Pasoja qesharake e një spektakli të stisur e të panevojshëm
Mbaroi! Për fat të mirë, pasoja e vetme e spektaklit të ofruar nga qeveria këtë ditë të diele qe vetëm qesharak. Duhet të gëzohemi! Është shumë më mirë se sa të qe një pasojë tragjike.
Një vend që nuk ka kurrfarë eksperience të mëparshme me shembje ndërtesash me shpërthim, vendos të eksperimentojë me një ndërtesë pesëkatëshe, në mes të një zone të banuar. Nuk dihet se kujt i shkrepi në mendje kjo ide gjeniale e shembjes spektakolare me shpërthim. Por është shumë e frikshme të mendosh se një urdhër i tillë është dhënë. Në mënyrë krejt të panevojshme nga pikëpamja praktike, qeveria e re dëshiron “t’i vërë minat” mbetjeve të së vjetrës, për të dhënë një mesazh marrëdhëniesh publike.
Në një qytet si Tirana që është bordelloja e ndërtimeve pa leje, qeveria po merr rolin e priftit që predikon vrasjen e kurvave, ose më saktë, të një të vetme prej tyre sa për të bërë bujë.
Për fat të mirë, xhenjerët vendosën të rrezikojnë më shumë dështimin e shembjes se sa shembjen e tepërt. Dhe për këtë duhet t’i falënderojmë.
Ndërtesa është në këmbë dhe ndoshta tani qeveria do ta shembë me metodat konvencionale, siç janë shembur shumë ndërtesa të tilla në njëzet vitet e fundit. Siç tha dikush në Facebook, mjaftonin nja dhjetë fakirë nga Ushtari i Panjohur për ta shembur. Nuk ka nevojë për kaq shumë bujë. Në fund të fundit, është një nga dhjetëramijëra ndërtime pa leje.
Por qeveria e ka më të rëndësishme spektaklin se sa efektin, më të rëndësishme formën, se sa përmbajtjen, më të rëndësishme dhënien e lajmit se sa bërjen e punës.
Ky spektakël po i fyen shqiptarët, ose të paktën ata që kanë sy e veshë. Nga ana tjetër, kjo qeveri po bëhet ekzaktësisht as më pak e as më shumë, po aq qesharake sa ajo paraardhësja, e cila ekzistonte vetëm me synimin që kryetari i saj të dilte në televizor 12 orë në ditë, të mbroçkulliste për çdo gjë dhe të vetëshpallej tre herë në ditë heroi më i madh që Shqipëria ka parë që nga koha e Skënderbeut.
Mirë është që kjo qeveria e re të mos cënojë jetët e njerëzve me dëshirë për spektakël. Shembja me shpërthim e një ndërtese pesëkatëshe, jo vetëm që qe krejtësisht e panevojshme, por rrezikonte të shkaktonte pasoja të rënda. Është vetëm fat, që pasoja e vetme e këtij shpërthimi spektakolar qe tipari qesharak që ka çdo veprim propagande.