Pa maxhorancë, pa opozitë, vetëm me grabitqarë

metaQe dita e dytë a e tretë pas zgjedhjeve të fundit kur dëgjova dy socialistë që bashkëbisedonin për rezultatin e zgjedhjeve. I pari i tha të dytit: Kjo qe fitore si ajo e Pirros!

Një konkluzion shumë i saktë i asaj që ndodhi më 23 qershor, një palë zgjedhje që u shpallën nga vendësit e të huajt herë si Rilindje, herë si Fundi i Epokës Berishjane, herë si ndryshim rrënjësor.

Shqiptarët e zakonshëm qenë shumë të lumtur atë ditë. Ajo që kishim më shumë frikë, pra fakti që Berisha mund t’i vidhte zgjedhjet dhe ta zhyste vendin në kaos, nuk ndodhi. Në vend të saj ne pamë ngritjen e tre partive, LSI, PR dhe PDIU, (pa përmendur këtu ata demokristianët) si dhe trullosjen e demokratëve. Socialistët, ndonëse në pamje të parë qenë fitues, sot po rezultojnë jo dhe aq fitues.

Pritshmëritë e shqiptarëve nga politika janë të ulëta. Dëshira kryesore e të gjithëve është që Berisha të ikë bashkë me kulturën e tij të politikës në konflikt ekzistencial të vazhdueshëm. Kjo kulturë deri diku u zbyth, por nuk iku. Demokratët nuk e patën forcën të çlironin veten e vet dhe partinë e tyre nga një njeri që nuk ka lidhje fare me aspiratat e demokratëve të vërtetë. Politika e sherrit të vazhdueshëm ekzistencial vijon.

Në muajt që pasuan zgjedhjet, shqiptarët shpresuan që diçka më e mirë do të vinte. Në krahasim me standardet e ulëta të Berishëve, çdo gjë tjetër që vjen është gjithsesi më e mirë. Vështirë se mund të jetë më e keqe.

Vetëm tani po mësohet se ajo “fitorja si e Pirros” e socialistëve, është me të vërtetë si e Pirros. “Edhe një fitore tjetër si kjo dhe do të kthehem në shtëpi vetëm,” thuhet se tha Pirro pas betejës së famshme në Itali. Pasi humbi gjysmat e forcave të veta në fushëbetejë, megjithëse fitues, qe i pashpresë.

Tashmë na rezulton se LSI ka gllabëruar më shumë se gjysmën e pushtetit. PS teorikisht mori 65 deputetë në zgjedhjet e fundit por katër prej atyre janë botërisht të njohur si njerëz të Metës. Në realitet na rezulton se PS ka marrë 61 deputetë. Meta vijon të blejë deputetë nga opozita, ndërsa mban një aleancë të fshehtë me Lulzim Bashën. Ai ia ka dalë të gllabërojë ministrinë e rrugëve, ku derdhen shumica e shpenzimeve buxhetore në formën e investimeve, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ku kalojnë licencat për të gjithë industrinë minerare të vendit, energjinë elektrike, ku kalojnë dhjetëramilionë euro importe dritash në vit, inspektoratet, ku partia e tij ka një histori të dokumentuar të përdorimit të institucioneve për grabitje të drejtpërdrejta në shkallë të gjerë, (banda e metrologjisë psh), si dhe së fundmi, sistemin e regjistrimit të pronave. Nëpër rrethe, situata duket edhe më e rëndë, megjithëse të dhëna të sakta nuk ka. Ngjan se në raste të ndryshme, partia e Metës ka gllabëruar më shumë se gjysmën e atyre vendeve të punës të vlefshme për të bërë ndonjë lek.

Duke supozuar se ai nuk i ka votat e blera më 23 qershor (supozim që vetëm një i çmendur mund ta bëjë), shqiptarët dukshëm nuk kanë votuar që ai të marrë gjysmën e shtetit. Rama është përgjegjësi për këtë grabitje të shtetit dhe po përpiqet ta luftojë këtë të vërtetë duke prodhuar më shumë reklamë për veten. Meqënëse vjedhjet duhet me doemos të kryhen relativisht fshehtaz, atëherë reklama për arritje të rreme duhet të mjaftojë për të mbuluar zullumin. Por më ngjan se nuk është kështu. Gjithkund shqiptarët po mësojnë se sa pushtet po merr Meta me bandën e tij dhe se sa e rëndë do të jetë të jetosh në Shqipëri.

Lulzim Basha, i cili duhet të jetë kreu i opozitës, nuk është në opozitë. Ai drejton një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë në formën e buxhetit të Bashkisë së Tiranës dhe lejeve të ndërtimit.

Meta ndërkohë shfaqet si paqëtuesi i madh. Ka marrëdhënie më të mira me të ashtuquajturën opozitë se sa me të ashtuquajturën maxhorancë, ndërsa vijon të gllabërojë shtetin shqiptar me bandën e tij. Institucionet janë kthyer në një farë “taksambledhësi”, nga ku nuk mund të kalosh pa paguar. Meta duket se po shkon drejt kontrollimit të 40 për qind a më shumë të shtetit shqiptar. Grabitja që pritet të kryejë do t’i shërbejë për të garantuar se askush dhe mbi të gjitha, Edi Rama, nuk mund të shpëtojë prej tij.

Socialistët e thjeshtë janë të tmerruar nga ideja që pas tetë vitesh opozitë, nuk janë në gjendje të sigurojnë një vend pune për vete. Disa po eksperimentojnë duke shpresuar se do të afrohen me LSI, por shumica po e kuptojnë se në një sistem ku shteti përdoret për të grabitur, asgjë pozitive nuk mund të ndodhë.

Kjo që po ndodh nuk është veçanërisht surprizë.

Suprizë është që një pjesë e shqiptarëve, dhe veçanërisht, socialistëve, vijojnë të shpresojnë se në fund, bilanci i ndryshimit do të jetë pozitiv, se gjërat do të jenë më mirë, edhe me Metën.

Ka socialistë që besojnë se me të mund të merren vesh më kollaj se sa me Berishën, kuptohet, për të gjetur ndonjë vend pune e për t’u anëtarësuar te sistemi i grabitjes. Por në tërësi, një gjë është e sigurtë. Shqiptarët ka shumë gjasa që do të zgjohen shpejt për të kuptuar se në çfarë bataku gjenden.

Ndërkohë, për Ramën në veçanti dhe për socialistët në përgjithësi, mund të thuhet se një fitore tjetër si ajo e 23 qershorit do të mjaftojë që ata të kthehen në shtëpi vetëm fare.

Lexo më shumë: Sistemi i grabitjes, kur politika gllabëroi shtetin modern

You may also like...