Një histori jo zyrtare e LSI

Nga Xhabyni

Ilir Meta LSI-ja

Hyrje

Partia politike që sot zotëron skenën politike të vendit duke u shndërruar në një faktor në kurriz të dy partive politike “historike” të këtij tranzicioni ka një histori të gjatë. Askush prej analistëve apo edhe gazetarëve nuk e ka menduar kurrë që partia që nisi si një sekt politik (jo në kuptimin e literal të asaj fjale) do të shndërrohej në një forcë politike me një peshë të madhe në qeveri dhe vendim marrje. Natyrisht që analiza ime nuk pretendon të jetë shteruese sepse duhet të dini që një analizë e tillë kërkon shumë faqe por në një farë mënyre tenton t’i japë një panoramë mbi këtë parti dhe çfarë ajo mund të sjellë në këtë sistem antivlerash që ka prodhuar tranzicioni integrues i vendit tonë.

Lindja

Një vit përpara zgjedhjeve të 2005 Ilir Meta, ish kryeministër i Shqipërisë, do të shpallte ndarjen nga Partia Socialiste bashkë me një grup deputetësh të cilët kanë patur peshë në partinë mëmë. Largimi i Metës asokohe u komentua jo pak herë si mundësia dhe shpresa për të krijuar një pol të qendrës së majtë, skeptikë të tjerë pretenduan se Meta po e bën këtë lëvizje pikërisht sepse donte t’i jepte një dorë Sali Berishës (opozitarit që disa vite më parë e kish dërguar në qeli) për të hipur në pushtet, të tjerë analistë pretenduan se kjo lëvizje ish kryer sepse Meta nuk po gjente asnjë mundësi për të hipur në krye të PS. Fatos Nano, i cili pas disa vitesh do ta lëvdonte krijesën politike Meta, e kish promovuar fuqimisht Metën në parti por si në çdo familje mafioze kur kundërshtohet ati atëherë ka ardhur koha të largohesh nga pushteti. Kështu që edhe Nano e largoi nga pushteti Metën, një largim që solli pezmatimin e këtij të fundit i cili kulmoi në ndarjen e tij në 2004. Kështu pra lindi LSI e cila kishte formën e një sekti krahinor më së shumti (kjo sepse Ilir Meta ishte me origjinë nga Skrapari dhe se lidhjet e tij me vendlindjen ishin të ngushta ndaj ai favorizoi ato). Në zgjedhjet e 2005 Meta mori disa deputetë dhe matematikisht ndikoi në humbjen e PS, gjithsesi kjo humbje nuk është se erdhi vetëm prej ndarjes me Metën por erdhi dhe si pasojë e abuzimit me pushtetin nga ana e PS, ndikim të cilin e përforcoi dy vite më pas ku ndihmoi beniaminin e tij të qëndronte sërishmi në krye të bashkisë së Tiranës. Por ndihma e Metës ishte po aq me vlerë edhe sepse PS arriti të merrte thuajse të gjithë qytetet e mëdha duke dhënë një sinjal të fortë për forcën e kësaj partie.

Të mendosh në fakt që LSI nuk kishte as fabul dhe as ndonjë program që të linte me gojëhapur. Kryeprifti i saj (nëse mund ta quajmë kështu) ishte Ilir Meta i cili nuk të ngjallte as minimumim e një karizme, madje renditej shumë shkallë më poshtë se sa dyshja Berisha-Rama, nga ana tjetër kjo parti sekt nuk kishte as edhe ndonjë histori mbi të cilën të ndërtohej edhe pse ishte kujdesur që në gjirin e saj të merrte historian nacional komunist ajo gjithsesi nuk ndërtohej mbi bazat e një historie të lavdishme të së shkuarës. Pra, LSI ishte një parti pa një fabul, një parti pa histori, një parti pa një lider karizmatik (në kuptimin e parë të fjalës të paktën) por prapë kjo parti rezistonte edhe madje ishte një shtysë e fortë për t’i dhënë drejtim rezultatit të një ndeshje elektorale.

Për të analizuar se si ka mundësi që një parti e tillë, që nuk ka asnjë plus deri në këto momente, arriti të fitonte kaq shumë pikë duhet të kthehemi pas në vitin 2001. Edi Rama është kryetar bashkie dhe duket se raportin e tij me Ilir Metën e ka të shkëlqyer, tanimë që kioskat janë prishur dhe që në Shqipëri kanë filluar të qarkullojnë para dhe biznesmenët e pas 97’. Viti 2001 është i lidhur ngushtësisht me fillimin e ndërtimeve pa fre në qytetin e Tiranës le ta quajmë vitin e krijesës Komuna e Parisit, pikërisht aso kohe në qytet qarkulloi dhe batuta “Një apartament, një votë” e cila jo pak herë u përdor nga avokati Ngjela kur kandidonte Ramën. Zgjedhje të cilat u manipuluan qartësisht por gjithsesi nxorën fitues Ramën, në këto momente duket se Meta mori një hov të madh duke zhdukur paradhomën me biznesmenët ndërtues në Tiranë dhe jo vetëm.

Ndarja e tij me PS solli dhe një ndarje të deputetëve biznesmenë dhe të një grupi biznesmenëve me PS duke iu bashkangjitur LSI. Kështu që opozitarizmit një vjeçar i Metës (2004-2005) ishte në fakt një parapërgatitje për të fituar disa pikë përqindje në zgjedhjet e radhës. Në 2005 LSI filloi të kryente një fushatë të egër, kundër Nanos dhe Berishës, duke i sulmuar të dy dhe duke mos kursyer asnjërin në këtë mënyrë ajo përpiqej t’i paraqitej një grupi skeptikësh apo zonës gri të votuesve si një forcë e tretë që kundërshton dy të parat dhe monopolizimin bipartiak. Nga ana tjetër ai filloi të paguante për çdo votë që do të jepej në favor të  partisë së tij duke krijuar kështu një bazë të fortë jo vetëm krahinore (Çorovoda ishte bastion LSI) por edhe një shtrirje pak më të gjerë në Shqipëri.

 

Agonia

Me zgjedhjet e vitit 2007 LSI i tregoi të gjithë shqiptarëve se matematicienët elektoral (që dalin zakonisht nëpër studiot televizive) nuk kishin gabuar në analizat post zgjedhore të 2005 kur thanë se Nano humbi prej ndarjes me Metën. Sepse qenë votat e LSI që i dhanë ngjyrë fytyrës së vrenjtur të Edi Ramës, kjo jo vetëm për shkak të ri fitores së tij në Tiranë por edhe të një fitore të shumicës së bashkive kryesore. Mirëpo duket se presioni që Ramës i vinte nga poshtë apo nga halli se bashkëpunimi me Metën do të bënte këtë të fundit kryeministër solli një kthesë të tij të papritur, ai pranoi të takohej fshehurazi aleatit kryesor me armikun e tij të përbetuar, pranoi ofertën e Berishës për të ndryshuar kushtetutën dhe rrjedhimisht u nda nga Ilir Meta.

Në këto momente LSI u ndje në agoni, askush nuk e dinte se si do të përfundonte kjo parti e cila me kodin e ri elektoral jo vetëm që nuk kalonte pragun e përcaktuar nga dy forcat e mëdha politike por as nuk kishte fuqinë për të numëruar votat e saj në zgjedhjet parlamentare. Agonia dhe frika e kësaj partie u duk mjaft qartë kur lideri i saj u fut në grevë urie duke tërhequr të gjitha partitë e vogëla. Analistët, një specie e re por e adaptuar shumë shpejt, e paguar nga LSI filluan të shkruajnë e të evokojnë ndershmërinë e LSI. Filluan të na e përshkruajnë Metën si një shpëtimtar ndaj kuçedrave që nuk e lënë shqiponjën e flamurit të fluturojë e lirë. Si përfundim në zgjedhjet e 2009, Ilir Meta, rimori edhe një herë pelerinën e anti sistemit dy partiak që sipas tij kishte shkatërruar vendin ndërkohë që kundërshtarët e tij brohorisnin në njërin kah “Shqipëria po ndryshon” dhe nga krahu tjetër “Përtej së Majtës dhe të Djathtës”.

 

Rilindja

Thuhet se Arkimedi ka kërkuar një herë një levë për të lëvizur botën pikërisht kjo levë i erdhi në dorë Ilir Metës dhe me të ai arriti të lëvizte botën e tij. Gjatë numërimit të votave në Fier, viti 2009, kandidati i LSI (që me gjasa kishte fituar si deputet) Dritan Prifti doli në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se vota e tij ishte në favor të Mazhorancës aktuale (lexo Sali Berisha) nëse ato do t’i mbronin votat e LSI. Nuk kaluan as pak minuta kur kryetari i Partisë Demokratike udhëzoi numëruesit e partisë së tij të mbrojnë votën e lirë (lexo votën e LSI) edhe pse ai e kish akuzuar sa e sa herë Ilir Metën si “hajduti i thesarit të shtetit”. Në vend u krijua ideja që Berisha, si një kafshë politike aristoteliane, arriti të fitonte edhe këtë betejë duke zgjedhur armikun e armikut të tij si mikun e tij, por thellë thellë pak prej nesh (për të mos thënë aspak) arritën të kuptonin se i fituari i vetëm qe Ilir Meta.

Tanimë LSI nuk ishte më ai thesi që i shtonte votat thesit të madh, përkundrazi tanimë ajo ishte partia e cila kishte numrat në parlament për të mbajtur në këmbë një qeveri, ajo qe shndërruar nga një sekt të cilit po i bënin gropën në një parti e cila qe e vogël por kishte forcën për të mbajtur të madhen me pushtet. Pikërisht kjo rilindje solli në jetë një krijesë të veçantë të prodhuar jo nga disa vlera tërësisht të ndryshme nga ato të dy partive të mëdha.

Pushteti që filloi të fitonte LSI gjatë mandatit të parë qeverisës përforcoi idenë e një partie që jo vetëm nuk ishte më një sekt por qe shndërruar në një korporate ku gjithsecili mund të hidhte aksionet e tij për të përfituar më pas një vend pune. Abuzimet e saj ishin gjithnjë e më të mëdha në vendet e punës, por tanimë Berisha nuk kish çfarë të bënte ai kish bërë pakt me Metën dhe e dinte fare mirë që ai pakt jo vetëm që i kish falur Metës mandatin e tij në Tiranë por i kish dhënë mundësinë që ai të bënte çfarë të donte me pushtetin sepse ai i kish çelësat e qeverisë në dorë dhe jo Berisha. Ndokush mundet të kundërshtojë, por përpara se të hedhë argumentet e tij le të kujtojë të famshme video të përgjimit.

Video në fjalë duket se na tregoi me kohë se Berisha tanimë qe i “vdekur” politikisht, ai e kishte të pamundur të reagonte sipas dëshirës së tij sepse nuk mundi dot as ta largonte Metën nga qeveria por qe ky i fundit që dha dorëheqjen nga ajo. Duket se Meta jo vetëm kishte dalë më i fortë nga gropa që kishin dashur ta hidhnin 2 vjet më parë por ai duket se mundej të kontrollonte mazhorancën madje dhe vetë PD-në. Forca e tij u duk edhe kur atij nuk i bëri aspak përshtypje që edhe ai qe fajtor (meqë ishte pikënisja e demonstratës) për vdekjen e protestuesve në 21 Janar, madje edhe kur ai vazhdonte të pohonte i qetë dhe i bindur thellë në pafajësinë e tij.

Nga ana tjetër Berisha çuditërisht e mbështeti në mënyrë të plotë Metën, nuk di të them se çfarë lojërash janë luajtur atje lartë, por duket se Ilir Meta po merrte gjithnjë e më shumë pamjen e personazhit të famshëm të Oktapodit, Espinozës, ai po kontrollonte në mënyrë të përkryer jo vetëm pushtetin e tij por edhe Partinë Demokratike e cila dukej e gjunjëzuar përpara tij. Askush nuk di të thotë se si ka mundësi që Berisha nuk shkriu qeverinë dhe që në ato momente të shpallte zgjedhjet e jashtëzakonshme, askush nuk e di se si ka mundësi që personi më i afërt i Metës në PD të ishte pikërisht kryetari i ri i Partisë Demokratike.

 “I am the game”

Zgjedhjet bashkiake u kryen dhe LSI mbështeti, siç pritej, kandidatin dhe të preferuarin e Berishës i cili fitoi në një garë që pak kush e mori vesh si përfundoi dhe kur përfundoi. Disa muaj pas kësaj fitoreje nga gjykata e Tiranës do të jepej vendimi mbi videon që kish nxjerrë Metën në një aferë të hapur korruptive. Video si relatorë kishte gruan e guvernatorit të bankës dhe zërat e këqinj flisnin se burrë e grua kishin shkuar një ditë të bukur vere për darkë në shtëpinë e famshme të Metës në Gji të Lalzit, atje duket se ato kanë degustuar Ngjalën. Dy ditë përpara se vendimi të merrej Sali Berisha ishte për vizitë në shtëpinë e Metës në Tiranë, këtë e panë të gjithë sepse zona e bllokut atë ditë ishte e super fortifikuar ndërkohë që një ditë më pas treshja Basha-Berisha-Meta pinë një kafe për të treguar miqësinë e fortë mes tyre. Të nesërmen relatorja e ngjalës dha verdiktin se video shpallej e manipuluar e rrjedhimisht çdo provë tjetër ishte e pavlefshme dhe se Ilir Meta shpallej i pafajshëm.

Tanimë në muret e qytetit shihej e pashkruar “Të gjithë kafshët janë të barabarta para ligjit por disa janë edhe më të barabarta” dukej se loja kishte emrin e djalit plëngprishës që në 2007 Fatos Nano në emisionin e Fevziut e kish bekuar si krijesën e tij më të arrirë politike. Ilir Meta ishte i plotfuqishëm, ai kish arritur të vidhte dhe kjo provohej me zë e me figurë por ama nuk qe dënuar, nga ana tjetër kundërshtari i tij që e kish sulmuar për vite të tëra me radhë (Berisha) nuk arriti dot të reagonte, ndërkohë që Rama si një pulë e lagur heshti edhe pse ai gjithashtu qe fajtor për atë që ndodhi në 21 Janar e po aq fajtor për fenomenin Meta.

Prilli i 2013 do ta gjente Metën në një tavolinë me Ramën, qenë ulur në teatrin Migjeni të Shkodrës (për çudi Jozefina s’dinte gjë), përballë kishin militantët e tyre. Shihnin të përmalluar e dukej se nga çasti në çast prej militantëve do të dilte ajo zonja që rreth 10 vite më parë u kish thënë Nanos e Metës, asokohe, fjalinë “Bukë të mos kemi vetëm juve mos u zini!”. Meta dhe Rama kishin zhdukur ndasitë, i pari kish harruar që Rama dikur i bëri gropën ndërkohë që i dyti harroi se prej videos të korrupsionit nxori në shesh me hir e me pahir sa e sa shqiptarë. U harrua gjithçka, historia nisi nga zero, Rama duket se kish qëllimin të zhdukte Berishën, etja e tij për pushtet apo kush e di se çfarë zhdukën çdo arsyetim. Meta qe bërë miku i shtrenjtë, aleati i dashur dhe i devotshëm pa të cilin ata s’mund të fitonin.

Duket se Meta tanimë kish arritur të fuste në thes të dy partitë kryesore, ishte thjesht çështje kohe që këtë t’ua bënte të ditur.  Nga njëra anë ai ishte aq i plotfuqishëm sa të mbante pezull Berishën dhe qeverinë e tij ndërkohë që nga ana tjetër po përgatiste aktin e fundit dhe vendimtar për t’u shndërruar në faktorin më me peshë në politikë. Kështu për të fituar dhe pikë në sy të ndërkombëtarëve ai detyroi Ramën të votonte 3 ligjet e famshme (që vetëm Rama e di pse s’i votoi dhe pse i votoi) e po kështu hapi fjalët në çdo anë e kënd se LSI ishte për integrimin evropian se lëvizjet e saj nuk qenë kryer për interesa meskinë e personal të liderit jo karizmatik por për shkak  të integrimit evropian.

Kështu që LSI u largua nga qeveria Berisha për t’u rikthyer në lumin e purgatorit opozitar. Shqiptarët ndërkohë të ndarë në mendimet e tyre e pëlqyen këtë lëvizje të Metës duke menduar se Berisha është e keqja më e madhe madje këtë mendim nuk është se ia vështirsoi Berisha, i cili nuk la mjet pa u përpjekur të tregojë që ai është më i miri, ndërkohë që e ndjente fare mirë që do të humbte në zgjedhjet e radhës.

Ndryshe nga sa mendonin dhe analistët e matematicienët e PS, LSI jo vetëm që solli vota në fitoren e 2013 por solli plot 16 deputetë (që me shumë gjasa do të shkojnë 25) në parlamentin e ri ndërkohë që rilindja e PS prodhoi po aq sa në 2009. Një mesazh që duket se është kuptuar edhe tani ku Ilir Meta ka marrë rreth 60-70% të pushtetit nga ana tjetër zotëron ministri kyçe nga ministra që deri më dje janë akuzuar nga vetë PS.

Pra një parti që jo vetëm nuk u gjykua për korrupsionin të shfaqur me zë e me figurë,  që nuk u gjykua që doli haptazi një parti konjukturale vetëm për të qëndruar në pushtet, që s’u gjykua për sa vite qe në pushtet dhe abuzimet që ka kryer sidomos me naftën, por tani ajo ka rreth 70% të tortës dhe ka rreth 18 deputetë. Një parti që lindi si sekt dhe u shndërrua në partinë që jo vetëm është king maker por në fakt është vetë kingu që jep dhe merr pushtet. Jo të pakta janë fjalët për lidhjet e Metës me Bashën në biznese të ndryshme e jo aq të pakta janë ëndërrimet e opozitës për të përfituar nga një rokadë qeverisëse e kështu për t’u rikthyer në pushtet.

Gjatë verës kreu i LSI nuk u duk aspak në ambientet publike, flitej vetëm që ai kish kërkuar postin e kryetarit të parlamentit. Në ditët e para në të cilat ai u shfaq dukej i tjetërsuar, gazetat rozë hodhën menjëherë në treg lajmin e ai kish ndjekur dietën Dunkan e cila të dobësonte në mënyrë drastike. Meta, tanimë i dobësuar, dukej po i njëjti njeri a nuk kish humbur asgjë nga aftësitë e tij për të kryer politikë dhe kjo u duk edhe tek “PJO”-ja e tij për armët kimike. Me sa duket ai tanimë e ka kuptuar që nuk mund të mbajë një parti përmes konjukturave dhe fabulës së deri tanishme “një votë, një vend pune” kështu që po përpiqet në një formë apo në një tjetër për të krijuar një fabul dhe histori për të mbajtur elektoratin e tij të lidhur.

Kështu që kohët e fundit ai ka filluar të shfaqet në tregun mediatik me shënime të shkruara bukur, habitesh në fakt kur has një shkrim të tijin kur për kaq vite radhazi në parlament ai nuk ka shkëlqyer një herë të vetme si orator. Por me sa duket ai e ka gjetur Demkën e tij edhe pse njerëzit afër tij janë shprehur se Meta dietën Dunkan e ka përballuar duke lexuar libra voluminoz. Në fakt duket se ai e ka kuptuar që duhet të krijojë një fabul dhe duhet të vishet me një aureolë karizmatike për të mbajtur gjallë shpresat dhe ëndrrat e votuesve dhe oborrtarëve të tij sidomos tani që familja është shtuar dhe nuk ka vend për të gjithë në oborr.

LSI është produkt i një sistemi partiak që e pollën dhe e rritën dy partitë e mëdha (fakti që Meta doli nga njëra prej tyre), ajo u forcua nga dritëshkurtësia dhe pagrykësia e partive “historike” të tranzicionit të cilat të etura për pushtet nuk arritën të kuptonin që pushtetin e vërtetë po ia falnin me duart e tyre një partie që arriti t’i blinte jo vetëm elektoratin por edhe shpirtin e tyre. Tanimë të gjithë duket se janë të gatshëm të japin gjithçka vetëm për të ngrënë një ngjalë në shtëpinë e familjes Meta në Lalz.meta

You may also like...