Po dekriminalizimit të mariuanës!
Shqipëria ka një problem real sot! Një ligj absurd që ka mbetur i tillë që nga viti 1994 dhe që konsideron posedimin e drogës, qoftë “e lehtë” si mariuana, qoftë “e rëndë” si kokaina apo heroina, pavarësisht sasisë që i kapet përdoruesit nga policia, një vepër penale të dënueshme me minimalisht pesë vjet burg. Kodi Civil nuk bën dallim sa i përket sasisë dhe në gjykata ka ndodhur që kriminelë të rregjur të kapur me shumë dhe shumë kilogramë, apo tonë drogë, të shpëtojnë me pesë vjet burg (pa përmendur këtu ata të shumtët që nuk janë përndjekur) dhe po me të njëjtën masë të dënohen edhe poseduesit e dozave të vogla. Do një dekadë më parë, një palë prindërish në Shqipëri denoncuan fëmijën e vet konsumator droge, me shpresë se disa kohë të kaluara në burg do t’i bënin mirë. Prindërit u tronditën kur mësuan se në fakt, këto “kohë burg” nënkuptonin dënim të plotë me pesë vjet.
Gjykata e Lartë ka marrë një vendim unifikues shumë vite më parë për të dalluar konsumatorët e zakonshëm të drogës nga trafikantët duke sanksionuar që dënimi për konsumatorët të jepej me kusht. Pra pesë vjet burg, por në liri. Në një situatë normale, ata që kapen me sasi për konsum personal, kalojnë në burg një apo dy muaj sa të mbyllen procedurat. Me shumë fat dhe (kuptohet, me pak para), mund të lirohesh brenda dy ditësh. Por në raste të veçanta, ku i dihet se si gjykatat zbatojnë parimet ligjore. Ndokujt mund t’i kushtojë rëndë një gjë kaq e rëndomtë sa konsumimi i mariuanës.
Shqipëria ka një problem po kaq real që janë shteti i korruptuar deri në palcë, zyrtarët predatorë të gatshëm për të zhvatur këdo që i del përpara.
Gjatë 20 viteve të fundit, në këtë vend ka patur një pafundësi kriminelësh të mirëfilltë që janë kapur me drogë dhe kanë dalë të pafajshëm, ka prej tyre që kanë ngjitur shkallët e karrierës dhe i kemi sot si përfaqësues të popullit në parlament.
Ka edhe shumë shqiptarë, që për një arsye apo një tjetër, arsye banale apo “intelektuale” pëlqejnë ndonjëherë të pijnë mariuanë.
Konsumatorët e mariuanës, eksportit më të famshëm shqiptar, duket se janë të shumtë. Këta konsumatorë, të bezdisur nga ideja që rrezikojnë kaq shumë në rast se kapen nga policia, po kërkojnë “legalizim” të mariuanës.
Nga ana tjetër, për shkak se konsumatorët janë kaq të shumtë, është paksa budallallëk të besosh se shoqëria ka leverdi që t’i fusi të gjithë në burg apo t’i dënojë me kusht, duke shkaktuar kosto për taksapaguesit. Nëse policia shkon të kryejë kontroll të rreptë në ndonjë lokal, ka gjasa që do të kapë një dyzinë me posedues droge.
Ndonëse legalizimi është një fjalë e madhe dhe shumë pak vende e kanë bërë deri tani, një gjë tjetër që është e logjikshme të bëhet në Shqipëri për momentin është dekriminalizimi i posedimit të dozave të vogla të drogës. Ka vende që shkelje të tilla i dënojnë me një gjobë që vendoset nga polici që identifikon shkeljen. Një gjobë, fjala vjen, 5 mijë lekë, besoj se është e mjaftueshme. Moralistët, të cilët duket se besojnë se një cigare bar është më e rrezikshme se sa trafikantët që kemi në parlament, janë të lutur të vijojnë luftën e tyre kundër këtij vesi të shoqërisë. Por për momentin, problemi më emergjent është disproporcionaliteti i masës së ndëshkimit për konsumatorët e mariuanës. Zëvendësimi i kësaj mase ndëshkimi me gjobë është një hap shumë i logjikshëm.