Një gjykim i shpejtë mbi buxhetin

Gjatë këtyre ditëve në të cilën po flitej për buxhetin e shtetit e që me logjikë qeveria duhet ta kish hedhur projektin e saj për këtë buxhet, kjo e fundit ish kujdesur që t’i mbushte radhët e lajmeve dhe ngjarjeve me shpërthime spektakolare në Anësdetit apo edhe me sulme në tentativë përmes tritolit që iu drejtuan kryeministrisë. Për fat të keq apo të mirë mendja ishte tek godina e Ministrisë së Financave, buxheti po përgatitej dhe prej andej hera herës dilnin të dhëna mbi atë që u bë refreni i opozitës së djeshme “taksim i ndershëm” (këtu bëhet fjalë për atë progresiv) duke mos dhënë asnjë informacion mbi sistemin fiskal në tërësi dhe mbi buxhetin që pritet të diskutohet e votohet ndoshta nga Janari 2014 në  parlament.

Në një shkrim të mëhershëm në blog kemi paraqitur se një gjendje e tillë nuk është shfaqur ndonjëherë në vendin tonë. Pritej që qeveria të kish ndërtuar një projekt buxhet aq mirë të detajuar dhe në përputhje me premtimet e saj por realiteti qe ndryshe. Qeveria kish zgjedhur që ta nxirrte projektbuxhetin e saj pjesë-pjesë pikërisht ashtu siç nuk duhet ta kish bërë, sidomos në vitin e parë të qeverisjes nuk kishte asnjë arsye për një veprim të tillë.

Tanimë që kemi projektbuxhetin në dorë ajo që mund të shohë nxitimthi janë të dhënat mbi shpërndarjen e të ardhurave në sektorët e ndryshëm qeveritarë. Ndryshe nga ajo që është propaganduar në periudhën opozitare duket se qeveria nuk do t’i japë 5% e shumëpërfolur arsimit, i cili do të përfitojë vetëm 2.9% të PBB-së. Gjatë fjalimit të tij mbi refuzimin e armëve kimike kryeministri përmendi një numër të madh pikash nevralgjike mbi mjedisin, por ama i ka dhënë një vlerë prej rreth 0.1% të PBB-së në këtë projektbuxhet, Shëndetësia gjithashtu ka një buxhet të ulët për shfrytëzim edhe pse qeveria ka akuzuar për mungesë investimesh qeverinë e shkuar.

Po ku qëndron problemi? Problemi qëndron se qeveria ka ndërmend të rrisë borxhin me 91.600.000 lekë dhe asnjë nga këto para nuk duket se do të shkojnë në shërbim të sektorëve që zakonisht prekin qeveritë e majta. Natyrisht për muaj me radhë është paraqitur një propagandë se qeveria e rilindjes është një qeveri e të varfërve në shërbim të tyre, ndërkohë që borxhi i saj kalon për shlyerjen e disa koncesioneve që vetë kjo qeveri i ka akuzuar si abuzive në kohën kur qe në opozitë.

You may also like...