Parti ministri
Referencë për disa parti të vogla në Shqipëri, të cilave u jepej drejtimi i një ministrie në koalicion qeverisës dhe ku ministria përbënte njëkohësisht zyrat dhe infrastrukturën e partisë. Partia Agrare Ambjentaliste u bë simbol i partisë ministri gjatë periudhës 1997-2005, kur Ministria e Bujqësisë qe praktikisht zyra e kryetarit ndërsa degët e bujqësisë në rrethe qenë njëkohësisht edhe zyrat e kësaj partie në terren. Zyra e vërtetë e Partisë Agrare Ambjentaliste në Rrugën Budi në Tiranë, qe një barrakë ku dera nuk qe hapur kurrë e ku dryni kishte zënë ndryshk. Gjatë periudhës 2009-2013, Partia Republikane u bë parti ministri përmes menaxhimit të Ministrisë së Mjedisit, ku shumë shpesh, drejtorët e kësaj ministrie nëpër rrethe qenë njëkohësisht kandidatë për komunarë, bashkiakë apo deputetë. Partitë ministri kanë për tipar karakterizues një seri biznesesh apo biznesmenësh që krijohen vetëm dhe në përputhje të plotë me ministrinë e drejtuar prej tyre. Fjalorthi politik shqiptar