Pasojat e paqëllimta të Ukrainës

Michael Meyer

Tashmë që Rusia ka pushtuar Gadishullin e Krimesë, loja e hedhjes së fajit ka filluar, Kritikët thonë se presidenti i SHBA-ve Barack Obama ka lejuar kapërcimin e një vije tjetër “të kuqe”. Dhe gjithkund tjetër po flitet për një “luftë të re të frohtë” dhe një “çmim” për t’u paguar nga agresorët rusë. Por, në këtë mjedis delikat, ne duhet të bëjmë mirë të rikujtojmë dy precedentë historikë.

Njëzet e pesë vjet më parë këtë muaj, kryeministri i Hungarisë Miklos Nemeth udhëtoi në Moskë për të kërkuar bekimin e presidentit sovjetik Mikhail Gorbaçov për një eksperiment radikal. Nemeth, thjeshtë 40 vjeç, qe emëruar nga Partia Socialiste e Punëtorëve të Hungarisë vetëm katër muaj më parë. Ai shihej si një teknokrat i ri dhe naiv i ngarkuar me detyrën për të reformuar ekonominë e dobësuar të Hungarisë. Ai pritej të dështonte. Pastaj ai dhe “reformat” e tij mund të akuzoheshin si përgjegjëse për telashet e vendit.

Nemeth, gjithsesi qe gjithçka tjetër veç jo naiv. Ai kishte një synim sekret: ta nxirrte Hungarinë jashtë bllokut Sovjetik dhe ta afrojë me Perëndimin. Arma e zgjedhur prej tij qe demokracia. Brenda pak muajsh, ai planifikoi të mbajë zgjedhjet e para të lira në Hungari. Çfarë mund të ndodhë, e pyeta unë në atë kohë, në rast se komunistët humbasin? “Ne do të dorëzojmë pushtetin,” u përgjigj Nemeth, “si në çdo demokraci tjetër të qytetëruar.”

Në Europën Lindore komuniste, kjo qe apostasi. Dhe Gorbaçov kur dëgjoi planet e të riut hungarez u zemërua. Udhëheqësia komuniste në Hungari nuk qe diçka që njerëzit e zakonshëm ta vendosin, shfryu ai. Zgjedhje të lira dhe të ndershme? Kjo do të krijonte një shembull të tmerrshëm për pjesën tjetër të bllokut Sovjetik.

Nemeth pa se reformat e tij po rrëzoheshin ndërsa ai vetë kishte një të ardhme të pasigurtë. Pastaj Gorbaçovi papritur i dha fund leksionit të tij. Por natyrisht, tha ai, “kjo të takon tuy për të vendosur.”

Pothuajse pa besuar fatin e vet të mirë, Nemeth bëri pyetjen një milionë dollarëshe. Nëse Hungaria zhvillonte zgjedhje me të vërtetë demokratike, dhe komunistët humbnin, a do të ndërhynte Moska, si më 1956? “Njet,” tha Gorbaçovi dhe pastaj shtoi: “Së paku, jo për sa kohë unë jam ulur në këtë karrige”.

Kjo njet qe me rëndësi themelore. Bashkë me të, Nemeth qe në gjendje të kthehej në Budapest dhe të vijonte me zgjedhjet, duke shënuar një pikë kthese në ngjarjet që përfunduan me rënien e murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe me shpërbërjen e perandorisë Sovjetike.

Lëvizim shpejt drejt të tashmes dhe e krahasojmë diplomacinë e shkathët të Nemeth me atë që kemi parë në Kiev. Në vend që të pranojnë (dhe të merren) me rolin e pashmagshëm të madh të Rusisë në rajon, qeveria revolucionare e Ukrainës e sfidoi atë. Në vend që të fliste me arsye për të gjetur një zgjidhje për problemet e vendit që të përmbushin nevojat dhe interesat e të gjithë nënshtetasve, qeveria e re anuloi gjuhën ruse si gjuhë e dytë zyrtare në lindjen e Ukrainës dhe kërcënoi se shpejt mund të eliminojë autononimë e saj tradicionale.

Nuk duhet të habisë askënd fakti që Rusia ndërhyri. Nëse Nemeth do t’i kishte bërë gjërat kaq keq më 1989, harta e Europës mund të duhej shumë ndryshe edhe sot.

Mendoni një shembull tjetër historik. Presidenti Jimmy Carter kaloi ditën e vitit të ri 1979, duke i telefonuar udhëheqësve të Partisë Demokratike në Uouan rurale. Ai kishte zgjedhjet për mandat të dytë dhe kishte një avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalit Ronald Reagan. Por, vetëm pak ditë më parë, Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin.

As Shtetet e Bashkuara dhe askush tjetër nuk qe në pozicionin për ta ndaluar këtë. Çfarë të bëjmë?

Carter bëri telefonata në përpjekje për të bindur fermerët e Iuouas të mbështesin planin për një embargo në eksportet e drithit për Bashkimin Sovjetik. Një masë e tillë mund t’i jepte një goditje financiare ekonomisë së Miduestit të Amerikës, pati frikë Carter dhe rrjedhimisht të vinte në rrezik mandatin e tij të dytë. Për më tepër, embargoja nuk arriti asgjë përveç thellimit të armiqësisë së Luftës së Ftohtë. Dhe pikërisht kjo ndodhi. Carter humbi zgjedhjet e vitit 1980 dhe Bashkimi Sovjetik as që e ndjeu embargon. Në vend të kësaj, SHBA-të zbuluan një mënyrë të re për të penalizuar agresionin Sovjetik: duke armatosur muhaxhidinët afganë. Një dekadë më vonë, Ushtria e Kuqe u tërhoq, SHBA-të ikën në shtëpi dhe al Kaeda zuri rrënjë.

Sot, ne jemi në një pikë tjetër kthese historike. Sërish, udhëheqësit e Perëndimit përballen me një sfidë për të cilën nuk ka përgjigje të mirë. Sërish, ata ndjejnë se duhet të bëjnë diçka, çdo gjë – edhe nëse kjo që bëjnë nuk ka kuptim apo pasoja.

Në vend që të veprojnë verbazi, siç bëri Carter, do të jetë më mirë të ndiqet rruga e Nemeth dhe të mendohet në mënyrë strategjike mbi synimet dhe mjetet. Përballë pasionit dhe presionit, nevojitet të triumfojë arsyeja dhe të detyrojë të zjarrtit në Kiev të mendojnë me kujdes mbi të ardhmen e Ukrainës e të negociojnë një zgjidhje për të gjithë nënshtetasit e vet.

Tashmë është koha për të hequr pasionet. Ne e dimë nga eksperiencat e të shkuarës se ligji i pasojave të paqëllimta mund të jetë i pamëshirshëm.

Autori është ish shef i komunikimeve për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon dhe autor i librit Viti që Ndryshoi Botën (The Year That Changed the Ëorld), një histori e revolucioneve të vitit 1989 në Europën Lindore.

You may also like...