Një rindërtim i ngjarjeve të 8 dhjetorit 1990. Qyteti Studenti

Ky është një kapitull nga libri i Fred Abrahams mbi rënien e komunizmit në Shqipëri që pritet të publikohet së shpejti

Fred Abrahams Nju Jork

Lagjja studentore e Tiranës, e quajtur Qyteti Studenti, gjendet në majë të një kodre të ulët në juglindje të qytetit. Më 1990, fjetoret gri të studentëve rrethoheshin nga një zonë e hapur betoni të thyer e bari të shkelur. Elita e epokës komuniste kontrollonte shumicën e aspekteve të ndryshimit politik të Shqipërisë por atë vjeshtë studentët për një periudhë të shkurtër morën kontrollin mbi atë kodër dhe tronditën regjimin.

Protestat pro-demokracisë në Qytetin Studenti. Foto Gani Xhengo

Protestat pro-demokracisë në Qytetin Studenti. Foto Gani Xhengo

Thagma filloi me universitetin që shtyu fillimin e leksioneve për dy javë. Qeveria pretendoi se disa ndërtesa kishin nevojë për riparime, por studentët nuhatën një hile. Ambasadat franceze dhe Italiane ndodhen vetëm një ecje të shkurtër larg Qytetit Studenti. Qeveria ndoshta kishte frikë nga një sulm tjetër mbi ambasadat.

Kur mësimet filluan, funksionarët e partisë cilësuan si “rrugeçër” ata që kishin hyrë në ambasada në korrik dhe i kërkuan studentëve të respektonin ligjin. Partia e Punës po bëhej demokratike, thanë ata. Vetë shqiptarët do të përcaktonin shpejtësinë e ndryshimit. Studentët e hodhën poshtë këtë pretendim. Kur Ministri i Brendshëm vizitoi Akademinë e Arteve, ai u përball me pyetje të prera mbi lirinë e fjalës dhe ndalimin e artit modern.

Studentët po humbin durimin. Për një vit ata patën parë ndryshimet dramatike në Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore e madje edhe në Rumani, duke shpresuar se Ramiz Alia do të ndiqte rrugën e tyre. Në vend të kësaj, çdo lëvizje qe e dyanshme. Alia lejoi dhënien e pasaportave por ushtarët hapën zjarr mbi ata që u përpoqën të arratisen. Disa çështje që më parë qenë tabu u shfaqën në shtypin shtetëror por Alia kërkoi respekt për linjën e partisë.

Shumë nga studentët vinin nga qytetet e tjera, përfshirë Shkodrën dhe Kavajën. Ata kishin parë protestat e para në këto qytete dhe sollën atë energji në Tiranë. Njësoj si pjesa tjetër e Europës Lindore, ata besonin se Shqipëria duhej të ndryshonte.

Ndërsa dimri u afrua, studentët qenë gjithnjë e më të ftohtë e të mërzitur. Qyteti Studenti i Universitetit Enver Hoxha vuante nga dritaret e thyera, mungesa e ngrohjes, ujë me kufizime dhe ndërprerje energjie, të cilat qenë bërë më kqe atë vit nga thatësira që pati ngadalësuar turbinat. Në mes të tetorit disa studentë refuzuan të hanë ushqimin e keq të menzës. Dy ditë më vonë dikush pati shkruar me dorë në mur: “Ushqimi është i keq! Je dakord?” Kjo mund të qe një protestë e vogël në shumicën e universiteteve, por qe një hap shumë i madh në një vend kaq të mbyllur dhe të frikësuar. Një grup studentësh dhe një pedagog i ri zhvilluan atë që e quajtën, Organizata e Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj. Ata kishin filluar me kujdes pranverën e pëmarshme për të diskutuar kushtet e vështira të jetesës dhe reformën politike. U shfaqën objektiva abstrakte të tilla si “ndryshimi”, “liria” dhe “demokracia.”

Disa nga studentët ushqenin këto objektiva politike, por shumë ëndërronin për xhinse, muzikë rok dhe për të udhëtuar jashtë vendit,. Edhe ata me xhinse dhe me ora elektronike nuk mund t’i shfaqnin ato në publik pa ndëshkim. “Frymëzimi ynë nuk qe politik por personal,” shpjegoi Blendi Gonxhe, një student aktivist në atë kohë.

Në nëntor disa nga fakultetet i shkruan letra Ramiz Alisë dhe qeverisë, duke i kërkuar reforma. Organizata e komunistëve të rinj nga fakulteti i inxhinjerisë mekanike kërkoi një takim me kryeministrin Çarçani dhe u ankua mbi kushtet ekonomike në universitet. “Nuk mund të bësh një pallto të re me rrova të vjetra,” thoshte letra.

“Ideja nuk qe të shkonim kundër por të ishim ndryshe,” tha një nga bashkëautorët e letrës Pandeli Majko më 2005 nga zyra e tij si Ministër i Mbrojtjes.

Duke u dridhur dhe të çmendur, studentët e inxhinjerisë elektrike ndërtuan mjete ngrohjeje me krevatët e tyre për të ngrohur dhomat. Këto mjete lodhën transformatorin që furnizonte fjetoret; transformatori shpërthente shpesh dhe dritat iknin. Nën mbulesën e errësirës, zërat thërrisnin nga ballkonet: “Liri!” “Ne duam Demokraci!” Studentët bënin zhurmë duke goditur tubat e ngrohjes. Studentët e muzikës iu përgjigjën nga fjetoret e tjera me një korr trompash.

*    *    *

Në Tiranë ra shi të shtunën, 8 dhjetor. Rreth orës 3 pasdreke, Kryeministri Çarçani shkoi te qyteti Studenti pa paralajmërim ndërsa studentët qenë ulur nëpër klasa, bashkë me ministrin e Arsimit e atë të Ndërtimit, formalisht për të inspektuar ndërtesat e rinovuara. “Ne duhej të ishim të kujdesshëm në mënyrë që kushtet të mos qenë një arsye për revoltë,” më tha mua Skënder Gjinushi, në atë kohë Ministër i Arsimit, ndërsa mendohej për atë ditë.

Studentët kërkuan të takohen me kryeministrin dhe 400 prej tyre u mblodhën në një sallë për të dhënë mendimin e tyre. Ata i folën me respekt Çarçanit por kërkuan kushte më të mira. Kur tre zyrtarët ikën, ata kuptuan se “diçka po digjej,” tha Gjinushi.

Atë mbrëmje rreth orës 8, dritat ikën sërish. Një grup i vogël më së shumti prej studentëve të inxhinjerisë u mblodhën përreth transformatorit për t’u ankuar.  Sëbashku ata kënduan një këngë të vjetër patriotike, “Eja mblidhuni këtu, këtu…”

Vite më vonë, mbetet e paqartë se pse dritat ikën. Disa ish-studentë thonë se ato ranë nga kërkesa e tepërt, siç pati ndodhur shumë net të tjera. Të tjerë thonë se disa studentë hodhën një kabull apo një copë hekuri te transformatori, të etur për t’i hequr dritat dhe për të krijuar një turmë.

Ndoshta qeveri të huaja nxitën disa studentë të sabotonin dritat dhe të nisnin një revoltë, siç i patën nxitur njerëzit të hynin në ambasada pesë muaj më parë. Megjithatë të tjerë besojnë se qeveria e Shqipërisë kishte një dorë, duke dërguar agjentë për të provokuar një turmë të cilën ajo mund ta kontrollonte.

Një rindërtim i ngjarjeve sugjeron se të trija teoritë janë të mundshme. Pa dyshim, studentët qenë gati për të lëvizur. Disa nga protestuesit atë natë besonin te nxitja e ndryshimit dhe ata përdorën errësirën për ta ndezur. Është gjithashtu e mundshme që qeveritë perëndimore nxitën studentët për revoltë. Ndërsa asnjë nga ish-udhëheqësit e studentëve që unë intervistova nuk dhanë fakte, dhe ata të gjithë mohuan të kishin kontakte vetë, shumë pranuan se shërbime të ndryshme sekrete qenë aktive në Shqipëri ato ditë.

Studentët në Tiranë hyjnë në Grevë Urie. Foto Gani Xhengo

Studentët në Tiranë hyjnë në Grevë Urie. Foto Gani Xhengo

Për më tepër, ka gjasa që qeveria shqiptare të vendoste studentë të besuar mes grupit për të farkëtuar ngjarjet në drejtimin që ajo dëshironte. Dhe shumë nga këto komplote u shkrinë e u bashkuan me kalimin e kohës. Pushteti korruptonte studentët e ndershëm. Ajo që kishte mbjellë qeveria u kthye kundër padronëve të vet. Kishte lojëra dhe lojëra të dyfishta ndërsa njerëzit rradhiteshin në krahë të ndryshme në një skenë kaotike që ndryshonte shpejt.

Cilado qoftë shkaku i errësirës, mes pesëdhjetë dhe njëqind studentë që këndonin u zhvendosën drejt një hapësire në qendër të Qytetit Studenti. Disa fjetore kishin drita dhe një grup bëri thirrje të fikeshin dritat në solidaritet. “Të gjitha dritat u fikën dhe pati shumë gëzim,” tha një nga udhëheqësit e studentëve, Arben Lika, ndërsa më shëtiti mua në të njëjtën rrugë që ndoqi atë natë, duke rikujtuar ngjarjet me krenari.

Studentët ecën përtej ndërtesës 14 dhe atje, duke qëndruar në një stol të ulët betoni, qe një i ri me flokë më onde kafe dhe një xhaketë të shkëlqyer prej lëkure të zezë që po i nxiste studentët për marshim. Studentët menduan se ai qe një provokator i qeverisë, por pastaj e dëgjuan të flasë. “Unë kam dy fëmijë,” tha ai. “Por betohem, jam me ju!”

Ky qe Azem Hajdari, një student njëzeteshtatë vjeçar për filozofi nga Tropoja në veri, i cili shpejt u bë udhëheqësi më i fuqishëm i studentëve dhe kreu i partisë së parë opozitare të Shqipërisë. Një hero trim për mbështetësit e tij dhe një spiun bandit për kritikuesit, ai luajti një rol të rëndësishëm dhe të debatueshëm deri në vrasjen e tij më 1998.

Duke kapur rastin, Azem Hajdari dhe protestuesit zbritën kodrën. Ata nuk kishin fuqinë të largoheshin nga Qyteti Studenti, kështu që shkuan drejt fjetoreve të vajzave ku thirrën shoqet dhe të dashurat duke i nxitur të bashkoheshin me ta. Disa zbritën me pizhame dhe turma po rritej.

Në të njëjtën kohë, anëtari i Komitetit Qendror Piro Kondi i telefonoi Ministrit të Arsimit Gjinushi ta informonte mbi ngjarje…. Vijon

 

Marrë nga Balkaninsight. Pjesa tjetër publikohet në Shqip pas pak.

Një rindërtim i ngjarjeve të 8 dhjetorit 1990. Qyteti Studenti (Pjesa e Dytë)

You may also like...