Përfundimisht kundër të ashtuquajturës reformë universitare

downloadGjergj Erebara

Çështja me reformën e Arsimit të Lartë nuk është a je pro apo kundër reformës apo a je pro apo kundër financimit publik për universitetet private. Çështja është a beson apo jo që Qeveria e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit është e ndershme dhe e aftë për të menaxhuar siç duhet fondet publike. Qeveria thotë se është shumë e aftë dhe shumë e ndershme dhe se do të shpërndajë bazuar te këto dy cilësi, fondet publike në favor të universiteteve të ndryshme publike nën pronësi publike apo private të shitura si publike. Se sa e besojmë ne këtë, kjo është një çështje tjetër.

Nëse ka ndonjë koncept që synon të thyejë reforma aktualisht në diskutim mbi arsimin e lartë është ky: fondet e buxhetit të shtetit, pra të taksapaguesve, nuk do të përdoren vetëm për financimin e universiteteve publike, por edhe të atyre private, apo të atyre që besohet se do të prezantohen si “fondacione” jofitimprurëse. Këtu lind dilema e dytë për publikun: A beson se në Shqipëri pronarët aktualë do të lëshojnë në mënyrë reale dhe permanente pronësinë mbi universitetet e tyre për t’i bërë “publike?” Dhe si rrjedhojë e kësaj: a besojmë ne që shteti, do të garantojë që këto “fondacione” nuk do të kthehen në kioska private me emër publik, nën menaxhimin e shokut, vëllait apo çunit të xhajës së pronarit, ndërsa ky i fundit mbledh lekët pas kuintave?

Një komision i përkohshëm është krijuar për të hartuar një “reformë” për arsimin e lartë. Reforma parashikon shkrirjen e institucioneve ekzistuese mbikëqyrëse dhe vlerësuese të arsimit të lartë dhe zëvendësimin e tyre me disa institucione të tjera. Dokumenti i parë i Komisionit u publikua në prill. Së shpejti pritet të publikohet dokumenti i dytë, i cili teorikisht do të reflektojë konsultat e kryera. Një raport final i tretë, do të publikohet më vonë.

Për nga përbërja, Komisioni nuk mund të konsiderohet “i pavarur”. Maksimumi, ai mund të konsiderohet bipartizan, apo shumëpartizan. Në të marrin pjesë përfaqësues të universiteteve publike, përfaqësues të universiteteve private si dhe disa që duket se janë të dypunësuar, pra në publik dhe në privat. Për shkak të ekzistencës së të “dypunësuarve” është e pamundur të krijohet ndonjë ide se si është balanca mes përfaqësuesve të publikut dhe atyre të privatëve në këtë Komision.

Është premtuar që diskutimet brenda komisionit, “minutes” do të bëhen publike, por duket se palët kanë rënë dakord që këto diskutime të publikohen bashkë me raportin e fundit. Pra pasi gjërat të jenë vendosur.

Analizë e dobët dhe pa fakte

Raporti i parë rreket të bëjë një situatë ekonomike dhe financiare të gjendjes aktuale të arsimit të lartë. Analiza, në rastin më të mirë, është e dobët. Në rastin më të keq, e njëanshme dhe paragjykuese. Raporti jep nja dy shifra: thotë se universitetet publike marrin 38 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe 20 milionë euro nga të ardhurat dytësore. Shifrat nuk janë të përpikta. Për to përdoren togfjalëshat: afërsisht ose përreth. Por skandali vjen kur flitet për universitetet private. Këtu metoda e përdorur për të gjetur të ardhurat është “me vlerësim”. Dihet numri i studentëve, hamendësohet se tarifa e shkollimit është 1 mijë apo 1500 euro në vit. Shumëzohen këto për të dalë në konkluzionin se privati ka xhiro prej 35-45 milionë euro. Na duhet t’i sugjerojmë se një metodë më e drejtë për analizimin e këtij tregu është mbledhja e bilanceve të dorëzuara nga universitetet në tatime. Por jo! Diçka e tillë nuk i intereson shumicës. Në fund të fundit, nëse do të shohësh seriozitetin e universiteteve private, mjafton të shohësh se sa të ardhura deklarojnë në tatime e ta pjesëtosh këtë me numrin e studentëve që kanë. Dukshëm, shumica dërrmuese e universiteteve private, bëjnë evazion fiskal. Por reforma nuk merret me këto punë.

Pjesa tjetër e analizës merr të dhëna krahasuese mbi shpenzimet publike në arsimin e lartë në vende të ndryshme (F 13 e raportit). Kjo lloj analize nuk ka bazë shkencore. Ajo krahason Shqipërinë me vende shumë më të pasura për të dalë në konkluzionin se Shqipëria harxhon pak para për arsimin e lartë. Faleminderit shumë! Nuk kemi nevojë për një raport kaq të gjatë për të mësuar se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë (me përjashtim të Kosovës). Kjo pjesë e analizës na thotë gjithashtu se “Vendet e zhvilluara perëndimore në kuadrin e OCDE e financojnë në nivelet 5 – 8% të PBB arsimin e tyre universitar, nga i cili 1 – 3% e PBB shkon direkt për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”. Duket se këtë fjali e ka shkruar ndonjë nga ata intelektualët e zakonshëm shqiptar, të cilët nuk janë të gjendje të dinë se OECD është klubi i vendeve të pasura, të cilat, jo të gjitha janë “perëndimore”. Dhe në frymën më të mirë të të gjithë sistemit arsimor shqiptar, për këto të dhëna nuk citohet burimi. Dhe kur vjen puna për të diskutuar se pse arsimi në Shqipëri konsumon një pjesë kaq të vogël të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shpjegimi është: “të kushtëzuara nga shumë faktorë të tjerë strukturorë e madhorë”. E pra, nuk kërkohet përgjigjja aty ku është, te mosmbledhja e taksave nga shteti, por fshihemi pas “faktorëve strukturorë”.

Lojë fjalësh për financimin

Pyetja e madhe është se a do të financohen përmes kësaj reforme, universitetet private? Përgjigjja është po! Një shpjegim i gjatë, hileqar e që lë hapësira për keqinterpretime, përpiqet të na tregojë se si e në çfarë kushtesh do të ndodhë ky financim. Raporti nuk merr mundimin të shpjegojë se në çfarë konteksti e për çfarë arsyeje, universitetet private kanë nevojë për fonde publike. Në fund të fundit, përderi sa shteti shpenzon vetëm 460 euro në vit për student, ndërsa privati merr 1 mijë apo 2 mijë euro në vit për student, dukshëm universitetet private janë shumë më të shëndetshme aktualisht nga pikëpamja financiare dhe rrjedhimisht, nuk ka pse të çohet nëpër mend se kanë nevojë për fondet publike. Por për shkak se universitetet private, si dhe ato publike, nuk publikojnë kurrë bilancet dhe nuk kanë as standardet më minimale të transparencës, ne nuk mund ta dimë nëse janë në gjendje të mirë apo në gjendje të keqe financiare. Për këtë arsye, një debat themelor mbi nevojën apo mungesën e nevojës për financimin e universiteteve private nga ana e taksapaguesve, mbahet vetëm në nivel filozofik, ku palët, ose duhet të ngrenë nga varri Marksin, ose duhet të ringjallin Fridmanin, por kurrsesi të përdorin ndonjë fije logjikë nëse është mirë apo keq.

Në total, janë dy elementë: 1. Fondi për kërkim shkencor e novacion dhe; 2. Fondi për mësimdhënie.

Sipas raportit, i cili e diskuton gjithmonë çështjen në rrafshin filozofik, fondi për kërkim shkencor duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë, publikë apo privatë. Nga pikëpamja filozofike, edhe unë jam dakord. Nga pikëpamja praktike, nuk jam fare i qartë. Psh, në raport, kur flitet për grantin për punën kërkimore-shkencore, thuhet: “Ky grant duhet të jetë në total në masën 30% të gjithë financimit shtetëror në arsimin e lartë. Sidoqoftë pjesa fikse e tij që u jepet vetëm institucioneve publike nuk duhet të jetë më shumë se 10%. Pjesa tjetër duhet të shpërndahet nga AKKSH për të gjithë IAL-et, publik dhe jo-publike në formën e aplikimit”. (pika 6.2.4.4 f 32). Kuptuat gjë? Ka ndonjë shifër këtu se sa milionë apo dhjetëramilionë euro buxheti i shtetit do të shpërndajë në bazë të kësaj formule? Jo! Me hamendësim, përderisa parametri i dhënë është që 30 për qind e të gjitha fondeve të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë do të shkojnë “grant për kërkim shkencor”, i bie që universiteteve private t’u krijohet akses te 10 apo 15 milionë euro në vit. Se kush do të jenë universitetet që do të përfitojnë nga ky fond, kjo do të përcaktohet nga një zyrë e re pranë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Kjo zyra magjike, do t’i gjykojë universitetet për nga cilësia, e budallallëqe të tjera. Pastaj, pyetja që të ngel fiksim, është ky kufizimi i paracaktuar. “Pjesa ffikse e tij [fondit] që u jepet vetëm institucioneve publike, nuk duhet të jetë më shumë se 10 për qind”. Hmmm. Dhjetë për qind e çfarë?! E 30 për qindëshit apo e të gjithë shumës së financimit? A mund ta dimë se sa do të jenë fondet publike ku universitetet private do të kenë akses?! Ndonjë vlerësim të përafërt?! Jo! Këto gjëra raporti nuk merr mundimin t’i sqarojë.

Kjo frymë aspak sqaruese e raportit vijon edhe më poshtë, te kapitulli i financimit të mundshëm të universiteteve private për mësimdhënien e zakonshme, pra financim të drejtpërdrejtë nga taksat. Raporti sugjeron që financimi nga buxheti i shtetit për mësimdhënien, e cila duhet të zë 60-70 për qind të të gjithë financimit, për fazën e parë t’u jepet vetëm universiteteve publike. Por e lë të hapur për “fazën e dytë” shtrirjen e financimit publik për universitetet private. Por në këtë pikë hyn ky koncepti i ri i koklavitur: universitet privat jofitimprurës. Në rast se universitetit privat, i teket të shpallet OJF, atëherë fiton të drejtën e financimit nga buxheti i shtetit. Kjo nuk është shumë e qartë, por në fund, i gjithë raporti nuk është aspak i qartë.

Privat apo fondacion

Raporti merr tone sarkazme kur fillon të diskutojë se si universitetet aktuale private, do të duhet të “nxiten” të transformohen në “fondacione” dhe ku pronarët aktualë, të transformohen në “themelues”. Ky transformim, paraqitet si një bamirësi që sektori privat ofron që t’i bëjë publikut shqiptar. Në këtë pyetja që duhet të shtrojmë është: a jetojnë në planetin Mars këto të komisionit apo në Shqipëri?!

You may also like...