Një hile banale për shpëtimin e Fullanit

Spartak Braho, ushtari i Metës, deshi të vriste sot me një gurë, dy zogj. E para, desh të shprehte shqetësimin e tij për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. E dyta, synoi të shantazhojë tre nga shtatë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë duke i kërkuar atyre dorëheqjen.

Në fakt, dorëheqja e tre anëtarëve të Këshillit, jo vetëm që nuk zgjidh punë, por përkundrazi, e përkeqëson problemin dhe e mbron më tej Guvernatorin Fullani.

Këshilli Mbikëqyrës është institucioni i vetëm që ka bazë të gjerë ligjore për për të shkarkuar Fullanin. Këshilli mund ta shkarkojë Guvernatorin edhe në rast se gjykon se pozicioni i tij si guvernator dëmton interesat e Bankës së Shqipërisë.

Pra Këshilli Mbikëqyrës i BSH funksionon si çdo bord kompanie, mund ta shkarkojë administratorin në rast se e sheh të arsyeshme.

Janë shtatë anëtarë aktualisht, nga i cili, një është vetë Fullani. Nga gjashtë të tjerët, nëse vjen puna për një votim shkarkimi, do të nevojiten katër vota. Dukshëm aktualisht në KM nuk ka katër vota për shkarkimin e Fullanit, por ka katër anëtarë që mund të ndryshojnë qëndrim në rast se vjen puna për ta shkarkuar.

Braho qe selektiv në emrat e përmendur për shkarkim. Nga të shtatë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, ai i kërkoi tre prej tyre, Ermelinda Meksit, e cila sakaq njihet publikisht si personi që kërkon llogari ndaj Fullanit, Adrian Civicin, anëtarin që shprehu mëdyshje së fundmi dhe Dhori Kulen, një njeri që nuk ka folur konkretisht për përgjegjësinë e guvernatorit por ka bërë teori ekonomike elementare.

Kërkesa e Brahos për dorëheqje të tre anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës që vijnë nga bota akademike, pa përmendur anëtaren e zgjedhur nga LSI më 2011, është në fakt një shantazh për Këshhillin Mbikëqyrës dhe një paralajmërim që ata të mos veprojnë kundër Fullanit ose përndryshe do ta pësojnë.

You may also like...