Po tani me reformën?

Ajo që ndodhi në takimin Rama-Basha ishte në një farë mënyre edhe një dështim i parashikimeve dhe basteve që shumica prej nesh kishin vendosur. Shumë pak prej nesh kishin menduar se Basha-Rama-Vasili pas tre orëve  diskutimi intensiv do të dilnin nga Pallati i Kongreseve me dy fjalime plus një në xhep.

Praktikisht, u duk qartë nga fjalimet por edhe nga rrjedhja e asaj çfarë qe diskutuar se në atë takim nuk kishte pasur negociatë dhe as diskutim por thjesht një larje goje ku palët kishin  qëndruar në llogoret e tyre. Një risi kjo për takimet politike të këtij niveli të cilat në situata të ngjashme arrijnë të prodhojnë një rezultat që i shkon për shtat të dyja palëve dhe kjo arritje nuk është edhe aq shumë nga aftësia e çastit e atij takimi. Suksesi vjen sepse për një kohë të mëparshme specialistët kanë diskutuar më së pari temat dhe piketat e takimit.basha-rama-1-701x458

Duket se asnjë nga këto kritere nuk u ruajt në standardin shumë të njohur, përndryshe çfarë kuptimi do të kishte një takim i këtij niveli nëse Rama dhe Basha do të hynin në këtë takim ku njëri të fliste për tolerim në 2/3 dhe tjetri për “vendet e rezervuara”? Ku gjatë tre orëve, sipas burimeve që nuk janë kundërshtuar, diskutimi është kryer mbi pikën e fundit dhe se kryeministri nuk ka qenë aspak i gatshëm për ta pranuar tjetrin në bisedime.

Praktikisht takimi megjithëse zgjati shumë nuk mundi të prodhojë asnjë negocim sepse ndryshe nga se rregulli i artë i Tajlerondit, se në diplomaci dhe negociata duhet të shkosh me më shumë se një zgjidhje, u përkthye nga kryeministri në të shkuarit në një takim me më shumë se një fjalim. Duke treguar për të gjithë shqiptarët se ai në fakt nuk kishte asnjë dëshirë për të diskutuar një problem të rëndësishëm që e bën procesin e reformës në drejtësi kallp.

Debati mbi vendet e rezervuara ndonëse një çështje tërësisht teknike ka në thelbin e vet sigurimin e mos kapjes të sistemit nga një forcë apo individ i caktuar politik. Apologjia e përhapur gjerësisht në media se kjo nuk mund të ndodhë sepse a. Rama nuk e do Reformën në Drejtësi (pra këtë që po diskuton) dhe b. Sistemi nuk mund të kapet sepse në këtë mes janë amerikanët; ka marrë përgjigjen e duhur më shumë se një herë në shkrime të ndryshme në gazetë, ku padyshim më i spikaturi ka qenë ai i Lubonjës disa muaj më parë. (linku 2)

Pretendimi se Rama nuk e dëshiron një reformë e cila do t’i jepte atij pushtet të pakufizuar si në përzgjedhjen ashtu edhe në kalkulimin e jetës së një gjyqtari apo avokati është lehtësisht e rrëzueshme. Jo vetëm si pasojë e dëshirës dhe etjes së madhe të kryeministrit për pushtete absolute, që faktohet lehtësisht nga mënyra se si ai trajtoi reformën territoriale që ende sot e kësaj dite është një reshformë e gjymtuar, por edhe reformën në arsimin e lartë apo edhe sektorë të tjerë jetikë të shtetit.

Qasja e Ramës ndaj totalitarizmit është shpjeguar dhe besoj që është e qartë për ç’do lexues i cili mjafton të shohë etjen e tij për të zotëruar artin dhe artistët. Këta të fundit nuk është mjaftuar duke i mbajtur peng të disa programeve që shpërndan lart e poshtë me buxhetin e shtetit por edhe i ka “rrëmbyer” me apo pa dëshirën e tyre në ekspozitën personale COD.

****

Historia e reformës në drejtësi nis me komisionin e ngritur në nivel ekspertësh të cilët pas propozimeve që sollën pretendonin të ndërtonin një arkitekturë të pavarur nga politika. Por një vëzhgim i shpejtë i ekspertëve solli në evidentimin se raporti i komisionit nuk qe aq etik, lidhjet familjare mes anëtarëve të qeverisë me ekspertët e komisionit përbënin një problem më vete. Siç edhe raporti që prodhuan ato në dukje qe një reformë e cila do të zhbënte lidhjet e drejtë për drejta me politikën por që në thelb kishte shumë gjasë të bënte lidhjen nëntokësore mes kryeministrit dhe anëtarëve të gjykatës.

Ndonëse reforma në drejtësi lindi si nevojë edhe domosdoshmëri për një vend si Shqipëria, që nuk ka dëshirë të respektojë maksimalisht as ato parime për të cilat ka rënë dakord. Pikërisht mungesa e këtyre parimeve arriti të kthejë, sidomos gjatë presidencës së Bamir Topit, sistemin gjyqësor në një korporatë të madhe.

Kështu sistemi aktual i drejtësisë ndonëse është tërësisht i kalbur, e ka këtë kalbje si pasojë e ndërhyrjes së pa principtë të politikës për ta kontrolluar atë.

Nuk besoj se është i rastësishëm dufi i kryeministrit që lëshohet ndaj drejtësisë sa herë që vendimet e saj janë kundër interesave të tij apo personave pranë tij. Janë pikërisht këto segmente të shpërthimeve që duhen pasur parasysh sa herë që kryeministri flet nga foltorja e kuvendit apo ndonjë institucioni tjetër si një ashik i lidhur ngushtë me drejtësinë. Siç nga krahu tjetër, imituesit e tij si rasti i Tahirit, përpiqen të krijojnë një relatë të ngushtë me liderin duke e imituar sulmin ndaj gjyqësorit sa herë që ky i fundit ka diçka serioze.

Janë të largëta ditët kur Tahiri shkonte në zyrën e Llallës për t’i kërkuar të hetohej për akuzat, apo jo?!

Kjo dyanësi qëndrimi ndaj sistemit gjyqësor dhe atij hetues janë një tjetër argument për të kuptuar se opozita ka një farë drejtësie në frikën e saj ndaj reformës në drejtësi. Frikë e cila morri përgjigjen e saj nga komisioni i Venecias, ky i fundit pasi parashtroi një sërë pikash të rëndësishme që fundosën qartësisht reformën e propozuar nga ekspertët, i dhanë mundësinë politike opozitës të futej në lojë.

Një mundësi të cilën Rama nuk kishte ndërmend t’ia jepte përderisa qasja politike e opozitës me shumë mundësi ishte më e sigurt se e mazhorancës. E cila ndër të tjera në betejë duket se vinte edhe e dyzuar me një aleat që nuk ia kishte edhe aq shumë qejfi të përfshihej në një reformë që mund të shndërrohej në gijotinën e tij.

Por një arsye tjetër se përse mazhoranca nuk parapëlqente ta trajtonte politikisht këtë fenomen qe edhe nga mungesa e armëve për t’u përballur jo vetëm me argumentat e opozitës por mbi të gjitha me realitetin gri që prodhonte kryeministri me shpërthimet e herë pas hershme ndaj gjyqësorit.Ekspertet-Venecia-300x180

Në këtë lojë, ishin qartazi dhe ndërkombëtarët të cilët u investuan fuqimisht që reforma të merrte drejtimin e duhur për t’u miratuar në parlament. Në bazë edhë të këshillave e sugjerimeve të Venecias, përpos kërkesës së vazhdueshme të Opozitës, ato këshilluan dialogun politik përveç diskutimit në nivel ekspertësh.

Mbështetësit e teorisë së mazhorancës se nuk ka nevojë për dialog politik, heshtën duke i lënë vendin një arsyetimi më politik ndaj kësaj çështje dhe mbrojtja edhe apologjia e tyre kundër dialogut rreshti me një të rënë të lapsit duke u shumëzuar me zero.

Me të drejtë? Ndoshta, duke qenë se politika nuk mund të jetë një outsider në raport me atë çfarë po ndodh ndaj një pushteti të rëndësishëm si gjyqësori aq më shumë kur defektet e Reformës “Jopolitike” qenë të dukshme dhe u evidentuan përpara se të shkonin deri në Venecia.

Por nëse dialogu politik nisi në rang deputetësh, kryeministri duket se e kishte të qartë dhe bindte veten dhe të tjerët se do të votohej një reformë në drejtësi që nuk do të kënaqte të dyja palët.

Pikërisht, me këtë qëllim në mendje mediat pranë tij nisën ndërtimin e një historie në të cilën përfshiheshin sa gjyqëtarë të lidhur me Berishën dhe PD-në ashtu edhe histori që do të çonin më në fund para togave të zeza Berishën dhe ministrat e tij. Madje jo pak herë analistë të cilët qartësisht paraditeve janë një zë në veshin e Ramës, përpiqeshin në darke të pikturonin një të ardhme të errët deri edhe për Bashën që kjo reformë do të sillte.vencias

Në përgjigje të tyre edhe opozita përdori me mënyrat e saj jo dhe aq efiçente, të njëjtët armë për të dëshmuar që ishte Rama dhe mazhoranca që nuk dëshironte një Reformë në Drejtësi. Arsyeja se përse kjo ligjëratë e opozitës ngjiti vjen edhe si pasojë e skandaleve të njëpasnjëshme që shpërthyen në qeverinë Rama të cilët e bënë më të besueshme këtë teori.

Gjithsesi, qeveria e Ramës që njësoj si qeveria Berisha e quajti Gërdecin aksident teknologjik dhe që u mbrojt për 21 janarin në të njëjtën mënyrë, vazhdonte të trumbetonte me aftësinë e saj të pakrahaueshme propaganduese se qe Berisha që pengonte PD-në për të pranuar reformën. A mund të jetë kështu? Edhe mundet! Por nga sa lexohet në kohëzgjatjen e gjithë këtyre bisedimeve, në çështjet e rëndësishme është PD ajo që ka arritur të mposhtë Reformën e Fatmir Xhafaj dhe mazhorancës.

Këtij dështimi mazhoranca i përgjigjej përherë me një fjalim të parapërgatitur duke qenë se ajo e kuptonte fare mirë se nuk mundet dot të mbrohej përballë asaj çfarë kishte shkruar në atë që e kish bekuar si reformë. Andaj zgjodhi të bënte atë që di më mirë, të ligjëronte në formë pa subjekt dhe po të vihen re, gjithë fjalimet e Ramës kanë si rrjedhojë logjike pikërisht këtë fabul.

Në mesin e kësaj beteje të rëndësishme u vu re se edhe ligji i dekriminalizimit qe kthyer në një fitore për opozitën. Ilariteti që krijuan kryetarët e bashkive të Kavajës, Krujës dhe Pukës mazhoranca u përpoq që t’i anashkalonte duke sulmuar Flamur Nokën. Apo më saktë pëprjekja qe të kapurit pas një fije peri për ta shndërruar Nokën në një VIP përmes atashimit të tij si poliagjent UDB-je. Një lëvizje politike jo aq e kalkuluar politikisht po të kihet parasysh edhe faktori Blushi në PS, të cilit Elvis apo Ervin Roshi falë aftësisë së tij për të dalë nga kontrolli, ia lehtësoi më shumë punën të parit.

Nën këtë trysni takimi Rama-Basha-Vasili nuk prodhoi atë që ndërkombëtarët dëshironin dhe këto të fundit morën një njëanshmëri të dukshme në fund të tij. Exit.al raportonte se kjo njëanshmëri mund të ketë ardhur si pasojë e aftësisë më të mirë komunikuese të Ramës, por kjo më bën të dyshoj. Fakti që palët kishin rënë dakord për vendet e rezervuara, fakti që edhe personat që u morrën me arranxhimin e takimit kishin rënë dakord për temën dhe fakti që nuk u prodhua konsensus por butafori fjalimesh. Tregojnë se gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë.

Po sot Basha a mund të ndihet i vetmuar?

Në gjykimin e parë, ai është personi që duhet të jetë nën frikën se ndërkombëtarët kanë vendosur ekzilin e tij nga qeverisja. Dhe ky qe një gjykim që mund të ishte i fortë nëse kryeministri Rama nuk do të kishte folur sot në kuvend.

I gjithë fjalimi i tij qe një dëshmi e dëshpërimit që nuk vjen nga një fitore e shumëpritur, por qe dëshpërimi i dikujt që ka shpallur një fitore e cila në fakt është humbja e hidhur. Praktikisht e gjithë kjo burokraci e Bashës dhe kjo vajtje ardhje i ka dhënë atij mundësinë që t’i marrë Opdat dhe Venecias atë që ai dëshironte. Pra me pak fjalë opozita arriti të merrte atë që kërkonte nga Reforma në Drejtësi, duke u treguar tejet fleksibël edhe për faktin e uljes në diskutim me kryetarin e një qeverie që nuk e njeh për kryetar opozite.Edi-Rama-ne-Kuvend

Megjithëse skema e Bashës nuk qe e artikuluar mirë në marrëdhënie me publikun, taktikisht  i dha atij mundësinë për të fituar pikë  edhe pse mediat e shkruara në krahun e mazhorancës më shumë i dhanë jehonë deklaratës së BE dhe SHBA.

Por, kësaj radhe duket se Basha ka arritur të ngrejë një kurth në të cilin Rama dhe mbështetësit e tij ranë me këmbët e tyre. Tanimë është e qartë që në tavolinën e dialogut nëse Rama do të vendosë të vijë përpara fundit të korrikut dhe pa tentuar ndonjë blerje deputeti ai do të jetë i humbur dhe i dorëzuar.

Pikërisht kjo qe shija që Rama kishte sot, ndër të tjera, ndaj edhe sulmet e tij ndaj opozitës duke i quajtur tufë “derrash” nuk qenë vetëm se një shkëndijë e vogël e asaj çfarë ai ndjen për këtë rreng. Nga ana tjetër, një rrezik luhet mbi kokën e ministrit të tij, i cili ka rrezik të shpërndajë më herët qeverinë dhe që ka rrezik të harxhojë fuqitë e tij që mund t’i përdorte në merkaton e reformës së tij.

Kështu, historia e reformës në drejtësi duket se është ende e ngrohtë dhe siç thotë Tajlerand “arti i një shtetari është të parashikojë të pashmangshmen dhe ta lehtësojë të ngjarin e saj”.

You may also like...