Një ndërtim pa leje para bashkisë

Ndërtimi ynë pa leje

Ndërtimi ynë pa leje

Në orën 8 të mbrëmjes së 2 gushtit, një njeri, (që na e ha mendja, duhej të qe punonjës bashkie), i ra me shkelm një ndërtimi pa leje të ngritur në bordurën përreth parkut pa pemë të Skënderbeut. Qe një ndërtim pa leje i sajuar me ristela druri, kuti kartoni të marrë te kazanët e plehrave, llastik brekësh e spango, të zbukuruar me fotot e ndërtimeve pa leje që kanë mbuluar të gjithë Tiranën dhe me fotot e përgjegjësve, Lulzim Basha dhe dy punonjësve të tij.

Përgjatë një ore, policët e bashkisë, të cilët u mblodhën me bollëk te dera e ndërtesës, dëgjuan krahas kalimtarëve edhe fjalimet e Lulzim Bashës, të mbajtura gjatë fushatës së tij zgjedhore për kryebashkiak në vitin 2011. Fjalimet ngjanin më ironike se kurrë. “Do të ndërtojmë tramvaj, do të krijojmë parqe për të luajtur fëmijët, parkingje nëntokësore për makinat, etj etj,” thoshte Basha. Në vend të këtyre, morëm ndërtime pa leje, por me mirëkuptimin e plotë të kryebashkiakut dhe kanakarëve të tij.

Zemërimi i shprehur nga zyrtari i bashkisë ndaj këtij ndërtimi pa leje ndoshta po të shprehej ndaj ndërtimeve reale pa leje, do ta kishte bërë protestën të panevojshme. Nuk do të desha të isha përballë grushtit të tij kur imagjinoj se sa fort i ra pankartave. Ato u rrëzuan menjëherë pa bërë rezistencë. Pas pak, zyrtari me këmishë të bardhë kapërceu bordurën. Ne menduam se mos po përpiqej të pastronte mbeturinat. Por jo, u interesua shumë që të shkulte të gjitha fotografitë. Kartonat i la aty.

Plot 14 shqiptarë u mblodhën për të protestuar sot para Bashkisë së Tiranës për ndërtimet e pafundme pa leje që kanë zënë qytetin gjatë muajve të fundit. Të gjithë i shohin, një pjesë i denoncojnë në FCB. Basha nuk i sheh.

Ndokush mund të shtrojë pyetjen naive se pse për protesta të organizuara në të njëjtën mënyrë kundër dhunës ndaj grave psh, vijnë më shumë njerëz nga sa erdhën kundër ndërtimeve pa leje. Përgjigjja është e thjeshtë, për të drejtat e grave ka shumë ojq, për një qytet normal ngjan se paska më pak.

You may also like...