Një vizionar po burgoset për shkak të zilisë për suksesin e tij
Letër e hapur nga populli i Kamzës, Paskuqanit, Bathores dhe Laknasit për Presidentin e Republikës, SHTZ Bujar Nishani, Kryeministrin Ziliqarin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit SHTZ Ilir Meta për denoncimin e vendimit të padrejtë të gjykatës së Tiranës për dënimin e Prof. Dr. Xhelal Mziu.
Ruritania Neës Agency mësoi se populli i Kamzës, Paskuqanit, Bathores dhe Laknasit i ka dërguar një letër të hapur proteste krerëve të shtetit ku e cilëson dënimin e Kryetarit të Bashkisë Kamzë Xhelal Mziu si një padrejtësi që bëhet nga zilia që ka ndaj tij kryeministri Edi Rama, i cili, gjatë kohës që ishte kryebashkiak i Tiranës nuk arriti as sa një të njëqindtën e suksesit të Mziut.
Letra, një kopje e së cilës ra në dorë të korrespondentit të Ruritania Neës Agency nga zona veriore e Tiranës, është firmosur nga disa qindra qytetarë brenda pak orësh pas dhënies së lajmit të dënimit të tij nga gjykata, jep një krahasim kuptimplotë mes arritjeve të Mziut me ato të Edi Ramës. Korrespondenti i RNA vërejti gjithashtu që menjëherë pas dhënies së lajmit për firmosjen e letrës, në qendër të Bashkisë Kamzë u mblodh një grup i madh qytetarësh nga Laknasi, Valiasi, Frutikultura, Bulçeshi, Zall-Mneri etj, të cilët mbajtën rradhë për ta firmosur.
“Edi Rama është ziliqar, për shkak se Xhelal Mziu është profesor doktor në shkencat e menaxhimit, ndërsa ai vetë është thjeshtë piktor që lyen padhate,” shkruhet në letër.
“Xhelal Mziu ka marrë shumë certifikata si menaxher i shkëlqyer gjatë viteve të fundit ndërsa Edi Rama ka marrë certifikatën e fundit në vitin 2004,” vijon më tej letra.
Për ta mbështetur me argumente shkencore zilinë e Ramës ndaj Mziut, letra e popullit të Kamzës theksonte se falë punës së kryebashkiakut, Kamza ka sot 3 mijë banorë për kilometër katrorë, duke u bërë kryeqyteti i zhvillimit demografik të vendit, ndërkohë që Tirana lëngon mbi 20 përqindëshat që kërkon Edi Rama për padhate.
“Kamza sot ka më shumë rrugë, më shumë gjelbrim dhe më shumë jetë sociale se sa Tirana e Edi Rams,” thuhet në letër.
“Me këtë vendim të padrejtë, Edi Rama dëshiron të thotë se PD-ja me hajdutët e saj është njësoj me PS-në me vrasësit dhe trafikantët e saj,” shkruhet në letër.
Populli bën të ditur se do ta shprehë protestën e vet ndaj vendimit të padrejtë më 21 qershor duke e rivotuar me bindje të plotë Mziun.