendosh që unë s’kisha besim tek një derdimen si ai por ja që të vjen mirësia nga ai që s’e pret.

Por ngazëllimi më i madh erdhi kur pashë filizat e vendit tim të nderojnë me grusht. Çfarë kënaqësie që ndjeva në ato çaste, sa që në vend që të ulërija fillova të qesh sepse e kuptova çfarë bijsh kam rritur! Nexhmija më tha që ishte e mbesa e shokut Simon Stefani që kishte udhëzuar pionierët e mi të vegjël që të nderonin me grusht. Ndërsa i hedh këto mendime në kartë po shoh Hitlerin, ah more Hitleruc të arrita edhe të kalova. Gjatë luftës së dytë botërore ti nxore në luftë disa gjerman të vegjël, tani asnjë gjerman i vogël nuk del në luftë për ty. Ndërsa mua, shiko më duan edhe sot fëmijët, më nderojnë me grusht edhe sot pas vdekjes sime.

Por surprizat nuk kishin të sosur në këtë 5 maj sidomos kur shoku Luan nderoi me një humanizëm të shtirur (njësoj si unë një herë e në vakt) Qemalin, e duke qenë se nderoi Qemalin ai u përkujdes që të më lëvdonte mua tamam siç e do zakoni i kësaj dite. Meritat për Luanin vazhdojnë të rriten kur ai u vendos përballë renegatëve, ai më mbrojti me përkushtim, u habita se si ka mundësi që asnjë nga socialistët (që edhe partinë e trashëguan prej meje) nuk më nderoi siç e prisja. Nuk po flas për djalin e Thanasit, se ai është një pijanec muti që jetën e shkoi me kurva ndaj e hoqa nga partia dhe ia dhashë Edit. Prandaj më duhet ta them që shoku Gramoz ka folur drejt dje ndërsa kritikoi shoqet dhe shokët e partisë sime që nuk u treguan aq të devotshëm në adhurimin ndaj meje. Madje, për të qenë i sinqertë, partia socialiste mu duk më shumë si partia demokratike. Këtë të fundit unë mund ta kuptoj xhanëm sepse kanë hallin e të përndjekurve dhe ish pronarëve që për vite i kanë mbajtur me rrena dhe ua kanë shaluar mirë muhabetin. Kështu këtyre të fundit u kam dhënë lejen të zgjedhin heronj sa të duan, por kuptohet heronj të post demokracisë, ndaj shkojnë e nderojnë heronj të lodhur që deri në 90’ më kishin mua baba. Por, s’mund të toleroj dot këtë poshtërim që partia ime e bën.

Në gjithë këto ngjarje kam filluar të mendoj që Iliri po bëhet biri im i preferuar, edhe ai e nisi keq. Më doli kundër në fillim. Por, po ia fal qerratait sepse asokohe qe shtangist, nuk merrte erë nga politika pastaj e gënjeu dhe shoqëria. Mirëpo me kalimin e viteve e kuptoi që vendi i tij në histori mund të futet vetëm nëse qëndron në krye të pushtetit e duke ruajtur pushtetin e klasës së djeshme. E kemi thënë që kurrë klasa e të shtypurve nuk mund të vijë në pushtet sepse ne me gjak e morëm dhe me gjak do ta lëshojmë pushtetin prandaj mendoj se Iliri mëshiron më mirë këtë thënie. Sa për Edin, ai e prishi pak dorën këto çaste, por jam shumë i bindur që me vdekjen e ndonjë artisti të madh ai do të më lumturojë edhe një herë duke i bërë një mort madhështor. Njësoj sikur unë të qesh gjallë.

Majko-me-grusht-lart

Drejtues socialistë duke nderuar me grusht më 5 maj 2014 në Tiranë.

Gazetarët dhe mediet janë njerëzit e mi të dashur gjithashtu, ja kujdesen që përditë të nxjerrin në intervista bijtë e mi, gruan time, nuset e mia. Fort i dua ato gazetarë dhe gazetare që nuk e kuptojnë çka ndodhur asokohe dhe më trajtojnë sikur unë të kisha qenë një hero. Pikërisht të tillë gazetarë më duhen, gazetarë që të më tregojnë që unë jam njerëzor dhe i prekshëm gjithashtu siç jam dhe i paarritshëm. Kështu edhe filizat e reja të kombit do të më duan dhe do të më trajtojnë jo si një përbindësh që jam por si një qenie njerëzore. Madje është edhe falë tyre që të rinjtë e sotëm mendojnë se në atë kohë kemi pasur art, sport, zhvillim ekonomik, emancipim të grave, zhvillim të shoqërisë nga prapambetja e kështu me radhë. Falë këtyre medieve, gjithashtu, po vazhdon të induktohet psikologjia totalitare që unë e kisha aq shumë përzemër në vitet kur qeshë gjallë.

Janë këto detaje që më bëjnë të ndjehem i gëzuar që sot pas kaq viteve unë jam ndryshe nga miqtë e mi diktatorë, ende vazhdon të nderohet dhe festohet figura ime drejtë për drejtë apo indirekt. Tani po e mbyll këtë fletë duke i kujtuar vetes sime që për pak vjen 70 vjetori i çlirimit. Mbase bijtë e mi kanë përgatitur ndonjë surprizë për mua. Ku i dihet….ku i dihet!

You may also like...