Një koment për atë që pritet të ndodhë

Xhabyni

Arrestimi i Ardian Fullanit dhe Elvira Golemit, është një sinjal jo vetëm për anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës por edhe një sinjal i drejtë për drejtë politik. Të gjithë, kur dëgjuam këtë lajm të bujshëm, i bëmë një pyetje vetes “Si ka mundësi që e dorëzuan Fullanin?”.

Përgjigja e parë që më vjen është ajo e një shëlbimi kafkian, ku horrat për të shpëtuar fytyrën e tyre ndëshkuan atë që qytetarët duan. Kështu që arrestimi i tij mund të lidhet edhe me zgjedhjet e pritshme vendore të vitit të ardhshëm sepse mënyra se si politikanët në shumicën dërrmuese e mbrojtën Fullanin u ritregoi qytetarëve (madje dhe militantëve) se elitës politike nuk i bëhet vonë për atë që ndodh. Kështu, arrestimi i tij bëhet i pashmangshëm kështu që e keqja më e vogël të ri hidhet në lojë pas disa muajsh për zgjedhjet vendore.

Nga ana tjetër, dalja para sallës së gjygjit të guvernatorit dhe inspektores do të jetë një provë për gjykatën. Nëse gjykata do të lirojë të arrestuarit kjo do t’i jap kapital politik Edi Ramës për të shkrirë gjykatën, madje mund të them që do t’i japë edhe mbështetjen e madhe popullore ndaj gjykatësve dhe gjykatës. Pra, gjykata është midis Shilës dhe Kabilës….nëse lë Fullanin në burg (e me gjasë e dënon) kjo do të shpëtojë disa prej tyre dhe mbase do të ulë vrullin kryeministror në gjygjësor por nëse gjykata refuzon atëherë kryeministri do të ketë dorën e lirë për të ridizenjuar gjykatën e për të bërë një katarsis sipas tij.

Politikisht, do të kemi serish një përplasje të fortë. Tanimë pritet reagimi i PD, më saktë i Berishës, ky reagim pritet sepse ndryshe nga PS  e cila heshti (e me këtë heshtje foli), opozita reagoi në mbrojtje të Fullanit. Ndërkohë që LSI, si përherë e drodhi bishtin sa andej këndej. E gjithë kjo skakierë të bën të mendosh që reagimi i PD duhet të jetë shumë i matur…nëse kjo e fundit do të lëshojë pohime kundër arrestimit atëherë kjo do të qe një lëvizje që do ta dërgonte partinë në një shah mat.

 

You may also like...