Një rindërtim i ngjarjeve që sollën rënien e komunizmit (pjesa e tretë)

Protestat pro-demokracisë në Qytetin Studenti. Foto Gani Xhengo

Protestat pro-demokracisë në Qytetin Studenti. Foto Gani Xhengo

Qyteti Studenti

Ky është një kapitull nga libri i Fred Abrahams mbi rënien e komunizmit në Shqipëri që pritet të publikohet së shpejti

Fred Abrahams Nju Jork

Pjesa e tretë

Pjesa e dytë

Pjesa e parë

Po atë natë, një grup studentësh arti protestuan në një mënyrë të ndryshme.

Për të përkujtuar dhjetëvjetorin e vdekjes së John Lennon, disa studentë e profesorë u mblodhën te Akademia e Arteve. Lirika  nga këngët e ndaluara të Lennon zbukuruan muret e auditoriumeve. Grupi këndoi — Revolution, Working Class Hero, Imagine — dhe pastaj kërcyen. Studentët kthyen përmbys portretet e Alisë dhe Hoxhës apo i zëvendësuan ato me foto të Lennon. Qirinjtë zëvendësuan dritat. Një letër u shkrua për Yoko Ono; disa e firmosën letrën disa refuzuan por pa adresën e Onos ajo nuk u dërgua kurrë.

Përkujtimorja po i afrohej fundit rreth orës 2 të mëngjesit kur mbërriti fjala për demonstratën në Qytetin Studenti. Një grup i vogël u ngjit përgjatë kodrës për të parë. Te rruga Budi ata panë studentët dhe ministrin e brendshëm Isai, i cili dukej se po fliste me turmën. “Pastaj papritur, policia goditi,” tha një nga përkujtuesit e Lennon, shkrimtari Ardian Klosi. “Turma u nda. Unë vrapova.”

***

Mëngjesin e 9 dhjetorit binte shi dhe studentët nga Tirana shkuan te Qyteti Studenti të ftohtë dhe të lagur. Ata panë pantallonat dhe këpucët me baltë të studentëve që vareshin nga ballkonet, disa të spërkatura me gjakun e natës së mëparshme. Asnjë nuk vdiq por policia tregoi se mund të përdorte dhunën. Për studentët, dhuna e galvanizoi kauzën. Ndryshimi nuk mund të vinte nga sipër, kuptuan ata. Alia nuk mund të besohej se do të mbante fjalën e tij.

Një grup prej njëzet studentësh u takuan në katin e parë të menzës dhe formuan një komision organizues. Në orën 9 të mëmgjesit, dy prej tyre u takuan me kreun e organizatës rinore komuniste Lisien Bashkurti, me kërkesën e Bashkurtit. Në pjesën e poshtme të Qytetit Studenti, Bashkurti i tha atyre se e kishin lënë Alinë pa gjumë. Ai propozoi që studentët të formonin një komision, me emrin si ta donin dhe të bëheshin pjesë e rinisë komuniste. Studentët refuzuan.

Nga ora 10 e mëngjesit, mijëra studentë u mblodhën në sheshin qendror të Qytetit Studenti. Disa patën qëllime politike por shumë qenë fëmijë të anëtarëve të partisë që patën shijuar afrimësi me pushtetin, ndonëse jo vetë pushtetin. Ata kishin regjimin për ta falënderuar se i kishte dhënë libra në vend të parmendës, por ata kërkonin më shumë. Mes konfuzionit, disa propozuan të protestonin para administratës së universitetit. Turma e zemëruar marshoi, e armatosur me hormone dhe shpresa.

Policia kundër turmave bllokoi shumicën e rrugëve nga Qyteti Studenti dhe i shtyu protestuesit poshtë te rruga më e gjerë e Elbasanit. Pak rrugica më poshtë, para Liceut Artistik dhe Muzeut të Marksizëm-Leninizmit, policia qëndoi në pritje, me mburoja dhe shkopa gome në duar. Pak mijëra studentë u shtynë përballë policisë së demoralizuar, duke i kërcënuar studentët në rreshtin e parë në përpjekje për të ndaluar rrjedhën.

Kreu i rinisë komuniste Bashkurti u përpoq të flasë me studentët nga pas kordonit të policisë, duke i siguruar se dhuna do të ndalojë.  Studentët ndryshonin pozicion në mënyrë që Sigurimi ta kishte të vështirë të bënte fotografi nga ndërtesat përreth. Ata folën për kushte ekonomike dhe për kërkesa politike ndërsa turma thirrte në mbështetje: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!” “E gjithë Tirana është me ne!”

Pranë ambasadës së Italisë, përtej rradhëve të policëve, tri miq në moshë të mesme vëzhgonin skenën. Njëri qe regjisor, një shkrimtar dhe një mjek, Sali Berisha, i cili pati shkruar artikuj kritikë dhe pati folur në takimin e Alisë me intelektualët atë verë. Shpejt ai do të luajë një rol të rëndësishëm.

Pak para orës 2 të pasdrekes, i ftohti, shiu dhe frika e pati pakësuar turmën në pak qindra vetë. Por ndeshja e futbollit të së dielës në stadiumin aty pranë niste në 2.30. Skuadra e Ministrisë së Mbrojtjes, Partizani, luante kundër Dinamos, nga Ministria e Brendshme.  Duke patur frikë nga përzjerja e rrezikshme e studentëve dhe tifozëve të futbollit, qeveria vendosi se protesta duhej të merrte fund. Studentët në rradhën e parë dëgjuan urdhrin në radiot e policisë: “Shpërndajini ata me forcë!”

Studentët u shtynë përmes një fushe që gjendej pranë ambasasës italiane, përplot baltë nga shiu i ditës. Ata vrapuan dhe u ngjitën nëpër rrugica e pallate, ku u strehuan nga banorët e zonës,. Librat e shkollës e këpucë të braktisura mbetën në fushën e baltosur.

Për herë të parë, qeveria pranoi se policia qe përplasur me protestuesit. Një njoftim i shkurtër i agjencisë shtetërore të lajmeve tha se disa studentë, të zemëruar nga mungesa e dritave në Qytetin Studenti, u “përpoqën të përdorin këtë pakënaqësi për qëllime politike.” Në këto rrethana, thoshte raporti, “forcat e rendit u detyruan të ndërhyjnë për shpërndarjen e tyre.”

Atë natë, thashethemet dhe konfuzioni dominuan: Alia po shtyp popullin, studenti Azem Hajdari është vrarë, Alia ka ndryshuar mendim, Hajdari është gjallë. Në të njëjtën kohë ndarje filluan të shfaqen mes studentëve. Disa dëshironin të kërkonin pluralizëm, duke e dërguar protestën e tyre në rrugët e Tiranës. Të tjerë patën frikë nga përballja dhe deshën përqendrim te ankesat ekonomike brenda Qytetit Studenti.

You may also like...