Politika e studentëve përballë politikës partiake

Me protestën e studentëve që po zhvillohet aktualisht në Tiranë, shqiptarët pritet të marrin një leksion të vlefshëm. Politika partiake, e cila në Shqipëri është e vetmja formë e njohur e të bërit politikë është vetëm një nga format e politikëbërjes. Dhe studentët duken mjaftueshëm të ndërgjegjësuar për këtë.

Thirrjet “Jo Politikë” janë bërë të zakonshme në protestën e studentëve në Tiranë, e cila të dielën hyri në ditën e saj të gjashtë. Studentët, pjesa më e madhe e të cilëve duket se e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë dhe që kanë një strategji të qartë përqasjeje në politikën e tyre, kanë zgjedhur këtë slogan jo aq shumë se nuk e dinë se po bëjnë politikë, por se e dijnë se në veshët e shqiptarëve në përgjithësi, partitizmi është e vetmja formë e të bërit politikë. Nëse ata do të thirrnin “jo partitizëm”, gjë që është ajo çfarë duan të thonë me thirrjet “Jo Politikë”, mesazhi i tyre për popullsinë e gjerë ka gjasa do të ishte i pakuptueshëm.

Pikërisht ky realitet, konotacioni thellësisht negativ që i kanë dhënë partitë politike shqiptare fjalës politikë, si sinonim i vjedhjes, korrupsionit, pafytyrësisë morale dhe gënjeshtrave duhet të shërbejë si leksion për shqiptarët për të njohur format e tjera të të bërit politikë. Politikë mund të bëhet përmes partive, përmes marrëdhënieve të biznesit, përmes shoqërisë civile, sindikatave, universiteteve, përmes proceseve gjyqësore të litigimit strategjik, përmes marrëdhënieve me jashtë etj. etj. Ajo që po bëjnë studentët është një politikë universitare ku mjeti i përdorur me synimin për ndryshim është protesta në rrugë.

Ajo çfarë ne shqiptarëve duhet të na shërbejë si leksion është se sa pak e kuptojmë ne shqiptarët politikën jopartiake, pafundësinë e mjeteve që kemi në dispozicion për të arritur ndryshim, mjete që nuk kërkojnë parti politike, as pjesëmarrje në zgjedhje por që mund ta bëjnë jetën tonë më të mirë.

Partitë politike kanë bërë çfarë kanë mundur që të shkatërrojnë protestën jopartiake të studentëve gjatë ditëve të fundit. Ky është një reagim instiktiv i partive ndaj një forme të huaj dhe konkurruese me partitë në të bërit politikë. Dhuna e ushtruar nga militantët ditën e dielë ndaj protestuesve jopartiakë ka gjasa e bën situatën një përballje të tillë ku ose partitizmi do të triumfojë edhe një herë në Shqipëri si e vetmja formë e të bërit politikë, ose shqiptarët do të triumfojnë me një formë jopartiake të politikëbërsjes.

Qeveria bën thirrje për “bisedime” dhe kërkon me çdo kusht që studentët të “krijojnë grupe negocimi”, apo “përfaqësues” apo të “zgjedhin kryetarë”. Si një parti politike, qeveria e përfaqësuar nga PS dëshiron të luftojë me kërkesat e studentëve në atë fushë që di të luajë më mirë, në atë të negociatave mes “palëve”. Origjina e fjalës parti në fakt është pikërisht kjo, palë. Studentët e vitit 2018 nuk e kanë ngrënë karremin. Duke refuzuar të zgjedhin udhëheqës dhe duke refuzuar të negociojnë, studentët e sotëm nuk po bëjnë gabimin e studentëve të dhjetorit ’90. Nëse e keni harruar, mbani mend se si veproi politika në atë kohë. Studentëve protestues iu dërgua një përfaqësues nga të ashtuquajturit, këshille rinore. Ai bëri thirrje nga pas kordonit të policisë që studentët të zgjedhin disa përfaqësues, të cilët do t’i priste në takim ministri i brendshëm Hekuran Isai. Pas ofertës për bisedime filloi dajaku. Pastaj, partia në pushtet (që sot është e njëjta), në bashkëpunim me opozitën e sapokrijuar filloi procesin e gjatë të zvarritjes, infiltrimit, krijimit të “përfaqësuesve falso”, kërcënimeve dhe dhunës me synimin final të shkatërrimit të protestës së studentëve. Ky është një skenar që po përsëritet edhe sot. Studentët kanë bërë një listë me kërkesa për Ministrinë e Arsimit. Ministrja e Arsimit i kthen përgjigje, jo studentëve, por një fantazme të quajtur Këshilli Rinor Shqiptar. KRSH është pak a shumë i njëjti mjet i grupeve rinore të komunizmit.

Opozita nga ana e saj po synon që ose të rrëmbejë drejtimin e protestës, ose, në mungesë të kësaj, ta shkatërrojë atë. Arsyeja është e qartë: partitizmi duhet të mbetet i vetmi mjet politik në Shqipëri dhe kjo është në interes si të qeverisë, ashtu edhe të opozitës.

Studentët e sotëm janë më të përgatitur për t’u përballur me hile të tilla të politikave makiaveliste, por sërish ata nevojiten që të jenë një masë aq e madhe sa të mposhtin kandidatët për drejtorë të grupeve rinore partiake. Tani i takon shqiptarëve të zgjedhin. Shqiptarët mund të mbështesin politikën jopartiake ose të vijojnë të jetojnë nën regjimin partiak.

You may also like...