Po ku dreqin janë paratë e Lazaratit?

10498588_515333621927063_2319724728298714657_oPasi dëgjuam lajme të bollshme mbi sasinë e stërmadhe të drogës dhe fidanëve të marijuanës të kapur në Lazarat gjatë operacionit policor tetëditor, na ka dalë një problem. Paratë e drogës, të cilat, sipas njoftimeve të policisë mbi sasinë e kapur, duhet të arrijnë në qindramilionë euro, nuk po duken gjëkundi.

Madje, së fundmi, policia e shtetit raportoi se ka gjetur “rreth 27 milionë lekë të vjetra”, duke shënuar një nga ato rastet e shëmtuara të përdorimit të “lekëve të vjetra” për t’i bërë lekët të duken më shumë. Këto lekët e vjetra, janë të barazvlefshme me 20 kg marijuanë.

Policia njoftoi së fundmi se ka zbuluar dhe konfiskuar në Lazarat mbi 44 tonë marijuanë dhe mbi 140 mijë fidanë e bimë. Këto 44 tonët e marijuanës, e cila shitet në Lazarat për 300 euro për kilogramë, duhej të sillnin 13.2 milionë euro. Këto 140 mijë fidanët, nëse mbilleshin dhe rriteshin, mund të prodhonin 1400 tonë të tjera me çmim shumice prej 42 milionë eurosh. Sikur vitin e kaluar të jetë mbledhur dhe shitur e njëjta sasi, në Lazarat do të duhej të kishte mbi 50 milionë euro nëpër duar. Për të 3 mijë banorët e fshatit, kjo përkthehet pak a shumë në 16 mijë euro për frymë të ardhura brenda një viti.

Marijuana e ka bërë të pasur Lazaratin, kjo nuk ka dyshim. INSTAT vëren se në Lazarat ka 170 makina për mijë banorë, nga 120 makina për mijë banorë që është mesatarja kombëtare. Megjithatë, pamjet e shfaqura nga televizionet dhe më së shumti nga Policia e Shtetit nuk paraqesin kaq shumë para në Lazarat. Me përjashtim të vilës trekatëshe të Gates, e cila, për nga luksi nuk i afrohet fare asnjërës prej vilave më modeste të politikanëve më të humbur të vendit, pjesa tjetër e Lazaratit duket se nuk është kurrsesi kaq i pasur sa sugjerohet nga shifrat e volumit të drogës.

Morali i fabulës për pjesën tjetër të Shqipërisë duket se është se mbjellja e kanabisit, sido që është drogë, vështirë se mund të të bëjë aq të pasur nga posti i deputetit apo ministrit. Madje edhe në postin e ndonjë drejtori a doganieri, mund të fitosh më shumë para nga sa nxorrën Lazaratasit nga droga.

Nga ana tjetër, fakti që policia ka kapur deri tani drogën, ose më saktë, ka njoftuar se ka kapur 44 tonë drogë, por nuk ka mundur të gjejë asnjë pasuri të qënësishme të krijuar nga droga, sugjeron se në fakt padronët e vërtetë të drogës së Lazaratit dhe përfituesit kryesorë, gjenden gjetkë, por jo në Lazarat.

You may also like...