Politika ekonomike dështoi në zbatim, polici nuk bën dot gjë

Undercover Economist

rama-shehaj-sot-me-tatimor-1024x675

Qeveria pati një plan, i konceptuar qartë me ndihmën e FMN-së në vitin 2013. Qeveria nuk e zbatoi këtë plan për defekte të paaftësisë së zbatimit të ligjit, klientelizmit, punësimeve politike në administratë… rrjedhimisht plani dështoi.

Si të mos mjaftonte kjo, shkaqet e dështimit të planit për rimëkëmbjen ekonomike duket se nuk po analizohen, ose po analizohen duke marrë për pikënisje justifikimin, por jo identifikimin e drejtë të problemit.

Përpjekja për mbledhjen e faturave të dritave me polic apo të lëshimit të faturave fiskale me polic, apo tendenca për zëvendësimin e sistemit të taksave në përqindje me taksa afrofe, siç po ndodh aktualisht, është thjeshtë një fshehje pas gishtit. Nëse refuzohet të pranohen problemet ashtu sicc janë, ato probleme natyrisht që do të mbeten të pazgjidhura. Shtimi i dhunës shtetërore mbi popullsinë duket më shumë si një tërheqje vëmendjeje diku larg nga problemi real.

Plani i qeverisë për rimëkëmbjen e ekonomisë, ravijëzuar në programin e ndihmës me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore në vjeshtën e vitit 2013 qe i qartë dhe bazohej në disa kolona: 1. Rritje e borxhit publik me synimin e shlyerjes së malit të faturave të papaguara të qeverisë së kaluar me synimin e normalizimit të klimës së të bërit biznes me shtetin. Rikthimi i bizneseve me detyrime të papaguara nga shteti në kreditorë të mirë të bankave. Mbyllja e punimeve nëpër rrugët e pafundme të hapura nga qeveria e kaluar apo zvogëlimi i projekteve të nisura që rezultonin të tepërta. 2. Rritja e taksave për të paguar këtë rritje të borxhit publik në vitet e mëpasme. 3. Lehtësimi administrativ dhe fiskal i bankave për procesin e shpalljes së pavlefshme të kredive të këqija. 4. Ulja e borxhit publik në vitet 2016-2019 me synimin e krijimit të likujditeteve për kreditimin e sektorit privat dhe rrjedhimisht, rikthimi te rritja ekonomike e lartë dhe e qëndrueshme në nivelin 4 apo 4.5 për qind në vit.

Afro dy vjet më pas, të gjitha këto punë duket se kanë sjellë, në rastin më të mirë, rezultate shumë më të pakëta nga sa pritej. Dikush mund të argumentojë se rezultati i dobët qe pjesërisht pasojë e analizimit difektoz të gjendjes së ekonomisë në vitin 2013 dhe identifikimit jo të plotë të problemeve, rrjedhimisht në gjetjen e mekanizmave të gabuara të zgjidhjes së këtyre problemeve. Por pavarësisht kësaj, defekti më i madh duket se gjendet te zbatimi i këtij plani.

Le ta nisim nga e para: shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve, ndonëse një masë e domosdoshme, nuk u konvertua në shlyerje të kredive bankare nga këto biznese, rjedhimish nuk u konvertua në ulje të përqindjes së kredive të këqija në sistemin bankar. Kjo gërryu kreditimin e ekonomisë dhe rrjedhimisht, hëngri një pjesë të rritjes ekonomike të pritshme, pavarësisht se borxhi publik, pra fatura që u krijua me synimin e zgjidhjes së këtij problemi, u rrit duke rënduar jetët e shqiptarëve për vitet e ardhshme.

Lehtësimi i procedurave fiskale dhe barrës fiskale për mbylljen dhe deklarimin të humbura të kredive të këqija, e cila, supozohej se do të sillte ulje në 4 deri në 6 pikë përqindjeje nga niveli aktual i kredive të këqija nuk funksionoi. Dukshëm bankat nuk po pastrojnë siç duhet bilancet e tyre nga kreditë e këqija për arsyen e thjeshtë se ky pastrim bilanci do të duhej të shoqërohej për shumë prej tyre me rritje kapitali.

E dyta: Rritja e taksave u krye në mënyrë hileqare nga qeveria. Në vend që të pranonte realitetin ashtu siç qe, qeveria u përpoq të mashtronte shqiptarët, fillimisht duke propaganduar për ulje të tatimit mbi të ardhurat personale (përmes teorisë së taksimit progresiv), pastaj duke rritur taksat mbi karburantet dhe cigaret duke u fshehur pas teorive banale të mbrojtjes së mjedisit apo të shëndetit, argumente që i fyejnë inteligjencën çdo shqiptari.

Dhe ndërsa rritja e taksave qe një gjë që duhej të kryhej në fund të fundit, problemi doli që miratimi i ligjit për rritje në parlament nuk mjaftonte në vetvete. Taksat, përveçse të rriteshin, duhej edhe të mblidheshin. Këtu qeveria, si hap i parë për zgjidhjen e problemit, duhet të pranojë shkaqet e problemit. Duke i trajtuar pozicionet e drejtorëve kryesorë të lidhur me fiskun si tatimet dhe doganat si poste politike dhe duke emëruar në to, njerëz pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në këtë fushë, kryeministri mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë dështim.

Kush ka pak memorie se çfarë ndodhi në muajt e fundit të vitit 2013, besoj se e mban mend se, në pritje të rritjes së taksave mbi cigaret dhe naftën, kompanitë nxituan të krijojnë stoqe duke i importuar këto mallra me taksat e vjetra dhe për të futur në xhep fitime më të larta. Problemi qe i njohur dhe i përsëritur sa herë që taksat dhe akcizat janë rritur në Shqipëri dhe zgjidhjet e këtij problemi qenë të thjeshta dhe lehtësisht të zbatueshme.

Qeveria, bashkë me ligjin për rritjen e taksave, mund të përcaktonte mbledhjen e taksave me akcizën e re edhe për importet e realizuara me akcizën e vjetër për sa kohë karburanti dhe cigaret e importuara nuk qenë të konsumuara. Në fund të fundit, akcizat dhe taksa e qarkullimit mbi naftën dhe TVSH-ja mblidhen në dogana për konveniencë. Kjo nuk e ndalon kurrsesi qeverinë që ta mbledhë akcizën dhe TVSH-në në një nga hallkat e tjera të tregut, si psh te magazinat e shumicës. Refuzimi i qeverisë për të menduar për rrugët për mbledhjen e taksave në vlerën e tyre reale, në një kohë kur konsumatorët i paguanin, e bën këtë qeveri përgjegjëse për dështimin në mbledhjen e taksave.

Dhe ndërsa të ardhurat e pritshme nga rritja e taksave nuk u realizuan në vitin 2014, reagimi i qeverisë në vitin 2015 qe ekzaktësisht në të njëjtin model dhe për rrjedhojë, solli të njëjtin dështim, madje në përmasa më të mëdha. Nën presionin për të mbyllur deficitin buxhetor, qeveria ndërmorri një valë të dytë rritjes taksash në janar të këtij viti, rritje që, për shkak se nuk qe dhe vijon të mos jetë zgjidhur problemi i administrimit, dështoi sërish të sjellë të ardhura. Sërish shqiptarët paguan çmime më të larta për karburantet dhe cigaret dhe sërish qeveria nuk e mori pjesën që duhej të merrte nga këto çmime që shqiptarët i paguan.

Kuptohet që mosmbledhja e taksave siç duhet solli probleme zinxhir. Qeveria u detyrua të shkurtojë shpenzimet. Shkurtimi i shpenzimeve u krye te fondi i investimeve, rrjedhimisht rrugët mbetën pa përfunduar, investimet shumëmilionëshe nuk hynë në shfrytëzim ose shfrytëzohen me eficencë tejet të ulët dhe rrjedhimisht, rritja ekonomike u ngadalësua.

Tani qeveria sugjeron se ka ndër mend të ndërmarrë një fushatë masive, aludohet, me pjesëmarrje policore, për të detyruar shitësit me pakicë të lëshojnë fatura fiskale. Sido që moslëshimi i faturave fiskale është një problem që bën mirë të luftohet, qoftë edhe me polic, sërish kjo nuk e zgjidh problemin e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave buxhetore. Nevojiten kontabilistë të aftë dhe të ndershëm për të luftuar evazionin fiskal, i cili në shumicën dërrmuese të rasteve, fshihet pas bilanceve të kompanive dhe zyrave avokatore dhe jo pas lëshimit apo jo të faturës tatimore nga byrektorja e lagjes.

Mosmbledhja e taksave është shkaktuar nga probleme administrative. Thelbi i këtij problemi administrativ është partitizimi i administratës publike. Nëse heq një inspektor tatimor demokrat dhe e zëvendëson atë me një inspektor socialist apo LSI-st, nuk është se ndryshon gjë.

Dhe për sa kohë partitizmi mbetet e vetmja mënyrë rekrutimi në administratë publike, natyrisht që vendi do të vegjetojë në një krizë të gjatë të njohur si stanjacion, ku inflacioni është i ulët, interesat e depozitave janë të ulëta, konsumi është i ulët, kreditimi, investimet në ekonomi janë të ulëta dhe qeveria nuk ka mundësi të ndërmarrë asnjë politikë të qënësishme për shkak se vuan nga borxhi publik i lartë.

You may also like...