Një guvernator për politikën

Për të parën herë në këtë komision (e pranoj korrigjimin sepse e di që ndoshta ka patur ndonjë herë tjetër të parë) si opozita ashtu edhe mazhoranca bashkuan votat e tyre për të dekretuar një person tërësisht të panjohur në krye të BSH.

Xhabyni

Ndërkohë që në vendin tonë ka nisur një diskutim se përse nuk kemi një forcë politike kundër asaj që mund të quhet establishment (paria qeverisëse), në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave deputetët votuan të gjithë pro dekretimit të Gent Sejkos për kryetar të Bordit të Bankës së Shqipërisë. Pozicion që përkthehet si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Ishte kjo përgjigja më e mirë që mund t’i jepej pyetjes se përse në vendin tonë nuk mund të ketë (në kushte të tilla) një parti politike që reflekton mendimin e atyre pak qytetarëve kundër parisë politike. Zaptimi i institucioneve nga politika!

Për të parën herë në këtë komision (e pranoj korrigjimin sepse e di që ndoshta ka patur ndonjë herë tjetër të parë) si opozita ashtu edhe mazhoranca bashkuan votat e tyre për të dekretuar një person tërësisht të panjohur në krye të BSH. Si ka mundësi që komisioni që gëlon nga debate mbi financat edhe ekonominë edhe kur këto debate nuk janë fare të nevojshme nuk arrin dot që të ndërtojë qoftë edhe një kritikë apo shqyrtim kritik ndaj një të panjohuri si Gent Sejko?

Për të kuptuar votimin e komisionit nuk kemi përse të shqyrtojmë me imtësi prezantimin (që mundet të jetë edhe mediokër) të kandidatit, që pakkush nga komisioni e njihte, për manaxhimin e tij. Madje edhe pyetjet që i bënë guvernatorit të ri ishin aq të “buta” sa që qe shumë e dukshme që nuk donin ta vendosnin në siklet menaxherin kryesor të politikës monetare në vendin tonë. Ne duhet të shohim pak më tej se sa prezantimi dhe pyetjet. Ky guvernator i ri është produkt i plotë i politikës së triumviratit. Një president që e zgjedh si kandidaturë (pra Berisha/Basha), një mazhorancë që e pranon si kandidature (Rama-Meta). Kështu, guvernatori i BSH nuk na qenka gjë tjetër vetëm se një drejtor politik i vendosur nga tre partitë politike (lexo tre liderët). Sa mundet të jetë i pavarur ky guvernator?

Historia është e thjeshtë, kjo mos pavarësi e institucioneve të cilat popullohen ose nga intelektualë të tredhur ose nga njerëz të panjohur dhe jetimë që i gjendet një vend pune, jo vetëm që nuk do të prodhojnë një shoqëri më të shëndetshme por as institucione në shërbim të shoqërisë. Prandaj, vendosja e një të panjohuri në krye të një institucioni të rëndësishëm si BQ duhet të qe një kambanë alarmi për një shoqëri të shëndetshme. Por, siç edhe e kemi vënë re, askush nuk u kujtua më për bankën dhe guvernatorin sepse ne si shoqëri na pëlqen që të merremi me bankën dhe guvernatorin vetëm kur brekët dalin në krye të gazetave.

Pra të ri-vijmë edhe një herë tek lëvizja anti-pari. Një lëvizje e tillë do të qe e mundur sikur nga brenda shoqërisë (edhe jo brenda partive politike) të kishim një grup i cili do ta kundërshtonte qoftë edhe me protesta këtë lëvizje. Mirëpo, problemi qëndron që ne lëvizjet e tilla i kemi për t’u marrë me individë specifikë. Në një shoqëri më të ndërgjegjësuar për rrezikun, do të kish plasur një diskutim i madh nëse është apo jo e drejtë që qeveria të përcaktojë individë të tillë pa iu dridhur qerpiku. Nuk kemi përse të presim që një kryetar institucioni ta bëjë baltë me abuzimet për të shpërthyer në protesta. Mirëpo, kjo në shoqërinë tonë të tredhur nga pragmatizmi dhe besimi paradoksal, një ngjarje e tillë vështirë të ndodhë. Kështu që, le të kënaqemi me atë që na ofron bariu dhe le të lutemi e të shpresojmë që bariu të jetë i mirë…përndryshe mund edhe të vdesim urie!

You may also like...