Orientalizmi si retorikë boshe

Pasi Edi Rama i cilësoi ministrat e tij si Turkoshakë, kryetari i opozitës Lulzim Basha përdori gjithashtu Orientin si simbol i të keqes.

“Karvani i mjerimit i Edi Ramës është nisur për në stepat e orientit ku e pret orienti, jo ai romantiku, por ai politik i dallkaukëve, i allishverishëve, i palaçove, abuzimeve dhe gangsterëve. Unë uroj që socialistët, jo vetëm për të mirën e tyre, por për të mirën e të gjithë Shqipërisë, këtë karvan ta kthejnë me kokë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja për ku është nisur”, tha Basha.

Edi Rama, nga ana e tij përdori termin Turkoshak pa u lodhur të japë shpjegime se çfarë nënkuptonte me këtë term, në një email plot të shara për ministrat e tij, i cili “rrodhi” në media.

Po të lodhesh shumë, ka një dallim mes përdorimit të Bashës dhe atij të Ramës. Për Bashën, orientalizmi është i dyjëzuar, një orientalizëm “romantik” dhe një tjetër, “politik”.

Rama dhe Basha vështirë se janë të vetmit shqiptarë që përdorin orientin për të ilustruar diçka shumë të keqe. Spartak Ngjela, p.sh, vendosjen e dritave në Tiranë e cilësoi si “sukses kundër otomanizmit”.

Në tërësi, përdorimi i orientalizmit në retorikën politike shqiptare është një metaforë banale. Ajo sugjeron para së gjithash, mungesën e forcës së argumentit dhe kompensimin e mungesës së argumentit me një sharje.

Rama nuk duket se është në gjendje të dallojë se çfarë nuk shkon me ministrat e tij dhe me qeverisjen e tij dhe për ta kompensuar këtë, i fut një të sharë, ku orientalizmi dhe racizmi ndaj turqve apo orientit në tërësi, është një viktimë anësore e mungesës së argumentit.

Basha nuk është i lumtur me mungesën e vëmendjes së publikut ndaj fjalimeve të tij. Ai dëshiron që të bie në sy për diçka dhe përdor orientalizmin me shpresë se kjo do të interpretohet si diçka interesante për publikun.

Orientalizmi është i vjetër në historinë e Shqipërisë. Në vitet ’30, shahej perandoria Osmane për dështimet e pushtetarëve të asaj kohe. Në kohën e komunizmit, shahej orienti dhe Turqia dhe koha e paraluftës si nënprodukt i Orientit. Në kohën e post-komunizmit, shahet edhe një lloj tjetër orienti, ai i Rusisë. Dhe në kohën tonë, Rama e Basha e të tjerë, e gjejnë kollaj për të përdorur të njëjtat metafora. Në fund, përdorimi i orientalizmit si justifikim për dështimet e sotme, vështirë se do të ndihmojë në zgjidhjen e këtyre vështirësive.

Orientalizmi është thjesht një retorikë e përdorur në kushtet e mungesës së argumentit.

You may also like...