Një reformë për një mandat qeverisës

ley electoralXhabyni

Ka disa kohë që mazhoranca aktuale ka hedhur në skenë idenë për një reformë territoriale, e cila siç pritej nuk është mirëpritur dhe aq këndshëm nga opozita. Me arsyet se përse opozita nuk ndjehet komode me thënien e qeverisë do të merremi pasi të sqarojmë më së pari në është apo jo e domosdoshme një Reformë Territoriale.

Reforma territoriale duhet bërë domosdoshmërisht. Fragmentarizimi i tejskajshëm i administratës vendore në mbi 370 njësi administrative në 28 mijë kilometra katrore dhe 3 milionë banorë është bllokues për zhvillimin normal të vendit. Ndarja aktuale me bashki të nivelit të parë apo bashki të nivelit të dytë duhet të pushojë së ekzistuari për faktin e vetëm se ky model i huazuar nga Suedia nuk bën për vendin tonë, i cili edhe nga karakteristikat nuk i afrohet në asnjë moment Suedisë. Gjithashtu është një model tërësisht i vjetërsuar, i ndërtuar në një periudhë ku vendi sapo kishte dalë nga një sistem totalitar dhe i pasuruar me aq shumë ngatërresa nga ndryshimet që janë kryer sa që e kanë kthyer atë në një nyje gordiane.

Zgjidhja më e logjikshme është zgjerimi i autoritetit të bashkive në komunat përreth dhe kthimi i komunave në nivelin e minibashkisë. Nuk ka kuptim që lagjja “Komuna e Parisit” që praktikisht bie në territorin e komunës Farkë, të jetë jashtë Tirane. Kur vjen puna për të ndërtuar infrastrukturën, ujë, apo kanalizime, kjo ndarje nuk ka kuptim. Mirëpo një zgjidhje e tillë kërkon që qeveria të forcojë kuadrin ligjor për funksionimin e demokracisë në nivel vendor, pra të rritet transparenca financiare dhe menaxhimi financiar. Në vendet e ndryshme të botës konsiderohet pushtet në çastin kur menaxhohet 20% e fondeve të buxhetit të konsoliduar të shtetit dhe jo si në vendin tonë që konsiderohet kur menaxhohet 4% e tij.

Kjo Reformë Territoriale, që do të ishte në të mirë të vendit, duhet të kryhet në çdo lloj momenti madje edhe pse nuk është një nga prioritetet e BE-së duke qenë se i shërben substancialisht vendit dhe zhvillimit të tij. Mirëpo, mazhoranca (si çdo mazhorancë e këtij vendi deri më sot) as që e ka ndërmend një reformë të tillë territoriale, sepse synimi i saj është të krijojë një reformë elektorale ku interesat e pazaret e zgjedhjeve prevalojnë përpara mirë administrimit territorial dhe social.

Opozita duke qenë në vetëdije të plotë që mazhoranca përherë ka tentuar të shfrytëzojë pushtetin për reforma në të mirë të interesit politik ka vendosur të sillet me një gjuhë të ashpër.

Nëse një reformë do të kryhej për të mirën e publikes dhe të përgjithshmes ajo duhet të mbështetej në ligjin themeltar të shtetit. Sipas tij, ndryshimi i njësive të administrimit vendor nuk mund  të bëhet pa mirëkuptimin e banorëve që jetojnë në atë zonë. Kjo fjala mirëkuptim është e vagullt, por sugjeron që Basha do të duhet të japë miratim apo mosmiratim për propozimin për të ndryshuar hartën e Bashkisë së Tiranës. Këtu fillojnë interpretimet e tjera më pas të cilat na tregojnë se çfarë do të thotë “miratim”. Disa juristë nga mazhoranca socialiste duket se mendojnë se me një pjesëmarrje sa për formë të opozitës, plotësohet ky kusht  dhe kjo përkthehet në konsensusin që mazhoranca i ka dhënë opozitës. Ndërkohë që juristët e djathtë duke e interpretuar sipas këndvështrimit të tyre termin “miratim” pretendojnë jo vetëm veto në komision por edhe në Parlament.

Kështu në skenë hidhet dorashka e konsensusit, i cili është aq ambig, sa që gjithsecilës palë i jep mundësinë ta vështrojnë sipas “këndvështrimit” të saj. Duke shmangur kështu një gjykim sa më pranë demokracisë dhe të mirës së përgjithshme.

Sipas meje, një gjykim sa më pranë demokracisë do të thotë që nëse mazhoranca dëshiron (apo dhe mazhoranca me opozitën së bashku duan) të bëjë ndryshimet atëherë ajo domosdoshmërisht duhet t’i kryejë ato përmes referendumit popullor. Megjithëse jam shumë skeptik për këtë pjesë megjithëse Rama është zotuar në parlament se do të pyesë popullin, ai dita ditës po tregon se përpos një imitues i Berishës është edhe një demagog i shkëlqyer.

Gjasat janë që mazhoranca të vazhdojë ta kamuflojë reformën elektorale nën mëngën territoriale. Nga ana tjetër vetë opozita, në dijeni të plotë të kësaj reforme nën mëngë është gjithashtu e interesuar dhe e shqetësuar për hartën e re elektorale që pritet të krijohet nga reforma dhe kështu ka nisur një plan demaskimi.

Shembullin më të mirë për të shpjeguar sikletet elektorale të mazhorancës dhe opozitës mund ta japim duke treguar se si ndryshon balanca e votave në kuadër të zgjedhjeve vendore para së gjithash në Tiranë dhe Durrës. Nëse Paskuqani bëhet pjesë e Tiranës, PS-ja humb. Nëse Këneta bëhet pjesë e Durrësit, PS-ja humb. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, kjo është histori tjetër, por fakti është që PS dhe LSI kanë votat në parlament për të ndryshuar kodin zgjedhor dhe mund ta bëjnë hartën si të duan. Harta aktuale nuk është se i jep fitoren PS. Në kushte normale dhe pa blerje votash nga LSI, palët dalin aty-aty. Në rast se kodi zgjedhor aktual nuk ndryshon, dhe harta e zonave elektorale mbetet ajo e prefekturave, gjërat do të përcaktohen nga KQZ-ja, e cila aktualisht nuk ekziston, institucioni që ka për detyrë të bëjë llogaritë në bazë të kodit zgjedhor aktual. Llogaritë janë numri i votave në bazë të regjistrit zgjedhor pjesëtuar për 20 mijë për të nxjerrë numrin e deputetëve.

Duket qartazi që të dyja palët janë të shqetësuara dhe një shqetësim të tillë mund ta legjitimojmë me argumentin që partitë politike janë qenie të tilla, pra politike. Me synimin e tyre për të maksimizuar votat apo duke maksimizuar efiçencës e tyre. Mirëpo këtu lindin dy probleme kryesore i pari është shndërrimi i partive politike në korporata duke i hequr politikës atë që është në shërbim të shoqërisë. Së dyti këtu kemi një rast të qartë ku shqetësimi i publikes instrumentalizohet si nga njëra palë ashtu edhe nga tjetra në shërbim të interesit momental partiak.

Ajo që është e vërtetë në gjithë këto të vërteta që mbulojnë të vërteta të tjera është se Zgjidhjet e mësipërme do të ishin më së shumti në ndihmë të komunitetit e duke qenë të tilla dyshoj se mund të merren parasysh nga partitë politike në vend, në këtë kuadër këmbëngul gjithnjë e më shumë që kjo Reformë nëse do të kryhet duhet të kryhet me aprovimin e sovranit dhe jo përfaqësuesve të tij

Një zgjedhje referendare do t’i jepte mundësi gjithsecilit të përcaktonte Reformën Territoriale dhe do të ishte jo vetëm një ndihmë në demokracinë e brishtë por edhe një goditje përfundimtare pakteve partiake për të ndarë vendin në hane elektorale.

You may also like...