Një rindërtim i ngjarjeve të 8 dhjetorit 1990. Qyteti Studenti (Pjesa e Dytë)

Studentët në Tiranë hyjnë në Grevë Urie. Foto Gani Xhengo

Studentët në Tiranë hyjnë në Grevë Urie. Foto Gani Xhengo

Ky është një kapitull nga libri i Fred Abrahams mbi rënien e komunizmit në Shqipëri që pritet të publikohet së shpejti

Fred Abrahams Nju Jork

Pjesa e parë

“Ata po shkaktojnë trazira,” tha Kondi. Gjinushi mori në telefon rektorin e universitetit dhe dy burrat shkuan te Qyteti Studenti dhe mbërritën ndërsa studentët po dilnin nga zona për të hyrë në Tiranë.

“Studentët nuk i kishin qejf dritat,” rikujton Gjinushi, një njeri tjetër që luajti një rol të vazhdueshëm në jetën politike të Shqipërisë. “Ata kishin frikë se Sigurimi po filmonte.”

Në rrugën Budi poshtë Qytetit të Studentëve, protestuesit u përballën me një kordon policie, të komanduar personalisht nga Ministri i Brendshëm Hekuran Isai. Studentët u përgatitën për dhunë por Isai i dha një lajm të papritur. “Zgjidhni pesëmbëdhjetë njerëz të shkojnë në universitet,” tha ai. Ramiz Alia qe gati për të folur. Studentët qenë të habitur dhe me dyshime. Por ata organizuan një delegacion she shkuan te ndërtesa kryesore e administratës së universitetit, se për çfarë, nuk e dinin.

Kreu i partisë për Tiranën Xhelil Gjoni, një njeri i prerë me reputacion për qëndrime të ashpra, hyri në klasë fillimisht. “Pra djem,” tha ai me sarkazëm dhe fiku një cigare që kishte në buzë. “Ju doni të shtyni provimet?”

Alia mbërriti shpejt pas kësaj dhe shkoi te podiumi. “Ju jeni djem të rinj dhe me pamje të mirë,” tha ai duke buzëqeshur. “Pse po zgjoni një njeri të moshuar si unë?” Ai pyeti emrat e tyre, qytetet nga vinin dhe për çfarë studionin.

Studentët u ankuan se kryeministri i kishte mashtruar duke ardhur në Qytetin Studenti ndërsa ata qenë në klasë. Ata protestuan për kushtet në Qytetin Studenti: mungesën e dritave dhe ushqimin e tmerrshëm. Ata u trullosën dhe u konfuzuan, por a mund të pritej ndryshe përballë dy njerëzve më të fuqishëm të Shqipërisë dhe në mes të natës?

Kur unë e intervistova Alinë më 2002, ai e mbante mirë mend atë natë.

“Ata më thanë mua se kishin shqetësime ekonomike,” tha ai. “Unë i pyeta, ose më saktë, i thashë atyre: dëgjoni, problemi që ju keni, pse nuk i shtroni në organizatën e rinisë [komuniste]? Diskutojini me ta. Dhe disa prej tyre thanë, ‘ne nuk kemi besim te ajo organizatë. Ne duam të krijojmë organizatën tonë të pavarur.’ Pas ndërhyrjes sime ata e prezantuan këtë çështje. Qe e qartë se qe një problem politik dhe jo ekonomik.”

Alia ra dakord të takohet me studentët sërish për të diskutuar ankesat e tyre, por vetëm nëse ata qetësonin turmën në Qytetin Studenti dhe ktheheshin në mësime. Ai premtoi se nuk do të ndëshkoheshin.

Delegacioni u kthye në rrugën Budi rreth orës 2 të mëngjesit për të dhënë lajmin. Pastaj policia ndërhyri.

“Ata më morën pistoletën!” bërtiti një polic dhe kolegët e tij sulmuan me shkopa gome. Studentët ikën në të gjitha drejtimet duke shmangur goditjet dhe duke u tërhequr drejt fjetoreve. Policia plagosi rëndë një vajzë dhe thashethemet u përhapën se ajo kishte vdekur. Policia pretendoi se kishte reaguar kur një student kishte marrë pistoletën e një polici. Studentët thanë se nuk kishin bërë asgjë të tillë.

“Qe e tmerrshme,” thotë ish-studenti Arben Lika, gati 12 vjet më vonë, ndërsa qëndronte në vendin ku u kryen rrahjet, pranë një restoranti të quajtur Made in Italy. “[Ministri i Brendshëm] Isai qe atje. Ai tha, “’rrihini të gjithë’”.

Hekuran Isai refuzoi të intervistohej mbi këtë libër por edhe Ramiz Alia e mbante mend incidentin.

“Pas takimit me mua, unë shkova në shtëpi dhe nuk e di se çfarë ndodhi,” tha ai. “Ditën tjetër mësova se kishte patur një incident mes studentëve dhe policisë. Thuhej se qe një incident banal – një oficer pati thënë se studentët kishin marrë pistoletën e tij dhe policia sulmoi për ta marrë mbrapsht, dhe ata rrahën tri apo katër studentë me shkopa gome. Kjo është çfarë më thanë”.

Këshilltari kryesor i Alisë, Sofokli Lazri qe po kaq mohues por më i ndershëm mbi qëllimet e qeverisë. “Ai qe një mesazh i lehtë,” më tha mua me një lëvizje të dorës.

Marrë nga Balkaninsight.

Një rindërtim i ngjarjeve që sollën rënien e komunizmit (pjesa e tretë)

You may also like...